E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 71-vjeçarit, kërkohej për tentativë vrasje

07/04/2005  Ishte i dënuar me 16 vjet

SHKODËR – Një 71-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i dënuar nga gjykata në mungesë për kryerjen e veprës penale të “tentativës së vrasjes” është vënë dje në pranga nga policia e qytetit të Shkodrës. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi i shpallur në kërkim, 71-vjeçari Fran Doçi, nga fshati Dukagjin. Shpallja e këtij të moshuari në kërkim ishte bërë, pasi gjykata e shkallës së parë në Shkodër me datë 13 maj të vitit 2004, e kishte dënuar atë me 16 vjet heqje lirie, me akuzën tentativë për vrasje. Shtetasi në fjalë kishte qëlluar në prill të vitit 2002, shtetasit Kin Kodra dhe Paulin Cubi, duke i lënë të plagosur që të dy. Kjo, po sipas të njëjtave burime zyrtare të policisë, mësohet se ka sjellë edhe pasojat e veta, duke futur mes familjeve gjakmarrjen. Familja e Fran Doçit, pas aktit të kryer nga i moshuari, ka patur dhe pasoja më të mëdha. Si rrjedhojë e gjakmarrjes së hapur u vra më pas Vasil Doçi, që ishte i biri i të arrestuarit të djeshëm Franit. Arrestimi i këtij të fundit është bërë gjatë ditës së djeshme në fshatin Dukagjin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›