‘Në diktaturë përkthimet na mbeteshin në sirtar’
Alma Mile
Ishte 12 vjeç kur përktheu përrallën e parë nga italishtja dhe profesori Mark Ndoja ia kishte skuqur gjithë fletën. Por ama në fund kishte edhe një lavdërim inkurajues për leksikografin dhe përkthyesin e ardhshëm. Kanë kaluar shumë vite që atëherë, por kjo nuk do të thotë asgjë për Ferdinand Lekën. Punon shumë dhe mundohet të jetë sa më optimist. Pak kohë më parë ka dalë nga botimi libri "Një mjeshtëri për të jetuar" i Andre Morua (Maurois), përkthyer nga Leka, apo "Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit rus". Por pasioni i tij vazhdon të mbetet leksikografia dhe puna me fjalorët. Në një intervistë leksikografi dhe përkthyesi tregon për punën e tij, për vitet nën diktaturë. Leximin e librave të "ndaluar" dhe problematikën e sotshme në përkthim e në gjuhë.
Unë jam leksikograf dhe përkthimin e kam nisur me kohë. Kam punuar mbi fjalorë, që shpesh askush nuk e di se kush i realizon, pasi shërbejnë si mjet pune për njerëzit. Kam punuar në Institutin e Gjuhësisë për 30 vjet, deri kur dola në pension dhe vazhdoj ende të bashkëpunoj. Jam bashkëpunëtor për Fjalorin e madh të Gjuhës Shqipe të vitit '80 dhe bashkautor dhe redaktor i më shumë se 30 fjalorëve terminologjikë. Shqipja ka nevojë për terma shkencorë e teknikë dhe kjo punë ka nisur me kohë në vendin tonë nga gjuhëtarë si Xhuvani, Çabej, Kostallari, etj. Që në vitin '48-'49 pranë Institutit tonë u krijua një sektor për terminologjinë, për përpunimin e termave për fushat kryesore shkencore, si matematika, kimia, letërsia, etj., dhe unë isha sekretar shkencor i sektorit për vite me radhë. Fusha e termave është tepër e vështirë dhe ka vazhdimisht hyrje të huaja. Detyra jonë ishte t'i shqipëronim, por pa bërë ndërhyrje të skajshme vend e pa vend.
Flitet shumë për problemet e gjuhës sot, për hyrjen e fjalëve të huaja, ju si leksikograf, ç'mendoni?
Problemi i gjuhës është përvëlues sot, i ngutshëm. Ka shumë ankesa për fjalët e huaja që hyjnë. Gjuhëtarët e kanë zakon të qahen shumë, por vë re se ka edhe përpjekje të mira. Ka përpjekje nga gjuhëtarë, shkrimtarë e gazetarë, që ta përdorin mirë gjuhën shqipe. Por bie në sy dhe përdorimi i fjalëve të huaja tërësisht të panevojshme. Kjo kërkon një kurë urgjente. Kam përgatitur një material me 300-400 fjalë, që janë tërësisht të zëvendësueshme, pa ndalur zhvillimin e gjuhës. Është e pamundur të pengosh hyrjen e fjalëve të huaja. Gjuhëtari nuk e fabrikon gjuhën e kontrollon, e drejton. Së fundi ky zhvillim i është lënë më shumë spontanitetit. Më parë gjithçka ka qenë më e kontrolluar. Sot ka shumë punë, por kërkon organizim. Po ka munguar edhe financimi. Duhet organizuar më mirë puna me bashkëpunëtorët, pasi tanimë dihet askush nuk punon më në mënyrë vullnetare.
Prej sa kohësh përktheni dhe çfarë preferoni më së shumti?
Prej 20 vitesh. Tashmë numri i librave ka arritur në 25 dhe ndonjë pritet edhe të botohet. Jam përpjekur që në përkthime të mos ndjek shumë tregun e librit, por të zgjedh vepra që paraqesin vështirësi përkthimi dhe mbushin boshllëqe në kulturën tonë. Kam përkthyer 60 sonete të Petrarkës, "Të fejuarit" e Manzonit, "Lavdërimin e marrëzisë" së Erazmit të Roterdamit, biografinë e Erazmit nga Stefan Cvajgu, që është jetëshkrimi i fundit i tij, shumë autobiografik. Një lloj paralelizmi jetësh. Shumë prej këtyre librave janë botuar shumë vite më parë. Për arsye nga më të ndryshmet librat mbeteshin në sirtar. Petrarka ishte gati qysh në vitin 1968 dhe u botua vetëm në vitin 1998, sepse quhej libër i padobishëm.
Sot botimet kanë marrë hov, si ju duket ky zhvillim?
Sot ka shumë botime dhe mund të them pa frikë që kemi arritur në nivelin ballkanik. Në '89-ën, në një takim merrte pjesë dhe një përkthyese bullgare dhe dikush e pyet se sa libra botonin. Ajo thotë 408, ndërsa një koleg i ndërmarrjes "8 Nëntori" thotë se botonin 12. Çfarë diference me ato vite! Në këtë zhvillim jo gjithçka është kryevepër, por nuk mund të themi se nuk po bëhet asgjë. Koha seleksionon. Edhe emrat që i kanë mbetur përkthimit u është dashur kohë që të bëhen ata që janë. Nuk duhet të tregohemi pesimistë, ndërkohë që kritika nuk duhet të mungojë, por as bashkëpunimi mes të rinjve dhe të vjetërve.
Meqë jemi tek bashkëpunimi i brezave, cili është çelësi i përkthimit sipas jush?
