E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesa e listave, deputetët në ankth, braktisin zonat elektorale

11/05/2009  Çfarë ndodh në dy kampet e politikës shqiptare në pritje të nxjerrjes së listave nga Rama e Berisha

Të pasigurtët nisin negociatat me partitë e treta që pretendojnë vende në Kuvend

Vonesa e nxjerrjes së listave të kandidatëve për deputetë në të gjitha qarqet e vendit ka shkaktuar amulli, ankth dhe braktisje të zonave nga deputetët e të dy krahëve të politikës shqiptare, sidomos te PD-ja e PS-ja. Deputetët aktualë presin me ankth nxjerrjen e listave, ndërsa shumë prej tyre janë të detyruar të shohin se çdo ditë në faqet e gazetave emra të rinj dalin si të preferuarit e kryetarëve. Akoma më keq është gjendja në bazë, ku shumë militantë, të mësuar me deputetët e tyre, ende nuk janë sqaruar se deputeti i tyre mund të mos jetë më në atë qark, por është në varësi të dëshirës së kryetarit. Kjo ka bërë që shumë prej deputetëve që nuk e ndiejnë veten të sigurt të fillojnë negociata informale me partitë e treta, me shpresën se do të mund të zënë një vend në kuvendin e ardhshëm.

PD-ja

Situata në PD tashmë dihet. Fushata është marrë në dorë nga kryeministri dhe të paktë janë ata që e kanë të sigurt kandidimin në krye të listës, çka do të thotë një garanci për mandatin e ardhshëm. Askush prej deputetëve nuk është autorizuar të dalë në bazë dhe baza ndihet paksa e braktisur. Burime nga grupi parlamentar i PD-së shprehen se të gjithë atyre s’u ka mbetur gjë tjetër vetëm të shpresojnë dhe të lexojnë shtypin e ditës, me shpresën se do marrin ndonjë informacion nga mediet. Nga ana tjetër, të njëjtat burime shprehen se kryetari i PD-së e ka të qartë se cilët do jenë të preferuarit e tij për katërvjeçarin e ardhshëm dhe cilët duhet të lënë karrierën parlamentare, por kjo mbetet enigmë. Ajo çka është e sigurt deri tani është se anëtarët e kryesisë do të jenë të parët në lista në të 12 qarqet, ndërsa për të tjerët duhet të vazhdojë lufta e bërrylave, luftë e cila në kohë fushate kthehet në një makth të vërtetë. Në rast se herët e kaluara deputetët kishin në dorë një armë të fortë: mbështetjen e bazës, këtë herë duhet të jenë pjesë e klaneve, dhe kjo s’është fort e lehtë. Të njëjtat burime shprehen se kryeministri po vonon enkas listat për të shmangur ndonjë rrjedhje vote në bazë. Sa për bashkim me koalicionin “Polin e Lirisë”, i dalë së fundi, askujt prej deputetëve aktualë s’i shkon ndër mend të nisë negociatat, pasi përvoja e 2005-s me ata që “tradhtuan” do mbahet mend gjatë. Gjithsesi, derisa të ndodhë kjo, Berisha do të vazhdojë ta drejtojë vetë fushatën, pa pasur nevojën e emrave që e mbështetën deri më tani, një privilegj që ia jep kodi i ndryshuar zgjedhor.

