Gjykata, 1500 padi civile gjatë verës në Tiranë
Paditë e akumuluara që nga mesi i muajit korrik e deri tani në Gjykatën e Tiranës pritet që të hidhen në short gjatë kësaj jave. Burime nga ky institucion pohojnë se duke filluar nga mëngjesi i sotëm, rreth 150 dosje penale dhe më tepër se 1000 padi civile, do t'iu nënshtrohen procedurave të shortit elektronik, për t'iu shpërndarë gjykatësve të këtij institucioni. Duke u nisur nga fakti se në sekretarinë e gjykatës janë akumuluar një numër i konsiderueshëm i kërkesë padive, për të mos rënduar punën e togave të zeza në administrimin e dosjeve, pjesa më e madhe e padive penale do të hidhen në short paraditen e sotme, ndërsa civilet do të hidhen për katër ditë me radhë, duke filluar sot e do të mbarojnë të premten. Pas kësaj, të hënën e javës së ardhshme, puna pritet të normalizohet pasi do të hidhen në short paditë që depozitohen nga qytetarët gjatë këtyre ditëve. Sipas burimeve nga ky institucion, radha e hedhjes së padive në short do të jetë sipas radhës së depozitimit të tyre dhe regjistrimin në kryesekretarinë e gjykatës. Sipas procedurave të punës në gjykatën e kryeqytetit, pas shortit elektronik, paditë ciklohen nga kancelari i gjykatës dhe pastaj kryesekretarja e gjykatës ua dorëzon gjykatësve, të cilët pasi i studiojnë ato caktojnë datën për zhvillimin e seancës së parë. Që nga data 20 korrik në këtë gjykatë është ndërprerë pranimi i padive civile dhe penale, për arsye se togat e zeza do të nisnin pushimet vjetore gjatë muajit gusht. Të vetmet që u pranuan në sekretarinë e gjykatës ishin paditë të cilat kishin afat për ngritjen e tyre. Këto padi, sipas burimeve nga gjykata, përbëjnë një numër jo shumë të madh që nuk i kalon 200 prej tyre, po kështu u pranuan edhe dosjet e prokurorisë. Ndërsa të gjitha paditë e tjera u refuzuan, duke iu bërë me dije qytetarëve apo avokatëve të tyre, si dhe jusristëve të institucioneve, t'i dorëzonin në gjykatë më datë 1 shtator. Duke u nisur nga ky fakt, paraditen e djeshme në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës u depozituan dhjetëra kërkesë-padi dhe kërkesa të ndryshme të qytetarëve, të cilat u pasqyruan në regjistrat e këtij institucioni, në pritje të radhës për t'u hedhur në short, për caktimin e gjykatësve që do i marrin në dorë. Kështu, duke llogaritur të gjitha paditë e akumuluara gjatë 40 ditëve numri i çështjeve civile e kalon shifrën 1000. Burime nga gjykata pohojnë se pjesa dërmuese e çështjeve të reja janë ato tregtare dhe ato të marrëdhënieve të punës. Po kështu një pjesë e konsiderueshme janë çështjet familjare që kanë të bëjnë me zgjidhjet e martesave ose regjistrimi i fëmijëve të paregjistruar nëpër zyrat e gjendjes civile, në mënyrë që të ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Po kështu një pjesë e konsiderueshme e padive të depozituara në gjykatë janë edhe urdhrat e ekzekutimit që kanë dalë për çështje të ndryshme të gjykuara nga Apeli. fa.ma.