E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata, 28-vjet burg për ish-ushtarakët, trafikuan armë

Autori i Lajmit: red.
Ish- ushtarakët e dyshuar për trafik armës do të qëndrojnë në qeli 28 vjet. Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur dje dënimin për katër ish-punonjës të ushtrisë, që një vit më parë u kapën duke transportuar me qëllim trafikimi 100 mijë fishekë pistolete. Në vendimin e saj gjykata ka vendosur sot të dënojë me 7 vite burg Mehdi Hasanin, me nga 5 vjet e 6 muaj burg Gramoz Bendon, Arif Matën e Pajtim Lamajn dhe me 5 vjet Nasi Strorin. Të pandehurit përfitojnë uljen e 1/3 të dënimit për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar. Burime nga gjyqësori bëjnë të ditur se një seancë më parë Prokurori i Krimeve të Rënda, Anton Martini kërkoi 10 vjet burg për Arif Matën, ish-oficer në shtabin e brigadës 4460 në Pezë, 11 vjet burg për magazinierin e repartit të Beratit, Gramoz Bendo, dhe nga 10 dhe 14 vjet burg për dy shoferët e repartit, Pajtim Lama dhe Medi Hasani. Sipas të njëjtave burime katër të pandehurit u ndaluan në fund të muajit mars të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit të koduar Cikloni . Ata u kapën në rrugën nacionale Berat-Lushnje, pas nëntë muajsh përgjimesh nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sipas hetimeve, rezultoi se ngarkesa e fishekëve të kalibrit 7.62 milimetër ishte marrë në repartin e Mbreshtanit në Berat dhe po transportohej për në qytetin e Durrësit, ku do të shkëmbehej me pistoleta. Ndërkohë gjatë atij operacioni u deklaruan dhe disa persona të tjerë nën hetim për trafikun e municioneve, por në gjykim përfunduan vetëm katër të pandehurit e mësipërm.

Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›