E Diel, 1 Nëntor 2026

Selman Riza Selman Riza, shkencëtari dhe atdhetari

Sot mbushen njëzet vjet nga vdekja
e Selman Rizës, njërit prej sh
kencëtarëve më në zë në lëmin e
gjuhësisë shqiptare, njëherazi
njërit prej luftëtarëve më konsekuentë
kundër sistemeve diktatoriale të kohës së
vet dhe të përpjekjeve të pandërprera të
popullit të Kosovës për flakjen e zgjedhës
serbe.
Selman Riza lindi më 25.12.1909 në qytetin
e Gjakovës në Kosovë, një qytet me
tradita të shquara atdhetare qysh gjatë
Rilindjes sonë Kombëtare. Pasi Kosova u
shkëput dhunshëm nga trungu amtar në
vitin 1913, me vendim të Konferencës së
Ambasadorëve në Londër, edhe Gjakova i
kaloi Serbisë. E gjithë popullsia e Kosovës
iu kundërvu, madje në mënyrë të organizuar,
me të gjitha energjitë e veta zgjedhës
së re serbe, e cila më fort se nënshtrimin,
kërkonte shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët.
Për këtë, Serbia ndërmori fushata
të njëpasnjëshme, të cilat synonin
shpërnguljen e shqiptarëve të atjeshëm në
zonat e brendshme të Shqipërisë e edhe
më keq në Turqi, duke shfrytëzuar petkun
fetar mysliman të kosovarëve. Shovinistët
serbë nuk lanë mënyrë e mjet pa provuar
për sllavizimin e Kosovës, që nga vrasjet,
djegiet, plaçkitjet, dhunimet e
përdhunimet e deri edhe sterilizimin e
popullatës së atjeshme shqiptare.
Të gjitha këto ngjarje dhe këto reprezalje,
por edhe atë qëndresë heroike të
masave popullore ndaj tyre, Selman Riza,
ndonëse ende fëmijë i parritur, i përjetoi
edhe në familjen dhe farefisin e vet. Ato
lanë mbresa të pashlyeshme edhe në
formimin e tij të mëvonshëm si një atdhetar
i papërkulshëm dhe veprimtar shoqëror.
E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto,
qysh në moshë fare të njomë ai humbet
edhe të atin, duke mbetur, veç dhembjes,
në vështirësi të mëdha ekonomike, përballuar
kryesisht me punën e duarve të së
ëmës në avlimend. Shkollën fillore e nis në
qytetin e lindjes. Aty njeh dhe adhuron
Ibrahim Femiun, mësuesin e Mësonjëtores
së Gjakovës, të cilit vite më vonë do t‘i kushtojë
një nga monografitë e veta, duke e
quajtur "pedagog i lindur dhe apostull
mëmëdhetar, i cili bashkë me abecenë më
mësoi edhe elementet e shqiptarisë". Duke e
ndier, edhe pse fëmijë, se një formim të
shëndoshë për t‘u vënë si duhet në shërbim
të çlirimit dhe përparimit të Kosovës
shqiptare ai mund ta merrte vetëm në Shqipërinë
e lirë e jo në shkollat serbe, shumë
shpejt, në moshën 13-vjeçare, do të kalojë
fshehurazi kufirin shqiptaro-jugosllav dhe
bashkë me një grup fëmijësh të tjerë gjakovarë
do të vijë në Tiranë. Aty kishte një
strehë për të gjithë djemtë e maleve. Kjo
ishte shkolla plotore "Naim Frashëri" me
konviktin e saj. Ajo numëronte atëherë
rreth 130 nxënës, të gjithë me bursë shteti.
Midis edukatorëve kosovarë të asaj shkolle,
Selman Riza dallon sidomos Sadi Pejanin,
të cilit do t‘i kushtojë gjithashtu një
monografi të vetën, ku e quan "prefektit
t‘im…pionierit n‘arsimin t‘anë filluer t‘idesë
pedagogjike moderne me frymëzue vegjelinë
me shijen e jetës në natyrë dhe me dashtuninë
e punës së krahut". Në këtë shkollë Selman
Riza do të kryejë çdo vit nga dy klasa,
duke e përfunduar atë me rezultate të shkëlqyera
brenda tre vjetëve e duke u cilësuar
nxënësi më i mirë i shkollës.
