E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, 33 vjet burg për katër kile drogë

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda deklaroi fajtor dhe dënoi me 33 vjet burg në total tre persona të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Ndërkohë që, për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar të pandehurit përfituan uljen e 1/3 së masës së dënimit. Gjykata i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor në ngarkim të Aleksandër Kapajt, Përparim Llanajt dhe Blenard Grembit. Pasi u njoh me konkluzionet përfundimtare të prokurorisë dhe ato të mbrojtjes, trupi gjykues vendosi dënimin me 12 vjet burg për Kapajn, 11 vjet për Llanajn dhe 10 vjet burg për Grembin. Tre të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan në 29 tetor të vitit 2008 nga operacioni policor i koduar "Taksisti". Sipas prokurorisë, në bashkëpunim me njëri tjetrin ata kanë trafikuar 2.5 kilogramë kokainë dhe 1.5 kilogramë heroinë në drejtim të Greqisë. Droga ishte siguruar në kryeqytet nga Kapaj. Në vijim sasia narkotike nëpërmjet Llanajt kalonte tek Grembi, i cili do ta transportonte drejt shtetit grek me anë të automjetit të tij taksi me targa FR 6541 C. Bllokimi i lëndës narkotike u realizua në momentet që Grembi po tentonte të kalonte në pikëkalimin kufitar të Kakavijës. Droga u gjet e fshehur poshtë sediljes së shoferit. Fillimisht hetimet për veprimtarinë e kundërligjshme të këtyre personave kishin filluar nga Prokuroria e Fierit, e cila më pas ia delegoi Prokurorisë për Krimet e Rënda.                 ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›