E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata 100 vjet burg për 4 vrasës

07/04/2005  Hasmëria midis familjeve Çala dhe Yzeiri ka shkaktuar 10 viktima

FIER – Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit ka vendosur 100 vjet burg për katër anëtarë të fisit Çala, të akuzuar për vrasje. Ka përfunduar në gjykatën e Fierit, gjykimi i njërës nga ngjarjet më të bujshme të vitit 1997, e njohur si një konflikt hakmarrjeje midis fiseve Çala dhe Yzeiri, ku kanë humbur 10 jetë njerëzish. Dje, në gjykatën e Fierit, trupi gjykues, me kryesuese gjyqtaren Lindita Sinanaj, me anëtarë Roland Hysi dhe Nafije Curri, e përfaqësuar nga organi i akuzës me prokuror Qydret Kadia, ka shpallur fajtor katër të pandehur, midis tyre një i gjykuar në mungesë. Ata janë Ferdinant Çala, 31 vjeç, i dënuar me parë për veprën penale të vrasjes, Agur Çala, 34 vjec, Genci Çala, i moshës 29 vjeç dhe Gëzim Çala, 39 vjeç, i gjykuar në mungesë. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, të katër të pandehurit janë mbrojtur nga avokati Petraq Semani. Të pandehurit e lartëpërmendur janë dënuar nga gjykata Fier me nga 25 vjet burg për veprën penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim gjashtë herë, tre prej të cilave ngelur në tentativë, si dhe të veprës së mbajtjes pa leje të armëve luftarake të zjarrit dy herë, vepra këto të parashikuara nga nenet 78-25/3 herë, 78-25-22/3 herë dhe 278/2 të Kodit Penal 2 herë. Nga shqyrtimi gjyqësor i këtyre çështjeve ka rezultuar e provuar se të katër të pandehurit janë banorë të fshatit Rërëz, të rrethit të Beratit. Tre të pandehurit Ferdinant, Genci dhe Gëzim Çala janë vëllezër, ndërsa i pandehuri tjetër Agur Çala është kushëri i tyre. Që prej muajit maj të vitit 1997, familjet e tyre ishin në hasmëri me familjet e fisit Yzeiri, banorë të po këtij fshati. Kjo për faktin se në këtë vit është vrarë 28-vjeçari Lefter Yzeiri, nga i vëllai i të pandehurit Agur Çala, i quajtur Bedri Çala, i cili e ka ekzekutuar atë pranë gardhit të tij me 5 plumba. Pas kësaj vrasjeje, një seri vrasjesh të tjera kanë ndodhur në mes të të dy fiseve, deri pak vite më parë. Fisi i Yzeirëve duket se ka patur më tepër viktima në “luftën” mes fiseve dhe për të gjitha këto, gjykata e Fierit ka konkluduar se për shkak të rrezikshmërisë së veçantë që paraqesin të pandehurit dhe dënimit të tyre për veprat penale të vrasjeve të kryer me paramendim dhe në bashkëpunim me nga 25 vjet burg për secilin të akuzuar, ata duhet të vuajnë burgimin në një burg të sigurisë së lartë.

Histori

Hasmëria, mori jetën e 10 personave

Pas vrasjes së parë në dosjen e kësaj çështjeje së hasmërisë mes fiseve Çala dhe Yzeiri ka një tjetër tragjedi të shumëfishtë. Në datën 19 korrik të vitit 1997, 6 shtetas të fisit Yzeiri, bashkëfshatarë me të pandehurit për nevojat e tyre familjare janë nisur për në fshatin Kuqar, të rrethit të Fierit. Për të siguruar udhëtimin, njëri prej tyre, i quajtur Ilir Yzeiri, ka vënë në dizpozicion mjetin e tij me targa BR 2246 A, por që drejtohesh nga shtetasi Shkëlqim Nushi, nga fshati Pobrat. Me këtë automjet ata janë nisur rreth orës 8 në mëngjes, duke kaluar nga rruga nacionale Berat–Fier. Pasi kanë udhëtuar përreth 30 minuta, në afërsi të vendit të quajtur "Rezervuari i Kurjanit", kanë vënë re 2-3 makina të ndaluara, midis tyre dhe një Benz dhe përreth këtyre mjeteve qëndronin rreth katër persona të armatosur. Pasi është afruar mjeti, ata i kanë bërë shenjë të ndalonte dhe pas kësaj të pandehurit F.Çala, A.Çala, G.Çala dhe Gëzim Çala, të cilët ishin të armatosur me automatik, i janë afruar makinës. Njëri prej tyre dhe pikërisht Gëzim Çala ka hapur derën e furgonit nga ana e pasagjerëve, duke u thënë të zbresin poshtë vetëm dy shtetasve, të cilët sapo kanë zbritur janë larguar me vrapë dhe pas këtij momenti Gëzim Çala ka hapur zjarr në drejtim të furgonit dhe pas tij kanë qëlluar edhe të pandehurit e tjerë. Pasi kanë vrarë të gjithë pasagjerët e ndodhur brenda në makinë, ata janë larguar, duke hedhur edhe një granatë në drejtim të tij. Pas kësaj ngjarjeje, ata janë larguar në drejtim të Beratit. Pas largimit të autorëve, dy shtetasit që ishin larguar janë kthyer dhe kanë konstatuar se nga goditjet me armë kanë mbetur të vrarë shtetasit që ndodheshin në furgon Nezir Yzeiri, Hashine Yzeiri dhe Ilir Yzeiri dhe ka mbetur i plagosur rëndë shtetasi Fatmir Yzeiri. Ai është çuar në spital, ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Fierit, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore. Në vazhdën e konflikteve të hasmërisë midis dy fiseve Çala dhe Yzeiri të katër të pandehurit kanë tentuar edhe vrasjen e shtetasve Bledar dhe Agron Yzeiri. Kjo ngjarje, sipas shqyrtimit gjyqësor, ka ndodhur në datën 24 gusht të vitit 2000, kur shtetasit Bledar dhe Agron Yzeiri, pasi kishin qenë në qytetin e Patosit janë kthyer për në shtëpinë e tyre të ndodhur në lagjen Sheq i Madh, Fier, me automjetin e tyre. Në hyrje të vendit të quajtur Ura e Sheqit, ata kanë vënë re të pandehurit Ferdinant, Genci, Agur dhe Gëzim Çala pranë një makine dhe pasi i kanë njohur i kanë dhënë shpejtësi makinës, por edhe pse kanë bërë një diçka të tillë, ata janë qëlluar me automatik, duke u plagosur rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›