Mes Milanit e Xhilardinos, miliardat e Çelsit
09/06/2005 Alberto Xhilardino dëshiron të shkojë te Milani, por Çelsi ka më shumë fuqi financiare dhe mund të ndryshojë gjithçka. Këtë gjë e bën të ditur prokuratori i sulmuesit të Parmës, Françesko Romano, i cili paralajmëron Milanin: “Çelsi është një rrezik për klubet italiane, sepse mund të shpenzojë shifra të pamendueshme. Xhilardino është vërtet pranë Milanit, por përderisa nuk gjendet marrëveshja me Parmën, asnjëherë nuk i dihet”. Kuptohet qartë se lojtari ka rënë dakort me kuqezinjtë për sezonin e ardhshëm, pavarësisht nga ofertat e Realit dhe Çelsit. Por nëse dihet dëshira e tij, një rol të rëndësishëm mund të luajë edhe Parma, që ka në dorë kartonin e tij dhe do të donte të përfitonte sa më shumë nga ana financiare. “Vullneti i lojtarit është i rëndësishëm, por Parma do të marrë parasysh edhe ofertat që do të vijnë, sepse ka disa alternativa për të zgjedhur. Rënia nga kategoria e Parmës nuk do të ndryshonte çmimin e Xhilardinos”, ka vazhduar prokuratori i talentit italian. Pikërisht çmimi është “nyja gordiane” që duhet të zgjidhë Milani, sepse Çelsi mund të ofrojë shumë më tepër. Oferta e parë e kuqezinjve prej 25 milionë eurosh është refuzuar, por gjithçka mund të mbyllet për 30 milionë euro plus huazimin e ndonjë lojtari të ri, si Donati e Abate, gjithmonë nëse nuk do të ndërhyjë Çelsi.