Për emrin e madh që kishte si shkolla
më e mirë e vendit, Selman Riza ëndërronte
të vijonte mësimet në Liceun Kombëtar
të Korçës dhe me këmbënguljen që e karakterizonte,
ia arriti qëllimit. Komisioni
francez i Liceut, i cili i përzgjidhte vetë
nxënësit që pranonte, e renditi në krye të
listës. Edhe në këtë shkollë ai do të jetë me
bursë shteti (1925-1931).
Edhe në Liceun Kombëtar të Korçës Selman
Riza do të shkëlqejë si nxënësi më
sistematik e më këmbëngulës, me një vullnet
të jashtëzakonshëm që nuk linte
minutën t‘i shkonte kot. Shprehja popullore
"koha është flori" kishte gjetur te Selman
Riza pa asnjë mëdyshje mishërimin e
saj më të plotë. Jo vetëm në klasë, por edhe
në oborrin e Liceut Selman Rizën e shikonin
të vetmuar qysh në agun e dritës, duke
lexuar a duke përsëritur me zë të lartë.
Me një përkushtim të tillë ai i përfundoi
me rezultate të shkëlqyera në gjashtë vjet
të nëntë vjetët e Liceut. Vlerësimet për të
në çdo tremujor dhe vit ishin: "Nxënës
shumë i mirë në çdo pikëpamje", "Nxënës me
ngulm të fortë për punë", "Nxënës i shkëlqyer,
vetëm mund ta përgëzosh", "Nxënës i shkëlqyer,
siç ka qenë gjithmonë". Dhe jo vetëm trupa
mësimore e Liceut, por nuk ka ish-bashkënxënës
të Liceut të Korçës që të mos e
ketë këtë vlerësim për Selman Rizën. Kjo
flet për mobilizimin e tij tërësor për mësimin
dhe vetëm për mësimin. Ai nuk kishte
asnjë kundërshtar çikërrimash, si ndodh
rëndom në atë moshë. Përkundrazi, Selman
Riza do të dallohej jo vetëm për arritjet
e tij të shkëlqyera në mësime, por edhe
për sjelljen dhe edukatën e tij shembullore,
për dashurinë e tij të çiltër ndaj shokëve.
Por Selman Riza kishte ikur nga Kosova
me një premtim, me një peng që e kishte
marrë me vete si shqetësim të përjetshëm:
Të mos e harronte kurrë Kosovën, të mos i
harronte kurrë hallet dhe brengat e saj, të
punonte me të gjitha energjitë e veta fizike
dhe mendore për të. Për këtë flet edhe shkrimi
që botohet këtu poshtë qysh kur ai
ishte ende nxënës në bankat e Liceut,
kundër prirjeve të disa pseudointelektualëve
të kohës, të cilët, larg brengave dhe
realitetit kosovar, nuk e shikonin aspak me
shqetësim zbrazjen e Kosovës nga popullsia
shqiptare dhe shpërnguljen e saj në
Shqipëri e sidomos në Turqi, por përkundrazi
predikonin rishëndetësimin e marrëdhënieve
jugosllavo-shqiptare, në emër
gjoja të solidaritetit ndërballkanik dhe
vetëpërmbajtje se mos po na zemërohej
serbi(!). Siç shprehet vetë Selman Riza më
vonë, për veten e vet "qysh atëherë problemin
kombëtar ndërballkanik të Kosovës e bëra
prokupimin politik (jo numër një, por) të
vetëm të krejt jetës sime".
