Pranga arkëtares, vidhte paratë e bankës

Ornela Tabaku ka marrë në mënyrë sistematike para nga institucionet shtetërore të Lushnjes duke i kaluar në llogarinë e saj
Policia publikon të gjitha transfertat që janë kryer nga arkëtarja, ja kush janë dëmtuar prej saj
LUSHNJE- Arkëtarja e filialit të një banke private në qytetin e Lushnjes ka gjetur një mënyrë interesante për të shumëfishuar paratë e saj. Pothuajse çdo ditë ajo merrte me vete një pjesë të parave që kishte arkëtuar.
Kjo skemë ka vazhduar deri dje kur policia i ka hedhur prangat. Ka qenë Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar ai që ka ndaluar shtetasen Ornela Tabaku, 25 vjeçe, me profesion arkëtare në një filial banke në Lushnje.
Operacioni është koduar "Transferta e Fundit" dhe 25-vjeçarja është arrestuar në shtëpinë e saj. Sipas policisë, punonjësja e bankës është banuese në qytetin e Lushnjes dhe punësuar në këtë filial që prej një viti.
Ndërkohë policia konfirmon se kjo shtetase është ndaluar pasi ka kryer dy vepra penale, atë të vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe të vjedhjes së bankave dhe arkave të kursimit, vepra këto të parashikuara nga nenet 135 dhe 136 të Kodit Penal.
Denoncimin në polici për arkëtaren 25- vjeçare është kryer nga drejtuesit e filialit të bankës. Drejtuesja e bankës ka raportuar në polici se kishte dyshime se një punonjësja e saj vidhte para.
Policia ka nisur hetimet bazuar tek ky informacion dhe ka mbajtur nën vëzhgim arkëtaren e dyshuar. Burimet e policisë pohuan se deri tani është arritur të dokumentohet se shtetasja Ornela Tabaku, duke shfrytëzuar detyrën e arkëtares pranë kësaj banke, ka vjedhur në mënyrë të përsëritur shuma të konsiderueshme parash.
Hetuesit e çështjes kanë publikuar edhe disa prova për fajësinë e të arrestuarës.
Sipas tyre, në datën 30.01.2010, Tabaku ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin për sistemin bankar duke tërhequr në dy raste nga llogaria e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Fier, shumën prej katër milionë lekesh, të cilën e ka arkëtuar në datën 01.02.2010.
Gjithashtu në datën 30.4.2010 arkëtarja Ornela Tabaku ka tërhequr nga llogaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Lushnje në "cash" shumën prej 3.111.000 lekësh, të cilën e ka arkëtuar më datën 03.05.2010.
Odiseja e marrjes së parave nga institucionet e tjera ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim. Këtë radhë kjo shtetase në datën 31.05.2010 ka bërë tërheqjen prej një milionë lekë nga llogaria e "Tregut Fruta Perime Lushnje".
Po kështu në datën 04.06.2010 në vijim të rastit të parë nga Drejtoria e Transportit Rrugor Fier nga kontrolli i gjithë veprimeve bankare nga kjo punonjëse, rezulton se veç shumës së mësipërme, në këtë institucion ka tërhequr shumën prej 12.555.700 lekësh. Madje për këtë shumë ajo nuk ka prerë as mandate pagese duke e marrë për vete.
Gjithashtu kjo shtetase, më datën 03.06.2010 ka ndërhyrë në llogarinë e shtetasit me inicialet L.N duke i tërhequr një shumë prej 5.000 euro duke falsifikuar firmën, llogari të cilën e ka sistemuar në datën 04.06.2010.
PARATË
Tabaku ka marrë 12.5 milionë lekë
Sipas policisë, në përfundim të hetimeve kjo shtetase në vazhdimësi ka kryer trasaksione financiare të paligjshme, duke ndërhyrë në llogari të institucioneve dhe shtetasve të ndryshëm me qëllim përfitimi, ku aktualisht shuma e përfituar prej saj është 12.555.700 leke.
Burimet e grupit hetimor të policisë pohuan dje se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lushnje po vazhdon puna, për zbulimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm në këtë aktivitet kriminal si dhe veprime të tjera që mund të jenë kryer nga kjo shtetase në dëm të institucioneve dhe individëve klientë të kësaj banke.