E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentojnë të vrasin të riun, në pranga xhaxhai e nipi

 

TIRANE - Daja dhe nipi kanë përfunduar në pranga pasi kanë plagosur me thikë një 23-vjeçar, në shenjë hakmarrje në Kavajë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin Gërmenj të Kavajës, ku Përparim Uku, 30 vjeç, bashkë me djalin e motrës së tij, Faik Kuka, 23 vjeç, kanë tentuar të vrasin një 23-vjeçar. I riu, pasi është rrahur me grushte e shqelma është goditur disa herë me thikë. Policia e Kavajës është njoftuar nga disa kalimtarë të rastit, të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen. Ndërhyrja në kohë e efektivave të Komisariatit të Kavajës, ka bërë të mundur arrestimin e dy personave, të cilët po tentonin të vrisnin 23-vjeçarin. Ndërsa ky i fundit është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale, mësohet se ka kaluar rrezikun për jetën. Burime nga policia thanë se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por pas shpjegimeve që kanë dhënë në polici, të arrestuarit Përparim Uku dhe nipi i tij, Faik Kuka, ngjarja është klasifikuar si plagosje e lehtë me dashje. Deklarimet e të arrestuarve, si dhe të disa dëshmitarëve kanë hedhur dritë mbi ngjarjen e dy ditëve më parë. Të njëjtat burime sqaruan se i plagosuri disa ditë më parë, bashkë me disa kushërinj të tij, kishte rrahur me shkopinj bejsbolli, 23-vjeçarin Faik Kuka, i cili ishte plagosur lehtë. Por Kuka nuk ka menduar që ta lërë me aq atë që i kishte ndodhur, por ka vendosur që të hakmerret ndaj të rinjve që i kishin rënë në qafë dhe e kishin rrahur. Në këtë mënyrë, ai mësohet se ka kërkuar ndihmën e dajës së tij, Përparim Ukut, 30 vjeç, i cili nuk ka ngurruar aspak që të marrë hakun e nipit të tij. Uku ka udhëtuar nga fshati Lekaj, në Gërmenj të Kavajës, për të gjetur personin që i kishte rrahur nipin, me qëllim jo për ta vrarë, por për ta rrahur në të njëjtën mënyrë siç kishte vepruar ai me 23-vjeçarin Kuka. Pasi e kanë gjetur të vetëm, vetëm disa metra larg banesës së tij, daja dhe nipi kanë sulmuar të riun, duke e rrahur me grushte e shqelma. Por gjatë përleshjes ata kanë hasur në rezistencë nga ai dhe më pas Përparim Uku ka nxjerrë një thikë që mbante me vete dhe e ka qëlluar disa herë në trup. Më pas ata janë ndaluar nga policia, ku edhe kanë rrëfyer rrethanat e ngjarjes, duke treguar se nuk kanë dashur ta vrisnin, por thjeshtë ta rrihnin në të njëjtën mënyrë, siç kishte bërë ai me Faik Kukën. Sipas mjekëve të spitalit rajonal të Kavajës, mësohet se 23-vjeçari i plagosur është jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›