E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokurori amerikan, mbështetje drejtësisë shqiptare

09/06/2005  Intervistë e VOA me Ministrin e Drejtësisë, Fatmir Xhafaj

Ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Gonzales. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, kreu i drejtësisë ka diskutuar për reformat në legjislacionin e bashkëpunimit dypalësh, lufta kundër krimit e korrupsionit.

Zoti Xhafaj, cilat ishin temat e biseduara mes jush dhe zotit Gonzales, Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Takimi me zotin Gonzales ishte një takim pune, që u zhvillua në zyrën e tij dhe u përqëndrua kryesisht në një bilanc të procesit të reformave në Shqipëri, në çështjet që janë duke u trajtuar në proces dhe nevoja për asistencë dhe më shumë mbështetje nga qeveria amerikane dhe në mënyrë të veçantë nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria është ndër shtetet e para që iu bashkua SHBA në luftën globale kundër terrorizmit dhe zyrtarët amerikanë shpeshherë e kanë thënë se marrëdhëniet me Shqipërinë janë shumë të mira. Në sektorin që mbuloni ju, ku është përqëndruar kryesisht bashkëpunimi me palën amerikane?

Më duhet të them se gjatë takimit të djeshëm ajo që më bëri të ndjehem mirë nga deklaratat e zotit Gonzales, i cili shprehimisht theksoi që vendi juaj ka qenë një partner shumë i mirë për ne dhe besoj se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen. Duke mbajtur në konsideratë marrëdhëniet e përgjithshme që kanë qenë mes dy vendeve, ndërmjet dy qeverive tona, gjatë kësaj periudhe dhe natyrisht që është edhe procesi i reformave dhe bashkëpunimi që kemi pasur në fushën dhe sistemin e drejtësisë, ku pala amerikane ka qenë prezente me vetë misionet e saj, misionet e asistencës teknike dhe financiare që janë në Tiranë, ose nëpërmjet ekspertëve që janë të dërguar drejtpërsëdrejti nga Departamenti i Drejtësisë në procesin e reformave ligjore dhe institucionale që janë aplikuar në këtë periudhë ndryshimesh të rëndësishme. Dhe pozitiv është fakti që zoti Gonzales më siguroi në emër të tij dhe të Departamentit të Drejtësisë amerikane që kjo mbështetje nuk do t’i mungojë palës shqiptare edhe në të ardhmen, duke diskutuar dhe për çështje konkrete dhe projekte konkrete dhe përshkrimin e saktë të marrëveshjeve të përbashkëta ndërmjet të dy palëve, siç është për shembull marrëveshja mbi ekstradimin e propozuar nga pala shqiptare dhe që pala amerikane e ka gjetur me vend që të nënshkruhet së afërmi.

Le të ndalemi pak te problemet konkrete me të cilat ndeshet sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Sipas anketave dhe raporteve të fundit, sistemi i drejtësisë figuron më problematiku, me gjykatës të korruptuar ose me besueshmëri ndër më të ulëtat në institucionet e vendit. Mekanizmat e duhura për të ndëshkuar gjykatësit e korruptuar në Shqipëri, duket se nuk po japin rezultat. A janë këto mekanizma të mjaftueshëm në goditjen e fenomenit të korrupsionit?

Së pari, duhet të ndajmë dy çështje në pyetjen tuaj, që unë nuk mendoj se sektori i drejtësisë është më problematiku, por në këtë fushë ka ende probleme të ndjeshme që lidhen me eficensën e sistemit, për kërkesën për më shumë cilësi në dhënien e vendimeve dhe kryesorja, ajo që ju e thatë me të drejtë me besueshmërinë e publikut ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë. Një ndër elementët sigurisht është edhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë, në gjyqtarët, prokurorët, administratën. Dhe ky është një problem shqetësues, që përbën edhe thelbin e ndryshimeve që po kërkojmë të bëjmë në sistemin aktual të drejtësisë, në mënyrë që lufta kundër korrupsionit të jetë të trajtuara më efektivisht nga ana jonë, duke i kushtuar më shumë rëndësi profesionalizimit, sistemit të karrierës, vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por natyrisht duke konsideruar gjithashtu të rëndësishme procedimin disiplinor. Unë dua të theksoj faktin se vetëm gjatë këtij viti janë ndërmarrë disa masa të rëndësishme për procedime disiplinore në sistemin gjyqësor, në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe gjykata të tjera të vendit. Natyrisht, ne ende nuk jemi të kënaqur me këtë fakt, sepse nuk po shohim ende frytet e dëshiruara dhe jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë punë për të bërë.

Shpesh në Shqipëri thuhet se vendit nuk i mungojnë ligjet, por vendi vuan nga zbatueshmëria e tyre. Shqipëria është vlerësuar kohët e fundit për një sërë nismash të ndërmarra në reformimin e sistemit të drejtësisë. Problem mbetet zbatimi i ligjeve. Si mund të bëhen ato më të zbatueshme në vend?

Së pari, duhet të kesh ligje të mira që të mund t’i zbatosh. Dhe procesi ku ne jemi përqëndruar ka qenë pikërisht hartimi i një legjislacioni bashkëkohor, që është me standardet më të përparuara ndërkombëtare. Natyrisht akoma më e rëndësishme është çështja që lidhet me zbatimin e legjislacionit që lidhet edhe me edukatën e respektit ndaj ligjit për qytetarët, por kryesorja me nevojën për një performancë më të mirë të agjencive zbatuese të ligjit, të institucioneve të sistemit të drejtësisë që merren drejtpërsëdrejti me zbatimin e ligjit.

Në fund të vitit të kaluar, Shqipëria miratoi një paketë ligjore të quajtur antimafia në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. A ka pasur rezultate konkrete kjo paketë?

Siç e thatë edhe ju vetë, ajo është miratuar në fund të vitit të kaluar. Dhe është normale që miratimi në parlament të shoqërohet edhe me një sërë aktesh nënligjore. Por më duhet të them me kënaqësi se ne sot kemi një sërë rezultatesh dhe operacionesh konkrete të policisë shqiptare të evidentuara me shumë sukses, ose me partnerët ndërkombëtarë si rezultat i hapësirave dhe mundësive proceduriale që krijoi ky ligj, i cili simbolikisht është quajtur paketa antimafia, por që në fakt është një tërësi ndryshimesh në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale dhe një ligj i veçantë, që është për masat në luftën kundër krimit të organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›