PS-ja

Por ankthi është akoma më i madh në kampin socialist, ku deputetët aktualë nuk dinë ku ta vendosin veten. Dalja në skenë e një sërë emrash të rinj, si Eduart Shalësi apo Ledi Shamku, të sjellë në parti nga vetë kryetari Rama, është një kërcënim serioz për ta. Burime nga kjo parti shprehen të pasigurt për atë çka do të ndodhë, ku shumë prej deputetëve kanë nisur negociatat me LSI-në e Ilir Metës për të pasur emrin në krye të listës, por vetë LSI-ja u përfshi në një amulli kur filloi të publikonte emrat që do të kryesonin listat në disa qarqe të vendit. Shumë prej deputetëve socialistë nuk u mbetet gjë tjetër vetëm të presin shpalljen e listës si dhe ofertën e Metës, por edhe nga ana e tij kryetari Rama duket se s’ka ndër mend të nxjerrë lista deputetësh pa u afruar limitet që përcakton ligji. Dhe jo vetëm kaq, por nuk përjashtohet mundësia që kryetari i PS-së t’i mbajë me shpresë të dëshpëruarit se vendi i tyre do ngjitet disa numra më lart, aty ku është dhe kufiri që mund të fitojnë një mandat, një shpresë e cila mund të rezultojë fatale për ta, sepse në një çast të caktuar mund të humbasin dhe ofertën e Metës. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që karriera e shumë prej atyre që kanë 18 vjet në politikë të marrë fund, për t’ia lënë vendin “politikës së re”, që do të përfaqësohet nga të preferuarit e Ramës.

PD-ja

Partia Demokratike është në fazën e përpilimit të listave të kandidatëve për deputetë. Mësohet se anëtarët e kryesisë së përgjithshme janë ose në krye të listës në të gjitha qarqet, ose në vendet e para të qyteteve të mëdha. Lista me emrat e kandidatëve për deputetë që do t’i përcillet kryesisë së PD-së, do të kalojë përmes një analize të imët si dhe në bazë të vlerësimeve për secilin qark, duke marrë në konsideratë mbështetjen që partia gëzon atje. Megjithatë, në këto lista pritet të shihen disa surpriza, kur persona të caktuar do të mund të renditen nga fundi i listave, duke sjellë këtu një pasiguri të skajshme që ata të rizgjidhen sërish si deputetë. Ndërkohë në datën 23 të këtij muaji PD-ja do të thërrasë kongresin jozgjedhor, ku pritet të miratohet edhe lista përfundimtare e kandidatëve për deputetë të ardhshëm për 12 qarqet e vendit, për të shmangur kështu konfliktet e brendshme.

PS-ja

Një nga kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë i miratuar në mbledhjen e Asamblesë Kombëtarë të PS-së përcakton qartë se “nuk mund të propozohen nga strukturat e partisë si kandidatë të listës së kandidatëve për deputetë deputetët aktualë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste”. Po kështu, po sipas pas një kriteri tjetër, si rregull nuk mund të jenë kandidatë për deputetë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore që janë përfaqësues të Partisë Socialiste”.

Reagimi i PD-së

Rama dëshmon se nuk ka asnjë alternativë

Partia Demokratike vlerëson si shpifje dhe trillime mediatike e-mail-et e botuara, të cilat dëshmojnë një veprimtari në përputhje të plotë me ligjet e vendit të studios ligjore të vajzës së Kryeministrit Sali Berisha. Zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli tha se kryetari i PS-së Edi Rama po dëshmon se nuk ka asnjë alternativë tjetër për t’u ofruar shqiptarëve përveç skupeve dhe trillimeve mediatike, siç ishte ajo e vjedhjes së shpikur të orës së ish-presidentit Bush, shpalljes së Kosta Trebickës si të ekzekutuar nga shteti, akuzave politike të rrugës Durrës–Kukës apo akuzave ndaj biznesmenit Damir Fazlliç, apo siç ishin ato më të fundit të shitjes së ujërave territoriale të vendit. “Rama me sulmet familjare ndaj Kryeministrit përpiqet thjesht të mbulojë me lakuriqësinë e tij firmat e ekzekutimit politik të njerëzve e intelektualëve të pafajshëm nga i ati e daja e tij, anëtarë të Presidiumit e të Byrosë Politike. Të mbulojë dhënien e 30 lejeve të ndërtimit Delijorgjit dhe pushimet e kaluar në Kretë me të”, - tha Mëhilli. Ajo tha se Rama foli dje përmes Erion Braçes, i faktuar si asistent i Dondollakut, por edhe korrier i drogës jo vetëm i tij, por edhe i Kadriovskit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›