Gjykata: "Burg pa afat",hajdutit profesionist
TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë "burg pa afat" për 31-vjeçarin Festim Skermo, i arrestuar katër ditë më parë gjatë operacionit policor të koduar "Muzgu". Sipas përfaqësuesit të prokurorisë që kishte drejtuar hetimet paraprake, arrestimi i Skermos u bë më 29 gusht nga efektivët e seksion-kontroll territorit, në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve ndaj Pronës në Komisariatin e Policisë numër dy të kryeqytetit. Skermo, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Poloskë të Devollit, i dënuar më parë me 6 vjet burg për veprën penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë, dyshohet se ka vjedhur një lokal bar-kafe në rrugën "Muhamet Gjollesha". Më tej prokurori pohoi se në bazë të materialeve hetimore të dërguara nga policia në organin e akuzës, Skermo dyshohet të jetë autori i vjedhjes së agjencisë së këmbimit valutor "Monygram" më 24 gusht, e ndodhur në rrugën "Luigj Gurakuqi", të kryeqytetit. Po kështu, sipas përfaqësuesit të akuzës, po punohet në grup pune nga specialistët e hetimit të krimit për dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të 31-vjeçarit Skermo, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka kryer disa vjedhje të tjera në kryeqytet. Ndërkohë, gjykata vendosi masën e sigurisë edhe 20-vjeçarin Sabah Kovaçi, lindur në Kukës dhe banues në rrugën "Frano Bardhi" pranë Tregut Ushqimor, i dënuar më parë. Kovaçi, sipas prokurorisë, është kapur në flagrancë duke tentuar që të vjedhë te Rruga e Kavajës, një sasi veglash ndërtimi.
fa.ma.