Flitet shumë për teori përkthimi. E domosdoshme është që të punosh e të këshillohesh me origjinalin, si dhe me redaktimet. Mësohet duke punuar. Për mua teoria është të punosh. Mjeshtrit e mëdhenj të Rilindjes italiane thoshin "Duhet të shkosh në dyqan (studio)", atje ku kishte një mjeshtër e 10 apo 12 nxënës.
Prej pak kohësh ka dalë nga botimi një përkthim juaji "Një mjeshtëri për të jetuar", si jeni njohur me Andre Maurois?
Andre Maurois e kam njohur herët. Ju e dini që atëherë ishte e vështirë të gjeje libra në origjinal. Më së shumti ishin të përkthyer në gjuhën ruse. Një miku im, Kolë Luka, njohës dhe studiues i frëngjishtes e kishte në shtëpi këtë libër. Ishte botim i '39-ës. E lexova dhe më pëlqeu shumë. Ishte viti '63-'64. Kisha frikë se mos ishte i vjetruar për kohën edhe pse për mua thelbi mbetej. U interesova nëse ishte ribotuar ky libër, pasi nuk më dilte tek biografia e Maurois. Një miku im ma solli nga Franca. Ishte një ribotim i '67-ës, tepër luksoz. Ishte një libër i suksesshëm në Francë, kështu që u binda ta përkthej, pasi kisha bërë dhe një sondazh mes miqsh që e kishin pëlqyer.
Pra, keni "njohje" të hershme, përse nuk e botuat qysh atëherë?
Ishte e pamundur që ky libër të botohej. Vetëm një mjeshtëri kishte për të jetuar nën diktaturë dhe nuk mund të kishte të tjera. Nuk mund të thuhej se ishte i ndaluar, por nuk mund të botohej. E vërteta është që edhe atëherë qarkullonim libra mes tonë. Mund t'ju them se Solzhenicinin e kam lexuar prej Dritëro Agollit, apo Sosyrin nga Dhimitër Shuteriqi. Librat kalonin dorë më dorë. Fatbardhësisht ka pasur njerëz me mend në çdo kohë. Kjo bënte që të lëviznin idetë. Dikush mbyllte një sy dhe kjo na ndihmonte të mos mbeteshim të verbër. Por edhe duhet të ruheshim. Nuk kemi pasur drejtues inkuizitorë, por edhe ata ishin në një pozitë që duhet të bënin shumë kujdes. Por fatkeqësia ishte që libri atëherë ishte privilegj vetëm i disave, ndërkohë që duhet të jetë i të gjithëve.
Ndërkohë ju vazhdoni të punoni, çfarë keni në duar?
Tani kam përfunduar punën me bashkëpunëtorin tim Zef Simoni për përditësimin e Fjalorit Italisht-Shqip. Kam përfunduar edhe një fjalor italisht për shkollat, më masiv. Kohëve të fundit ka dalë një "Antologji e historisë së kohës së vjetër". Vëllimi i parë përfshin historinë e Lindjes, si kultura babilonase, egjiptiane, persiane, kineze, etj., ndërsa i dyti Athinën edhe Romën. Janë marrë prej historianëve të kohës, apo mbishkrime. Mes tyre do veçoja Kodin e Hamurabit, 2 mijë vjet para Krishtit, tepër interesant, i cili është zbuluar në fillim të shek. XX. Është përkthyer nga përkthyes tepër seriozë. Mendoj se do të jetë shumë i vlefshëm për historianët, por edhe për juristët, pasi është tepër aktual. Por ka një të keqe tek ne, që libra të tillë, pak promovohen, ndërkohë që ata duhet të shkojnë tek lexuesi, sidomos tek studentët, si material plotësues, ndërkohë që nuk e di se si funksionon përzgjedhja tanimë. Kohët e fundit kam përkthyer edhe një libër nga rusishtja "Zanafilla dhe kuptimi i komunizmit rus", nga Nikollaj Berdjajev. Nuk është një libër propagande antikomuniste, por një analizë shkencore dhe historike.
Si të jetosh sipas Andre Maurois
Për Ferdinand Lekën, libri i Andre Maurois-ë, ka diçka të veçantë, "sui generis". "Të mëson pa të mërzitur, të jep përvojën e vet, por me një tolerancë dhe mirëkuptim për forcat njerëzore", - thotë ai. Për të ndarja e librit në 5 kapituj është gjetje e autorit:
"Një mjeshtëri për të menduar": Të mendosh drejt dhe qartë është kushti i parë për t'i dhënë forcë zgjuarsisë.
"Një art për të dashuruar": Këtu ndodhet e fshehta a sekreti i çdo jete të lumtur, sepse dashuria i transformon njerëzit, shumë herë i zbut dhe i bën të ndihen më të mirë e më të gatshëm për të sakrifikuar për tjetrin.
"Një mjeshtëri për të punuar": Dashuria për punën, për profesionin, a nuk është ky një faktor i fuqishëm për mirëqenien e njeriut, për të mos e ndierë veten se veç bën hije mbi tokë?
"Një mjeshtëri për t'u plakur": Përpara aktit të fundit të qenies mbi tokë, që mbyllet me largimin e përjetshëm në heshtje, rrallëherë pa ndonjë pendim.
Libri
Titulli:
"Një mjeshtëri për
të jetuar"
Autori:
Andre Maurois
Përkthyesi:
Ferdinand Leka
Botuesi:
"55"
Çmimi:
800 lekë
Numri i fq:
150