E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: 36 vjet burg për 3 gjermanët me 40 kg heroinë

Vendimi

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot dënimet për autorët që u kapën me lëndë narkotike të tipit heroinë në fillim të Majit të vitit të kaluar në pikën kufitare të Kakavijës. Krimet e Rënda kanë dhënë dënimet për tre shtetasit gjermanë të arrestuar si dhe për njërin prej ortakëve të një lokali luksoz në Fier, i cili mendohet se është njëri prej organizatorëve kryesorë të trafikut. Përkatësisht dënimet e dhëna nga gjykata e Krimeve të Rënda janë shtetasi gjerman, Daniel Englert, është dënuar me 14 vjet heqje lirie, shtetasi tjetër gjerman, Franz Kiacsek, me 11 vjet heqje lirie dhe shtetasja tjetër gjermane, Regina Kiacesk, me 11 vjet heqje lirie. Ndërkohë, Albert Pëllumbaj, njëri prej pronarëve të lokalit në Fier u dënua me 13 vjet heqje lirie. Gjykata dënoi katër shtetasit e sipërpërmendur nën akuzat e trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim. Në fillim të majit në pikën kufitare të Kakavijës, policia arrestoi tre shtetas gjermanë dhe dy shqiptarë, pasi organizuan dhe tentuan të kalojnë nga Shqipëria në Greqi 40 kg heroinë në rrugë ilegale. Dy shtetasit gjermanë Franc dhe Rexhina Kiacek kryenin detyrën e transportuesve. Shtetasi i tretë gjerman, Daniel Hengel, i cili mendohet se është organizatori dhe blerësi i drogës në Fier, u arrestua në të njëjtën ditë brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit teksa po tentonte të largohej në drejtim të Gjermanisë. Ndërsa, dy shqiptarët fierakë, të arrestuar në banesat e tyre mendohet se janë organizatorët dhe pronarët e mallit që po tentohej të kalohej në Greqi dhe më pas në Gjermani. Ndërkohë, dosja e shqiptarit tjetër, Zaim Tafa, vazhdon të shqyrtohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›