E Diel, 1 Nëntor 2026

Minat C4 lënë tre në burg e një të lirë

07/04/2005  Dosja kalon te Krimet e Rënda. Të arrestuarit nuk pranojnë akuzën

SHKODËR – Arrest me burg pa afat për tre dhe detyrim paraqitje për njërin nga katër të arrestuarit për eksplozivin C4. Është zhvilluar dje paradite, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Shkodrës, gjyqi i katër shtetasve Rrok Pepaj, Mirash Dushku, Sandër Gjinaj dhe Altion Saloviç, të arrestuar më 2 prill, të akuzuar për trafikun e mjeteve të paligjshme luftarake dhe konkretisht të minave eksploziv C 4.

Dërgimi i të pandehurve nga dhomat e paraburgimit në gjykatë është bërë nën një masë ekstreme sigurie dhe seanca gjyqësore është zhvilluar pa praninë e mediave. Për t’u theksuar është fakti se, megjithëse mbi të pandehurit rëndonin të njëjtat akuza, seancat gjyqësore janë zhvilluar për secilin më vete, duke pasur si gjykues të çështjes të njëjtin gjyqtar Tunxh Vatnikaj dhe të njëjtën prokurore Arta Marku. Ndërsa të pandehurit Gjinaj, Dushku, Pepa dhe Saloviç, mbroheshin respektivisht nga avokatët Gjon Lepri, Ilir Golemi, Isuf Litaj dhe Bujar Hoti.

Para se të merrej masa nga gjyqtari, prokurorja Marku ka bërë një rezume për secilin nga të katër të pandehurit, ku ka dalë në pah edhe mënyra e zbulimit dhe arrestimit të tyre. Kështu, pas fillimit të lojës së bërë nga policia për blerjen e minave C4, që më pas u gjetën në makinën e shtetasit Sandër Gjinaj, kanë filluar përgjimet e telefonave celularë të shtetasve që hynin e dilnin më shpesh në Mal të Zi dhe në bazë të këtyre përgjimeve dhe njerëzve të infiltruar për të bërë lojën e blerjes është arritur që të bëhet blerja në Mal të zi dhe të sillet në Shkodër eksplozivi, “viktimë” e të cilit ranë katër shtetasit e arrestuar. Por ndërsa për tre nga të arrestuarit dhe pikërisht të shtetasve Rrok Pepaj, Mirash Dushku dhe Sandër Gjinaj, gjyqtari Vatnikaj ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, si pasojë e vërtetimit me anë të telefonatave të bashkëpunimit ndërmjet tyre. Ndërsa për shtetasin Saloviç nuk është marrë një masë e tillë dhe është lënë i lirë, me kushtin e detyrimit për paraqitje. Lënia e lirë e Saloviçit erdhi si pasojë e mos arritjes së faktimit, me anë të bisedave telefonike, të implikimit të tij me të tre të pandehurit e tjerë në lojën e shitblerjes së minave C4, që aktivizohen me celular. Mbi këtë shtetas rëndon vetëm akuza e mbajtjes pa leje të 1500 fishekëve, që iu gjetën në shtëpi pas kontrollit të imtësishëm që u bë nga policia menjëherë pas arrestimit të tij. Vendimet e gjygjtarit Vatnikaj si në rastin e masës së sigurisë për tre nga të pandehurit, ashtu edhe për lirimin me deturim paraqitje të shtetasit tjetër ishin në përputhje të plotë me vetë kërkesën e prokurores Marku. Të pandehurit, nëpërmjet avokatëve të tyre, e kanë mohuar kategorikisht si implikimin në trafik, ashtu dhe tregtimin e minave C4.

I arrestuari i Malit të Zi

“Të ekstradohet Raiçeviç,të gjykohet te ne”

Në seancën e djeshme, që kishte për qëllim vetëm evidentimin e fakteve paraprake, për të cilat u bë arrestimi i të pandehurve dhe dhënien e masës së sigurisë “arrest me burg”, është bërë dhe kërkesa për ekstradimin dhe gjykimin në vendin tonë të shtetasit Branko Raiçeviç. Ai është arrestuar në Podgoricë të Malit të Zi. Për ish-shtetasin shqiptar që kishte marrë nënshtetësinë malazeze rreth 10 vjet më parë, burimet shprehen se është kërkuar nga pala malazeze që të gjykohet në vendin tonë, duke qenë se ky shtetas kishte lindur dhe banuar në fshatin Vrakë, fshat me minoritet serb, të Malësisë së Madhe dhe se kishte ruajtur akoma dyshtetësinë. Megjithatë, për momentin, është duke u punuar për procedurat që duhen ndjekur për ekstradimin e këtij personi me kombësi serbe.

Sandër Gjinaj, 38 vjeç

“arrest në burg pa afat”

Mirash Dushku, 34 vjeç

“arrest në burg pa afat”

Rrok Pepaj, 46 vjeç

“arrest në burg pa afat”

Altian Saloviç, 29 vjeç

“detyrim paraqitjeje”

6 copë

eksploziv C4 të modifikuar

6 celularë

të markës “Sony Ericson”

1 pistoletë

tip “Bereta”

1 peshore

elektronike

1 “Benz”

me targë SH 5295 D

1 “Benz”

me targë SH 7976 D

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›