E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës mungesë profesionalizmi dhe njëanshmëri në gjykim

09/06/2005  Në datën 07.06.2005 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës u dha vendimi gjyqësor lidhur me padinë civile me paditës prof.as.dr. Dhimitër Doka dhe prof.dr.Arqile Bërxholi, me objekt "shpërblimin e dëmit jo-pasuror" nga i padituri Gjovalin Gruda, proces ky që u përfaqësua për palën paditëse nga dy avokatët e GSHDNJ, z.Haki Kraja dhe z.Genci Terpo. Dy pedagogët e kishin denoncuar dekanin Gruda për shpifje, duke kërkuar që Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, të shpallte fajtor këtë të fundit. Ky proces është vazhdimi i çështjes shumë të diskutuar të Atlasit Gjeografik të Popullsisë, i cili u pasua me shumë debate përgjatë dy viteve të fundit, duke ngjallur diskutime dhe duke u vlerësuar pozitivisht për risinë e tij si një botim i plotë dhe i vetëm i dekadës së fundit, mbi gjeografinë e popullsisë që jeton në Republikën e Shqipërisë. Procesi u gjykua nga gjyqtarja e vetme, Teuta Hoxha, e cila në një kohë rekord të trajtimit të çështjes, vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë të dy autorëve të Atlasit Gjeografik të Popullsisë së Shqipërisë. GSHDNJ, duke qenë i angazhuar drejtpërsëdrejti në këtë çështje, e konsideron ecurinë e këtij procesi dhe përfundimin e tij si të paprecedent në gjyqësorin shqiptar. Konkretisht GSHDNJ vëren se:

Gjykata shtrembëroi në mënyrë të qëllimshme faktet kryesore të procesit, duke ngushtuar personalitetin e individit në maksimum dhe duke evidentuar edhe njëherë profesionalizmin e ulët të gjykatës shqiptare, e cila me qëllim ose jo nuk arrin të shquaj idetë nacionaliste dhe kombëtare me lirinë e shprehjes së individit, duke qëndruar ende larg normave ndërkombëtare juridike të gjithëpranuara..

Konkretisht vendimi që rrëzon kërkesë-padinë e dy profesorëve që kanë botuar të parin Atlas të Popullsisë së Shqipërisë, pas gjithë këtyre viteve tregon se gjykata ka ngelur në koncepsionet e vjetra me koncepte filozofike të doktrinës marksiste lidhur me antagonizmin dhe jo-antagonizmin.

Gjyqtarja realizoi ndarjen e veprës së tyre antikombëtare me personalitetin e tyre, që, sipas saj ishte kombëtar. Lidhur me ketë fakt, GSHDNJ vëren se nuk mund të ndodhë që dy persona, të cilët botojnë një vepër që, sipas të paditurit qenka antikombëtare, të etiketohen më pas se qenkan kombëtare. Në fund të fundit, ata në këtë vepër kanë shprehur idetë e tyre, botëkuptimin e tyre, pikpamjen e tyre, mendimet e tyre dhe në qoftë se ata kanë botuar një Atlas antikombëtar, edhe vetë në mënyrë të padiskutueshme janë antikombëtarë, kjo dalje është haptazi e gabuar dhe haptazi e qëllimshme.

