E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në korrik, rritje pagash dhe pensionesh

Berisha “injoron” krizën ekonomike. Gara për Tiranën? Uroj të kandidojë Rama

Pensionet dhe rrogat e qytetarëve shqiptarë do të rriten në fillimin e muajit korrik. Ky ishte premtimi që lëshoi dje Kryeministri Berisha në një intervistë televizive në emisionin “Studio e Hapur” në “Tv Alsat”. Pavarësisht krizës ekonomike që po vijon të japë efektet negative në financat botërore dhe ato shqiptare, Kryeministri Berisha deklaroi se ai do t’i përmbahej premtimit të tij të bërë pesë vjet më parë për rritjen e pagave dhe pensioneve në çdo vit. Në bisedën e tij televizive, Berisha theksoi se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, po bën çdo përpjekje për t’i “futur shkopinj nën rrota” rrugës së integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe procesit të liberalizimit të vizave. Duke folur në lidhje me vizitën e tij dyditore në Bruksel, ku dorëzoi edhe pyetësorin e Komisionit Europian, Kryeministri theksoi se ndonëse përpjekjeve të kryetarit të PS-së për ta ndalur integrimin, Shqipëria po shkonte e sigurt në rrugën drejt Europës. Po kështu, Berisha foli edhe për raportet negative që dërgoheshin nga opozita në Bruksel, të cilat sipas tij nuk përfilleshin nga krerët e Bashkimit Europian. “Rama po bën çdo përpjekje që ka në dorë kundër proceseve të integrimit, duke u vendosur shkopinj nën rrota këtyre proceseve. Por të jetë i sigurt se nuk ka për të pasur sukses. Ai u injorua kur pak vite më parë kuptoi se bilbilat dhe trumbetat nuk patën asnjë ndikim tek integrimi”, deklaroi Berisha, duke shtuar se Shqipëria po ecën në kursin e saj normal të integrimit. Berisha akuzoi edhe deputetët e opozitës se ata në mënyrë të verbër u binden urdhrave qesharake të Edi Ramës. “Një ekstraparlamentar i rreshtoi ata si torra, si ushtarë, me maska apo ferexhe të mbuluar. Këtë mund ta quaj një zgjedhje tragjike komike”, u shpreh Berisha në lidhje me protestën e opozitës për fjalën e lirë. Në bisedën televizive, Berisha foli edhe për takimin që ai zhvilloi në Vjenë pak ditë më parë me ish-kryeministrin Fatos Nano. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë nuk i kurseu as komplimentet për ish-drejtuesin e PS-së, duke e quajtur Nanon një person që kishte zhvilluar shkëputje epokale brenda PS-së. Por nga ana tjetër, Kryeministri deklaroi se në asnjë moment mes tij dhe ish-kryeministrit Nano, nuk ishte folur për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të vendit dhe për ato që ai i konsideroi si vendime partiake dhe të vetë ish-kryeministrit Fatos Nano. Kryeministri Berisha foli edhe për kandidaturën e PD-së në Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Sipas tij, PD ka emra të shumtë dhe personalitete të shquara në radhët e partisë, duke ju dhënë qytetarëve të Tiranës dhe një program konkret dhe kandidat potencial. Madje, në lidhje me këtë betejë, Kryeministri theksoi se ai uronte që përballë kandidatit demokrat të qëndronte kryetari aktual i PS-së, Edi Rama. Nga ana tij, Berisha u shpreh i sigurt se në bashkëpunim me LSI-në, PD do ta fitonte Bashkinë e Tiranës. Në lidhje me qeverinë që drejton Kryeministri theksoi se aktualisht ai nuk gjen asnjë arsye për të cilin të bëjë ndryshime në kabinetin e tij. Berisha foli edhe për situatën brenda PD-së, duke theksuar se kjo parti është tepër e hapur dhe se njerëzit në drejtimin e saj janë të zgjedhur në bazë të meritave vetjake.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›