Pasi përfundoi Liceun e Korçës me rezultate
të shkëlqyera, duke u diplomuar në
matematikë, Selman Riza dëshironte të vijonte
studimet e larta universitare. Drejtori
teknik francez i Liceut i shkruan ministrit
shqiptar të Arsimit të asaj kohe për të: "Selman
Riza është një i ri jashtëzakonisht i talentuar,
shumë serioz, i cili do të mundë me të
njëjtën lehtësi tëkryejë çdo degë të studimeve
universitare dhe unë nuk dyshoj që ai të mos
i bëjë më vonë nder atdheut të tij me emrin e
vet". Kështu, ai do të fitojë të drejtën për të
vijuar studimet e larta në Tuluz të Francës,
prej nga u kthye i pajisur me një formim të
shëndoshë universitar, me dije dhe kulturë
të gjerë e me një botëkuptim demokratik,
me dy diploma: një për drejtësi dhe një për
gjuhë-letërsi. Megjithëse iu ofrua punë në
Kryeministri, ai nuk pranoi, por shkoi dhe
u bë koleg me ish-mësuesit e tij të shquar,
si drejtorin francez Ksavie dë Kurvil, mësuesit
Leon Perre, Baji-Komte etj., si edhe
me shqiptarët Sotir Paparisto, Kostaq Cipo
etj. Ai e njihte mirë etjen e madhe të rinisë
shqiptare për dije dhe kulturë demokratike,
për një edukatë të re. Dhe Selman Riza
do të emërohet në tetor të vitit 1935 mësues
në Liceun e Korçës, në atë lice ku kishte bërë
emër si njëri nga nxënësit më të aftë dhe
më të zellshëm, në mos më i afti dhe më i
zellshmi. Ai do të japë atje frëngjisht, shqip,
latinisht e gjermanisht. Edhe në cilësinë
e mësuesit Selman Rizën do ta karakterizonte
thjeshtësia, korrektësia, kultura
e gjerë dhe logjika e hekurt. Ai i kushtonte
një vëmendje të posaçme atij me të cilin
bisedonte, duke e shikuar drejt e në sy;
kishte një qartësi të pazakontë mendimi
dhe formulimi, një forcë të madhe bindëse
dhe një durim të pashoq në punë. Gjithë
duke njohur mirë një numër gjuhësh, si
frëngjishten, gjermanishten, italishten,
serbokroatishten, latinishten e greqishten
e vjetër, kur e pyesnin, ai përgjigjej me
modesti se njihte shqipen dhe frëngjishten.
Për gjëra që nuk i dinte, Selman Riza nuk
ndiente kurrfarë turpi të pyeste edhe
nxënësit e vet, madje i nxiste ata jo vetëm
të mos kishin druajtje, por përkundrazi t‘i
shprehnin lirisht pikëpamjet e veta.
Por duke u interesuar pa masë për t‘u
dhënë dije dhe edukatë të shëndoshë, Selman
Riza nuk do ta harrojë kurrën e kurrës
kryesoren: edukimin e nxënësve të vet me
ndjenja të larta e të pastra për Atdheun. Ai
nuk do të reshte asnjëherë së propaganduari
pikëpamjet e veta demokratike, nuk
do ta pushonte asnjëherë luftën kundër
synimeve pushtuese e aneksuese të Italisë
fashiste ndaj Shqipërisë. Atë do ta gjeje
gjithmonë e kudo bashkë me nxënësit e tij,
në krye të demonstratave demaskuese
kundër bashkimit të Shqipërisë në një
mbretëri me Italinë fashiste. E pikërisht për
këto pikëpamje dhe për këtë luftë të pakompromis
kundër pushtuesve italianë, ai do
të arrestohet dhe do të internohet në Ventotene
të Italisë.
I kthyer më në fund nga internimi, ai
nuk pranon ta marrë shpërblimin për internimin
e as të punësohet nga Italia fashiste.
Përkundrazi do të shkojë të punojë si
sekretar në një firmë private në Durrës.
Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore,
Selman Riza do të riburgoset, këtë herë nga
diktatura komuniste me kërkesën e autoriteteve
jugosllave, pasi gjatë luftës kishte
zhvilluar aktivitet si njëri ndër
udhëheqësit më të spikatur të Lëvizjes Antifashiste
Irredentiste në Kosovë. Pasi u
mbajt gati dy vjet e ca i pagjykuar, i padënuar
në burgjet shqiptare, siç del nga një
raport tashmë i botuar në shtypin shqiptar,
hartuar nga ish-ministri i Punëve të
Brendshme të Shqipërisë, Kadri Hazbiu,
dërguar Enver Hoxhës në vitin 1955, Selman
Riza u deportua dhe iu dorëzua autoriteteve
jugosllave në vitin 1947. Edhe në
burgjet jugosllave ai qëndroi i pagjykuar, i
padënuar, deri në vitin 1951, kur u sëmur
nga skorbuti dhe u nxor e u dërgua sa më
larg shqiptarëve të Kosovës në Sarajevë, ku
dha mësim gjuhë frënge. Pak më vonë
punoi edhe në Prishtinë ku, sipas kumtesës
së prof. Sadri Fetihut me rastin e 50-vjetorit
të themelimit të Institutit Albanologjik të
Prishtinës, Selman Riza bëri një punë të
jashtëzakonshme për themelimin dhe organizimin
e punës së këtij instituti.
