Kapet shqiptari për vrasjen e britanikut
IRLANDE - Pas pesë vitesh që jetonte në arrati, policia irlandeze ka arrestuar një emigrant shqiptar, si i dyshuar për vrasjen në bashkëpunim të një indiani me shtetësi britanike. Artan Hysaj akuzohet nga policia e Mançesterit se së bashku me tre shqiptarë të tjerë, njëri prej të cilëve ndodhet në qeli, i dënuar me burgim të përjetshëm, rrahën për vdekje Kalvinder Singh, duke e goditur me shkopinj në kokë. Sipas mediave angleze, mësohet se detektivët irlandezë e kanë arrestuar 32-vjeçarin shqiptar teksa ai ishte duke punuar në kuzhinën e restorantit "Il Sorrizo" në Dublin. Ndaj tij ka lëshuar një fletë-arresti ndërkombëtar me akuzat e vrasjes, dëmtimeve trupore dhe prishjes së rendit me anë të dhunës. Në mediat britanike shkruhet se gjatë procesit të marrjes në pyetje, menjëherë pas arrestimit Hysja është shprehur se e dinte se për çfarë ishte akuzuar, por ka mohuar të ketë vrarë njeri. Ngjarja për të cilën akuzohet Artan Hysaj dhe 3 shqiptarë të tjerë, ka ndodhur më 10 prill të vitit 2004 në Mançester. Katër shqiptarët pas një grindje të momentit me indianin Kalvinder Singh, e kanë rrahur me shkopinj dhe ai është dërguar në gjendje të rëndë në spital, ku 16 ditë pas ngjarjes ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë. Po për të njëjtin krim në vitin 2005 u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm, Marjon Semej. Pas arrestimit të djeshëm nga policia irlandeze e 32-vjeçarit Hysaj, tashmë të shpallur në kërkim për të njëjtën vrasje, figurojnë edhe dy shqiptarët e tjerë, Emirjan Hysenaj me Alfred Kurtin.