E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lorik Cana: Do të mbetem tifozi numër 1 i Marsejës

 

Leonard Karaj

Lorik Cana pohoi gjatë një interviste për faqen franceze RMC-Info Talk Sport.fr, se vendimin për t’u larguar nga Olmpiku i Marsejës e kishte marrë ai vetë dhe jo klubi.“Vendosa unë”, - tha Cana. Sipas mesfushorit aktual të Sandërlendit në kampionatin anglez, zgjedhja e tij u influencua edhe nga largimi i ish-presidentit Pape Diouf dhe ish-trajnerit Erik Gerets. “Fillimi te Sanderlend? Jam shumë i kënaqur. Kam pasur rastin të luaj kundër klubeve të mëdha angleze”. Cana ishte i pranishëm të dielën në “Velodrome” në Marsejë-Bordo.
Lorik Cana, si e kaluat debutimin tuaj te Sandërlendi?
Jam tepër i lumtur. Kam pasur mundësi të luaj edhe kundër klubeve më të mëdha angleze që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve, por të jem te Sandërlendi është me të vërtetë diçka shumë e veçantë. Edhe pse jemi një skuadër që renditet nga mesi i tabelës, këtu kushtet e stërvitjes dhe organizimi janë me të vërtetë fantastike
Pas katër vitesh të kaluara në Marsejë, a ishte momenti i duhur për t’u larguar?
Asnjëherë nuk dihet se kur është momenti i duhur, pasi kjo është çështje e kohës. Mundësia u paraqit këtë vit dhe u largova. Mund të kisha shkuar edhe te Hamburgu në Gjermani, por ky klub e tërhoqi ofertën në momentet e fundit.
A mund të kishit qëndruar sërish tek Olimpiku i Marsejës?
I kishim diskutuar gjërat që përpara fillimit të sezonit me Pape Diouf. Gjithçka ishte e qartë. Nëse do të desha të largohesha më ishte premtuar se klubi nuk do të më krijonte pengesa. Vetëm se të gjitha palët duhet të ishin të pranishme. Më pas morëm të gjithë një vendim së bashku që shkoi mirë. Por unë jam ende tifozi numër 1 i OM-së edhe në Angli.
A jeni penduar që u larguat?
Keqardhje jo, por nostalgji po. Kur kalon shumë vite të lumtura në një skuadër, edhe për më tepër je dhe kapiten është normale të kesh nostalgji. Më vjen keq vetëm që nuk u shpalla kampion në vitin tim të fundit. Këtë nuk arrij ta kapërdij dot”.
Ishit këtë të diel në “Velodrome” për të parë OM-Bordo. Si u ndiet për homazhet e Robert Louis-Dreyfus?
Ka qenë me të vërtetë e veçantë. Ka qenë shpeshherë i kritikuar, por ishte një njeri që dha shumë për këtë klub dhe dëshironte ta shihte sa më lart. Tashmë nuk është më për të ndjekur idetë e tija, por Marseja vazhdon të rritet siç ka bërë edhe vitet e fundit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›