Me ndërrimin koniunktural të klimës
politike, më 1955-ën, Selman Rizën e
përzënë nga Kosova me argumentin se nuk
pranon shtetësinë jugosllave, e madje nuk
merr pjesë as në mbledhjet e punës së atyre
autoriteteve, duke i quajtur ato punë të
një shteti të huaj. Kështu e kthejnë në Shqipëri
dhe vjen në Tiranë. Menjëherë pas
raportit të lartpërmendur të ministrit Kadri
Hazbiu, ku thuhet fare hapur, "Selman Riza
të cilin ne ua dorëzuam vetë
jugosllavëve…", ai emërohet në Institutin
e Gjuhësisë dhe të Historisë, në sektorin e
gramatikës, ku punoi për njëmbëdhjetë
vjet rresht. Janë të vetmet vite pune të
vërteta e të qeta kërkimore, ku Selman Riza
do të shpalosë formimin e tij filologjik dhe
aftësitë e tij të mëdha shkencore. Ai do të
hartojë aty një numër studimesh
monografike për mbarë strukturën e gjuhës
shqipe në të dy planet - të sotëm dhe
historik. Me monografitë e veta për emrat,
përemrat, nyjat dhe foljet, me studimet e
tij të thelluara për gjuhën e autorëve tanë
të vjetër, Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani e
Matrënga, ai dëshmohet si një njohës dhe
studiues i përkushtuar i gjuhës shqipe.
Këto studime i përshkon një thellësi dhe
aftësi e pazakonshme depërtuese dhe një
dashuri e madhe për gjuhën shqipe, këtë
thesar të kulturës sonë kombëtare. Ato
shënojnë arritje shumëplanëshe, qortojnë
një numër tezash e hipotezash të
hedhura përpara tij nga studiues të ndryshëm
dhe shtrojnë një numër jo të vogël
tezash të reja vetjake, të argumentuara
me një logjikë të pakundërshtueshme.
Edhe pse i paduruar e madje i
padëshirueshëm për qëndrimet e tij
jokonformiste, puna e tij bëri që ai të laureohet me Çmimin e dytë të Republikës. E
gjithë vepra e Selman Rizës është botuar
e plotë, në 4 vëllime më të mëdha në Kosovë.
Me fillimin e të ashtuquajturit "Revolucion
kultural" kinez, jehona e të cilit u
ndie, siç dihet, edhe në vendin tonë, për
shkak të një fletërrufeje që ai bëri për
mirorganizimin e punës në Institut dhe
për përshpejtimin e përgatitjes së "Fjalorit
të Gjuhës së Sotme Shqipe", kundër tij
shpërtheu një fushatë e tërë fyese e denigruese
dhe nën petkun e qarkullimit u
internua në Berat, ku punoi si ciceron i
muzeut të atij qyteti, derisa doli në pension,
më 1968.
Selman Riza vdiq në vitin 1988, i lënë në
heshtje dhe i harruar nga diktatura komuniste,
e cila kishte porositur të mos kishte
as fjalë lamtumire në varrim, as njoftim në
shtyp për vdekjen e tij. Por ai vdiq i ngushëlluar
nga puna e vet e pandërprerë dhe
nga postulati i tij jetësor: "Kush punon për
Atdhe, nuk duhet të kërkojë shpërblim", edhe
pse kjo nuk përligj mosmirënjohjen, e cila
fatkeqësisht, sidomos në Shqipëri, ka
ndodhur shpesh. Vetëm një amanet i Selman
Rizës ka mbetur edhe sot e gjithë ditën
ende i paplotësuar:
"Mbetjet e një jete të truar, pa dallim gjithë
bashkëkombasve të mi, dëshironj të më prehen
atje ku kam lindur: në Kosovën shqiptare"

SERBËT DHE
KOSOVARËT

ZOTI DREJTOR,
Kam shpresë të madhe se "Shqipëria e Re" e cila, qysh prej krijimit të saj, me një
qëndresë të palodhur dhe një bujari të pashoqe, i është kushtuar përkrahjes së
Kosovës së robëruar, nuk ka për të munguar t‘i botojë këto vërejtje si përgjigje të
artikullit "Bashkimi i Ballkanasve" të Pater Leon Ashikut.
