Koçi e Vasi në festivalin e Montrealit
Fatmir Koçi dhe Pluton Vasi përfaqësojnë kinematografinë shqiptare në një ndër festivalet më të rëndësishme të filmit në botë, në "Montreal World Film Festival", i cili po mbahet nga 27 gushti deri më 7 shtator. Bëhet fjalë për filmat "Koha e Kometës" dhe "Shqetësimet e një obezi", të cilët do të shfaqen këto ditë në ekranin e festivalit. Filmi i Vasit, ku interpretojnë aktorët Mariana Kondi, Xhevair Zeneli, Arben Derhemi, u nominua si ndër tre filmat më të mirë dhe në edicionin e 4-ër të Festivalit të Filmit Swansea Bay, që u zhvillua nga datat 30 maj-6 qershor në Uells në Britaninë e Madhe, me mbështetjen e aktores hollivudiane Catherine Zeta Jones dhe Michael Sheen OBE. Ndërsa filmi i Koçit, ku luajnë Blerim Destani, Xhevdet Jashari, Masiela Lusha, Çun Lajçi, etj., ka marrë pjesë në disa festivale, ku gjithashtu është pritur mirë. Festivali i Montrealit është ndarë në 8 seksione. Të dy filmat shqiptarë janë përfshirë në seksionin "Fokus në kinemanë botërore", ku përfshihen prodhime amerikane, evropiane, aziatike, afrikane, etj. Filmat do të shfaqen nga tre herë nga data 2-6 shtator në kinema Quartier Latin dhe ONF Théatre. Seksioni "Fokus në kinemanë botërore", siç nënvizohet në faqen zyrtare të Festivalit të Filmit në Montreal, reflekton tendencën e këtij aktiviteti si Festival Botëror i Filmit. Përmes tij, pas një përzgjedhjeje të kujdesshme, vjen kinemaja e vendeve të ndryshme të botës, si përfaqësuese e kinemasë së vendit të vet dhe si një mundësi për zhvillim bashkëpunimi të mëtejshëm. Qëllimi i Festivali prestigjioz të Montrealit është të inkurajojë diversitetin kulturor dhe mirëkuptimin midis kombeve, për të mbështetur kinemanë në të gjithë kontinentet, stimuluar zhvillimin e kinemasë cilësore, promovuar kineastët dhe punët e tyre novatore, por edhe për të zbuluar dhe inkurajuar talente te reja dhe për të mbështetur takimet midis kinemasë profesionale nga e gjithë bota. Veç festivalit të Montrealit, filmi i Pluton Vasit do të shfaqet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Romë të Xhorxhias në SHBA (RIFF), që në 11 shtator shënon edicionin e gjashtë. Filmi i regjisorit Vasi do të shfaqet përkrah kineastëve të talentuar nga Indonezia, Haiti, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Irlanda, Kosova, Zelanda e Re, Australia, Shqipëria, Franca, Spanja, Italia, Gjermania dhe Zvicra.