GSHDNJ i është krijuar bindja se gjyqtarja Teuta Hoxha me vetëdije ka dhënë një vendim të padrejtë, që shkel legjislacionin aktual. Megjithëse nuk është synuar të investigohet për të gjurmuar lidhjet e gjyqtares me palën kundërshtare, fakti që këtë gjyq ajo e përfundoi në mënyrë shumë ekspresive, duke e mbaruar menjëherë dhe në një kohë rekord të paprecedentë për mënyrën e punës së Gjykatës së Tiranës, tregon se ajo që në fillim e ka paragjykuar çështjen për vendimin që do të jepte, madje që në momentin që është dorëzuar padia, ka shprehur mendimin dhe ka thënë "pse antikombëtar është shpifje", "ku është fyerje shprehja antikombëtare". Po ashtu i gabuar është edhe konceptimi i gjykatës në lidhje me botimin e numrit special të revistës "Studime Albanologjike 2004/2". Në fakt, në këtë padi është specifikuar se sikur ky numër special i kësaj reviste të mos dilte dhe të ngelej vetëm në kuadrin e diskutimit akademik, ndoshta nuk do të realizohej kjo padi, por është pikërisht i padituri ai që e botoi këtë numër special dhe që e organizoi këtë të ashtuquajtur debat shkencor. Pjesa e dytë e kësaj padie e denoncon këtë fakt dhe kërkon shpërblimin e dëmit, sepse ai i ka publikuar këto shprehje dhe nuk ka rëndësi vendimtare se cili është numri apo tirazhi i këtij botimi, ai mund të jetë 5-500 apo 1000 copë, por ajo ka të bëjë me masën e dëmtimit se sa duhet të zhdëmtojë i padituri lidhur me dëmin që ka shkaktuar. Vepra është e kryer nga i padituri, pasi mjafton të ekzistojnë një apo dy kopje të këtij publikimi të këtij numri special të kësaj reviste, që ka për drejtor të paditurin Gjovalin Gruda. GSHDNJ thekson se vendimi i gjykatës është i padrejtë si rrjedhojë e presioneve, e ndërhyrjeve dhe kufizimeve ideore të vetë gjykatës, dhe do të thoshim kështu për ta shpëtuar atë nga një emërtim tjetër, pasi në të, në thelb, ndoshta mund të besohej se gjykatësja Teuta Hoxha i ka patur atributet e duhura për të dhënë një vendim të drejtë, por ajo me ndërgjegje ka dhënë një vendim të padrejtë dhe me një arsyetim absurd dhe aspak logjik.

Përfundimisht, GSHDNJ beson se Gjykata e Apelit Tiranë do të shqyrtojë me objektivitet këtë çështje dhe përfundimisht do ta rrëzojë vendimin e dhënë nga gjyqtarja Teuta Hoxha.

Në të njëjtën kohë do të ishte me vend që Ministria e Drejtësisë të realizojë trajnime të gjyqtarëve të Tiranës për tema që konkurrojnë nivelin e kësaj kërkesë-padie, në mënyrë që horizonti i tyre të mos kufizohet vetëm brenda mureve të ndërtesës së Gjykatës, e cila "de facto" vuan sindromat e centralizimit absolut.

GSHDNJ i kërkon gjithashtu KLD-së që të mundohet të evidentojë shkeljet që ekzistojnë në dhënien e vendimeve të gjyqësorit që në momentet e para, kur ato krijohen dhe jo me vonesë kur faktimi i tyre mund të mos ketë më vlerë për shoqërinë dhe për dhënien e drejtësisë në përgjithësi.

Nga ana tjetër, GSHDNJ i tërheq vëmendjen administratës së universiteteve shqiptare dhe organizmave të tjerë akademikë, konkretisht Dekanatit të Fakultetit të Gjeografisë, të tregojnë nivelin e duhur kulturor dhe akademik, duke hequr dorë nga patetizmi i ndjenjave nacionaliste, të cilat nuk e ndihmojnë aspak të ardhmen dhe kulturën e vendit tonë. Por të jenë më cilësore dhe profesional në debatet shkencore, duke siguruar absolutisht lirinë akademike të profesorëve, pa ushtruar presion centralizues dhe administraiv ndaj tyre.

Në përfundim, GSHDNJ ka besimin se Gjykata e Apelit, Tiranë, do të dijë të administrojë faktet me objektivitet pa i shtrembëruar ato, në mënyrë që drejtësia të afirmohet përmes shkallëve të gjyqësorit shqiptar.

Tiranë, 8 Qershor 2005

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›