E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, 30 ditë burg të dyshuarit si vrasës i badiguardit

09/06/2005  TIRANË – Vetëm 30 ditë burg ka qenë vendimi i dhënë nga gjykata për të pandehurin Anton Totri, dyshuar si autor i vrasjes së shtetasit Sajmir Voga disa ditë më parë në ambientet e pub "Green Moor". Kjo ishte edhe kërkesa e bërë nga prokurori Armando Gurakuqi. Sipas prokurorit, i pandehuri duhet të qëndrojë në dhomat e paraburgimit për 30 ditë deri sa të bëhet e mundur verifikimi i të gjitha provave. Duhet që brenda këtij afati të bëhet ekspertimi i gjurmëve të gishtave, ai daktiloskopik, ekspertimi i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes. Nga ana e tij, i pandehuri Anton Troti, 30 vjeç, i përfaqësuar në seancë nga avokati Sajmir Visha, nuk e ka pranuar akuzën. Ka thënë se nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë që avokati mbrojtës tha dje se klienti i tij është përjashtuar nga autorësia pas seancës për njohje që u bë me kolegun e badiguardit të vrarë. Avokati tha se prokuroria e ka sjellë të pandehurin vetëm mbi bazën e dyshimeve pa patur asgjë të vërtetë në dorë. Nga ana tjetër prokurori, i cili kërkoi masën e arrestit me afat, tha se gjithçka mund të jetë në favor të tij. Vendimi u dha nga gjyqtarja Kaçe Agolli. Sajmir Voga u vra disa ditë më parë nga një person i paidentifikuar fillimisht. Pas shumë veprimesh, policia e më pas prokuroria arritën të fusin në dorë një të dyshuar. Por derisa gjithçka të verifikohet, vepra mbetet në fazën e dyshimeve.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›