Vrasja e Xhindit, ende asnjë pistë hetimi
Katër muaj pas vrasjes së deputetit policia dhe prokuroria janë të pazotë që të zbulojnë autorin ose motivin e krimit
TIRANË- Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër muaj nga vrasja e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, ende nuk ka asnjë person të dyshuar si autor të krimit. Prokuroria dhe policia kanë ngritur dhjetëra pista hetimi, kanë verifikuar qindra dokumente por prapë janë aty ku e nisën.
Ata kanë marrë në pyetje rreth 300 njerëz dhe kanë kaluar në sitë dhjetëra hipoteza por sërish pa asnjë rezultat. Tashmë duket sikur hetuesit janë tërhequr nga çdo gjë ndërsa i vetmi që flet për këtë çështje është ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Ai ka thënë pak ditë më parë se shteti është pranë gjetjes së autorit të krimit por këtë gjë e ka thënë edhe më parë duke mos pasur asnjë rezultat konkret.
Hetuesit kanë pohuar se pistat janë përqendruar kryesisht në zonën e deputetit, Roskovecin e Fierit dhe fshatin Kurjan. Pothuajse të gjithë banorët e zonës janë marrë në pyetje por pa asnjë rezultat. Vrasësi mendohet se ka qenë njohës i zonës pasi ai ka ditur shumë mirë se ku mund të presë deputetin pa u shqetësuar nga askush.
Ai dyshohet se ka ndjekur të gjitha lëvizjet dhe ishte i mirinformuar për qytezën e Roskovecit. Bazuar në këtë profil janë ngritur edhe dyshimet se mund të bëhet fjalë për një banor të zonës.
Por të gjitha janë dyshime ndërsa të vetmit që flasin për deputetin e vrarë janë familjarët e tij. Ata kanë kërkuar disa herë që shteti të zbardhë të vërtetën e vrasjes por deri tani nuk kanë mundur që të marrin asnjë përgjigje. Edhe pse ky është një nga krimet më të rënda të ndodhura në vendin tonë, policia dhe prokuroria nuk kanë mundur që të zbulojnë asgjë.
Prokuroria ka përjashtuar pistën politike pro edhe atë të pronave. Edhe disa pista të tjera janë rrëzuar gjatë këtyre muajve dhe e vetmja shpresë për hetuesit ishte telefoni por edhe ai i ka lënë në baltë. Ata kanë verifikuar bisedat e deputetit, numrat e fundit me të cilët ka folur por pa rezultat.
Pas kësaj kanë vënë në përgjim numra të tjerë telefoni, përfshirë edhe familjarët. Sërish pa rezultat. Zbardhja e bisedave nuk ka nxjerrë asnjë pistë të re hetimore ndërsa shpërblimi prej 250 mijë eurosh për njeriun që do të jepte informacione të sakta ka mbetur ende i paprekur