E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pesë të paraburgosur "helmohen" te 302

09/06/2005  Të arrestuarit kanë konsumuar ushqimin që u kanë sjellë familjarët

TIRANË – "Helmohen" pesë të paraburgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë 302, Tiranë. Mbajtja e ushqimeve në dhoma ka sjellë pasoja që fatmirësisht nuk ishin të rënda për të pandehurit e krimeve të rënda. Midis të helmuarve që u është bërë lavazh në spital dhe më pas janë kthyer në dhomë, kanë qenë Kujtim Xhaferi dhe Genci Hysa, akuzuar për vrasjen e Servete Kullës në Itali, pasi e shfrytëzuan si prostitutë.

Të martën

Mbrëmjen e ditës së martë, pesë të paraburgosur për krime të rënda në Repartin 302 Tiranë, kanë paraqitur shqetësime serioze për shëndetin. Që të gjithë të paraburgosurit kanë qenë shokë të një dhome. Sapo kanë ngrënë darkën, ata kanë patur dhimbje të forta barku, të cilat janë shoqëruar me diare. Burime nga Burgu i Sigurisë së Lartë 302, thanë dje për gazetën se të paraburgosurit kanë ngrënë ushqimin e ardhur nga familjarët. Sipas drejtorit të komanduar të këtij burgu, Thanas Rumneci, pesë të paraburgosurit kanë ngrënë mishin e sjellë nga familjarët e njërit prej tyre. Bëhet e ditur se ushqimi ka qenë i një të pandehuri nga Shkodra. Sipas burimeve nuk ka qenë ushqimi i burgut ai që ka ndikuar në toksikimin e të pandehurve. Menjëherë sapo është dhënë sinjali për këtë shqetësim të paraburgosurve, janë marrë masa. Të gjithë të pandehurit janë dërguar në spital, ku i janë nënshtruar ekzaminimit dhe trajtimit të menjëhershëm. Pas marrjes së mjekimit të parë, të paraburgosurit janë dërguar përsëri në dhomat e tyre. Më pas ushqimet e tyre janë kontrolluar për të mos u përhapur kjo epidemi.

Drejtori

Drejtori i Burgut 302, Rumneci, tha dje se pesë të paraburgosurit janë toksikuar nga mishi që kanë patur në dhomë. Ndërkohë, drejtori pohon faktin se përveç kësaj dhome nuk ka patur probleme tek të paraburgosurit e tjerë. Në dhomën ku është përdorur mishi i helmuar kanë qenë edhe dy të paraburgosurit Kujtim Xhaferri dhe Genci Hysa. Procesi gjyqësor i planifikuar për t’u zhvilluar dje ndaj dy të pandehurve, ka dështuar. Ata kanë paraqitur një shkresë me anë të së cilës pretendonin se ishin të sëmurë dhe nuk mund të merrnin pjesë në gjyq. Pretendimi i tyre nuk u mor i besueshëm nga trupi gjykues. Kështu, prokurori kërkoi verifikimin e një fakti të tillë. Vetë drejtori i burgut pohoi dje se kryetari i Gjykatës për Krime të Rënda, Sandër Simoni, ka kërkuar informacion të plotë. Pas kësaj kërkese, ai është vënë në dijeni se pretendimi i të pandehurve në këtë rast ka qenë i vërtetë.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›