Ish-polici: Pashë vrasjen e oficerit në Qafë-Gjashtë
Armand Bajrami
Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje në procesin kundër 10 të pandehurve për masakrën e Qafë-Gjashtës, deklarimet e Alush Isufit, ish-efektiv policie në Sarandë. Dëshmitari tha në gjyq se ishte parë makinën e djegur të policisë dhe trupin tërësisht të karbonizuar të ish-oficerit Gjergji Mehmeti pak orë pas ngjarjes së 4 marsit 1997 në zonën e Qafë Gjashtës në Sarandë. Në seancën e djeshme tek Krimet e Rënda në ngarkim të 10 personave të akuzuar si autorë të kësaj ngjarjeje u dëgjua dëshmia e Alush Isufit. Ai solli përpara togave të zeza përshkrimin e skenave dhe ngjarjeve që kishte parë pak çaste pas përplasjes së katër policëve me grupin e njerëzve të armatosur në vendin e quajtur Qafë Gjashtë, ku u vra dhe u dogj oficeri i policisë Gjergj Mehmeti dhe u mbajt peng e u torturua kolegu i tij Eduart Aliaj. Si një ish-punonjës policie deri në vitin 1991, dëshmitari Isufi tha se kishte njohje me personale më tre prej katër policëve që ranë në pritën e grupit të personave të armatosur në zonën e Qafë Gjashtë. Ish-polici Isufi sqaroi se kishte qenë në qendër të Sarandës, kur kishte mësuar se ishte vrarë dhe djegur Gjergji Mehmeti. "Ngaqë e njihja Gjergji Mehmetin, ika në këmbë deri në Qafë Gjashtë. Vajta deri tek makina dhe aty pashë Gjergjin të djegur. Trupi i pajetë ishte në sedijen e parë të shoferit", tha Isufi. Ndërsa tek një pemë pranë makinës së djegur dëshmitari kishte parë policin Eduart Aliajn të lidhur dhe të keqtrajtuar. Gjithashtu dje u lexuan në seancë deklarimet e dhëna nga Ismail Reka dhe Zaho Lapa. Ata ishin pyetur më parë në prokurori, ndërsa pala e akuzës lexoi deklarimet e tyre për shkak se dy dëshmitarët nuk jetojnë më. Rrahja dhe keqtrajtimi i Aliajt u përmend dje edhe gjatë leximit të deklarimet të dhëna disa vjet më parë, nga Zaho Lapa, babai i një prej të pandehurve. "Pashë që ishte lidhur një person që ishte rrahur dhe bërë gjithë gjak", thuhej në deklarim. Sipas tij, polici i mbajtur peng, Eduart Aliaj ishte marrë dhe dërguar në spitalin e Sarandës ku më pas turma e armatosur e kishte detyruar të dilte në shesh dhe të pranonte se Ministria e Brendshme e kishte dërguar në qytetin jugor për të ushtruar terror. Në procesverbalin e thënieve të dëshmitarit përshkruhej qartë se disa ditë më vonë Eduart Aliajn e kishin marrë disa djem nga Vlora, të cilët arritën ta largojnë nga Saranda duke i shpëtuar jetën nga keqtrajtimet dhe dhuna e vazhdueshme. Gjithashtu, në rrëfimin e tij dëshmitari kishte përmendur se kishte parë ditën e ngjarjes në Qafë Gjashtë një pjesë të mirë të së pandehurve që ndodhen në sallën e gjyqit.