Vëllezërit sherr me armë për pronën në Ndroq
TIRANE - Një konflikt pronësie në një fshat pak kilometra larg Tiranës, për pak sa nuk ka shkaktuar vëllavrasje dje në Ndroq. Sherri mes vëllezërve Shefki dhe Sami Karaj, që kishte nisur disa muaj më parë, mbrëmjen e së martës ka kaluar përmasat e debatit, duke futur në mes përdorimin e armës. Shefki Karaj, 41 vjeç, pas një debati të ashpër me të vëllain, Sami Karaj, 45 vjeç, është kthyer në shtëpi, ka marrë një automatik dhe e ka kërcënuar se do ta vriste. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, në fshatin Zalt, afër Ndroqit në Tiranë. Sipas burimeve nga policia mësohet se kanë qenë familjarët e vëllezërve Karaj, ata që kanë lajmëruar në Komisariatin Nr.6, për konfliktin që po ndodhte mes tyre. Menjëherë efektivat e policisë janë nisur për në vendin e ngjarjes dhe arritja e tyre në kohë ka mundur të shmangë ngjarjen e rëndë mes vëllezërve. Gjatë kërcënimeve me armë, Shefki Karaj ka qëlluar dy herë në ajër me automatik, por plumbat nuk kanë prekur vëllain e tij, Samiun. Ndërkohë policia ka arrestuar autorin, i cili ka shpjeguar në komisariat edhe shkaqet e konfliktit me të vëllain. Sipas deklarimeve të tij në polici, mësohet se prona për të cilën vëllezërit kishin pasur vazhdimisht debate, ishte një rrugë që ndante banesat e tyre. e.d