E Diel, 1 Nëntor 2026

Inxhinieritë, ndryshojnë programet

07/04/2005  Kurrikulat e reja s’do të nxjerrin pedagogë pa punë, edhe profesorët do të detyrohen që të rinovohen

Rektori i Universitetit Politeknik, Hoxha: Më pak ngarkesë mësimore

Një pjesë e mirë e degëve të Universitetit Politeknik këtë vit shkollor do të nisin të punojnë me programe të reja mësimore, duke aplikuar kështu një nga pikat e Kartës së Bolonjës. Vit pas viti do të ndryshojnë të gjitha programet e degëve të Universiteteve shqiptare, gjë që do të thotë që shumë lëndë të mos zhvillohen më dhe disa të tjera të hyjnë. Kështu që studentët e ardhshëm do të kenë shansin që lëndët, të cilat do t’i bëjnë në universitetet shqiptare të njihen dhe në ato evropiane. Pra, diploma e tyre të njihet në Evropë.

Degët, me programe të reja

“Në mbledhjen e fundit të prillit do të shqyrtojmë ngarkesën mësimore në të gjitha fakultetet, e cila realisht është e madhe dhe planet mësimore, kurrikulat për vitin 2005-2006”, thotë Përparim Hoxha, Rektori i Universitetit Politeknik. Deri tani sistemi 3 plus 2 është aplikuar në Degën Elektrike, sivjet do të praktikohet në elektronik, mekanike, në Fakultetin Gjeologjik për degët inxhinieri e rezervave dhe në inxhinierinë e burimeve natyrore (e minerave), në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit do të aplikohet për degën e inxhinierisë së Ndërtimit, dhe është lënë për më pas për disiplinat e tjera si për Arkitekturën, Inxhinierisë së Ambientit etj. “Kjo pasi duhet plotësuar një feed-back, që të hyjnë kurrikulat e reja dhe sistemi tre plus dy”, shpjegon Hoxha. Për të arritur deri te miratimi i kurrikulave të reja, po bëhen disa sondazhe. Studentët plotësojnë disa formularë, mbi nevojat e tyre, ndërkohë që kontrollohet dhe tregu i punës. Në mënyrë që lëndët e reja t’i shërbejnë formimit profesional dhe t’i shërbejnë studentit kur të hyjë nesër në punë.

Pedagogët të detyruar, që të rinovohen

Shumë lëndë nuk do të zhvillohen më në universitete, pasi janë të vjetëruara, jashtë kohe dhe s’ndikojnë në formimin e studentit. (Më tepër këtë problem do ta ndjejnë shkencat empirike). Njëkohësisht, lëndë dhe kurrikula të reja do të hyjnë në universitet. Kjo bënë që shumë pedagogë të “ndjehen” të papunë dhe të dalë e nevojshme thithja e pedagogëve të rinj. Për këtë arsye futja e kurrikulave të reja has pengesa. Por, Rektori i Universitetit Politeknik i qetëson pedagogët. “Nuk mendoj se vendi ynë ka kapacitete që disa pedagogë t’i nxjerrë në rrugë dhe të marrë të tjerë. Këta profesorë me këtë begraund e gjejnë veten shumë mirë dhe do t’i përshtaten kurrikulve të reja. Ata i kanë kapacitetet profesionale për t’ju përshtatur kurrikulave të reja”, thotë Rektori Hoxha.

Përveç lëndëve të detyrueshme dhe me zgjedhje

Ndër modelet e reja që do të hyjnë në Universitetin Politeknik është ajo e lëndëve me zgjedhje. Disa lëndë do të jenë të detyrueshme, ndërsa dy deri tre lëndë do të jenë me zgjedhje. Në këtë mënyrë do të plotësohen pikët e krediteve që duhet të marrë studenti deri në përfundimin e Universitetit.

Shefi i profesoratit, Ismail Hoxha:

“Kurrikulat, të ndryshojnë në të gjitha universitetet”

Rektori i Universitetit Politeknik, Përparin Hoxha, është i mendimit që aplikimi i kurrikulave të reja të mos jetë “frontal”, ndërsa shefi i profesoratit Ismail Hoxha thotë se duhet të nisë menjëherë në të gjitha degët dhe universitetet. “Vërtet është thënë se universitetet kanë fituar autonomi në vendimmarrje, vendimin për të nisur aplikimi i kurrikulave evropiane e merr Ministria e Arsimit. Dhe universitetet, vet pedagogët për një arsye, apo për tjetrën, edhe janë dhe s’janë të interesuar që të hyjnë kurrikulat e reja. Por, nuk duhet humbur kohë, që të paktën këtyre studentëve që hyjnë t’u njihen lëndët që do të zhvillojnë. I takon Ministrisë së Arsimit që të marrë vendimin për aplikimin e programeve të reja. Vërtet shumë fakultete nuk janë gati për të futur kurrikulat e reja, por po të vendoset që për vitin shkollor 2005-06 të aplikohen programet e reja, do të detyrohen të ndryshojnë. Me rinovimin e kurrikulave, shumë pedagogë do të detyrohen të rinovohen vet, disa nuk plotësojnë ndonjë kriter për të qenë pedagogë, atëherë do të detyrohen të bëjnë një specializim, të mbrojnë një temë. Në universitetet e rretheve, në shumë raste nuk plotësohet numri i pedagogëve me tituj, por këto universitete do të akreditohet një ditë. Çështja është që të ndryshoj mentaliteti në universitet. Studenti është tepër i ngarkuar si me lëndë që s’i hyjnë në punë, por ka dhe ngarkesë psikologjike. Duhen krijuar kushte që këta studentë të vijnë me dëshirë në shkollë dhe të kenë çfarë të marrin”, thotë Ismail Hoxha.

Ditën e premte pritet që studimi për futjen e administratës së universiteteve në strukturën e administratës publike do të paraqitet për miratim në Qeveri. Ky studim është firmosur tashmë në Ministritë e linjës, në atë të Financës, Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, në atë të Drejtësisë dhe pritet që së shpejti të miratohet nga Qeveria. Punonjësit e administratës pas grevës së pedagogëve kanë arritur të përfitojnë një rritje page mesatarisht 35 për qind. Por në fillim të vitit palët, pedagogët dhe Qeveria, ranë në marrëveshje që deri në fund të muajit shkurt kjo rritje të përballohej nga të ardhurat dytësore. Gjatë kësaj kohe, qeveria do të kishte përfunduar studimin për rritjen e pagave dhe shtesa do të paguhej nga buxheti i shtetit.

Korpusi Qendror, shtohen sallat dhe laboratorët

Vitin e kaluar nisi restaurimi i Korpusit Qendror, simboli i Universitetit shqiptar. Ky investim do të përfundoj këtë vit. Vlera e tij është 70 milionë lekë i ndarë në dy vite për përdorim. “Me anë të këtij investimi, ne synojmë që të rrisim sigurinë ne objektit, njëkohësisht do të restaurohen dhe bodrumet, do të suvatohen, do të rritet ventilimi, do të shtohet numri i klasave, laboratorëve. Në këto kushte zbusim dhe kërkesën për ambiente, pasi aktualisht punohet me dy turne dhe raporti i sipërfaqes për studentë është i ulët në krahasim me universitetet homologe”, thotë Rektori i Universitet Politeknik, Hoxha. Vitin e kaluar përfundoi ndërtimi i bibliotekës për Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, ndërsa këtë vit edhe Fakulteti i Mekanikes po pajiset me sallë biblioteke, sponsorizuar nga Silvana Pedralo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›