Atë i ndritshëm,
Lexova me vëmendje sa shkruanit mbi "Bashkimin e Ballkanasve" në numrin
434 të kësaj flete kombëtare.
Pse në fushatën tuaj pacifiste cenoni, në më se një pikë, interesat e kosovarëve
në veçanti dhe të shqiptarëve në përgjithësi, pse në fushatën tuaj disfatiste
i shmangeni, në më se një pikë së vërtetës, po lejohem t‘ju them dy
fjalë:
Jam munduar ta komentoj paragraf për paragraf artikullin tuaj të gjatë, me
qëllim që lexuesit e ndershëm të kenë mundësi të ballafaqojnë më lehtë çfarë
pohoni ju me atë që mohoj unë, dhe anasjelltas.
Atë i ndritshëm,
Ju bekoni hapat e bukur, të bërë prej qeverisë greke rreth çështjes së pasurive
të çamëve, por harroni të mallkoni shpronësimet e kosovarëve në të
mirë të malazezve. Theksoni qëndrimin paqedashës dhe miqësor të Jugosllavisë
ndaj Bullgarisë, por harroni të shënoni se qëndrimi i shovinizmit serb ndaj
Shqipërisë së lirë ka qenë, deri sot, tjetër.
Ju kërkoni t‘i justifikoni mizoritë e sllavit dhe mjerimet e kosovarit, së pari
duke numëruar, me këmbëngulje, vuajtjet dhe sakrificat e Serbisë gjatë Luftës
Botërore, së dyti, duke asimiluar, me një anësi fajësuese, masat drakonike për
hir të vetësigurimit me masat terroriste për hir të serbizimit, së treti, duke bërë
aluzione mbi gabimet e gjynahet e qeverive shqiptare kundër atmesë e kombit
të vet. Unë besoj se Serbia, për humbjet e saj në Luftën e madhe, ka
pasur shpërblimin e plotë dhe të tepruar, me krijimin e Jugosllavisë heterogjene
dhe heteroklite. Unë besoj se as e drejta e Zotit, as logjika e Aristotelit
nuk thonë që kosovari të lajë gjakun e serbit vrarë prej tedeskut. Gabimi juaj,
Atë i dashur, i afrohet fajit, sepse është një gabim dëmtues.
Mësojeni, Atë i dashur, në mos e ditshi, se në gojën e një shqiptari të paditur,
qoftë i lirë, qoftë i robëruar, fjalët "jam turk" duan të thonë "jam mysliman".
Kanë pra kuptim feje dhe jo kombësie.
Atë i dashur, që mohoni aq kategorikisht shqiptarizmin kosovar, paskeni
harruar se vite me radhë flamuri arbnor valoi atje krahas flamurit austriak,
paskeni harruar se vite me radhë mësonjëtoret arbnore lulëzuan atje, mbushur
cipë mbi cipë me djelmoshat e atyre të cilët, prej injorance, por jo prej antipatriotizmi,
thonë ende sot: "jam turk".
Pse, vallë ushtria serbe e shkeli Kosovën mbas ushtrisë aleate frënge? Në
mos sepse e dinte që "populli i Kosovës ishte i zgjuar në shpirtin e nacionalizmit
shqiptar", në mos sepse druante, me të drejtë, që përndryshe Kosova
arbnore do t‘ia kthente pushkën si shtatë vjet më parë?
Ankoheni, me shumë arsye, për përfaqësuesit e Kosovës. Vetëm harroni se
kur pohoni që Kosova është e përfaqësuar, ngërdhesheni me një zonjë dikur
të rëndë, të bukur, të begatshme, sot të lotuar, të përgjakur.
Kur nuk e dini se si bëhen zgjedhjet parlamentare në Kosovë, si keni guximin
ta peshoni shqiptarizmin kosovar në bazë të disa individëve turkoshakë
dyfishuar me zyrtarë serbë?
Ju predikoni, me parabole evangjelizme, emigrimin e kosovarëve! Atë i ndritshëm,
mision i naltë kombësie, ky juaji, apostullim i naltë drejtësie dhe
mëshire, ky i juaji.
Le të më lejojë Dantja t‘ua përmend kosovarëve një varg të tij me një fjalëz
të ndryshuar:
Lasciate ogni speranza, voi ch‘ uscite.
Ju barabitni Shqipërinë e Lirë me një kullë dhe Shqipërinë e robëruar me
një kasolle. Kullë e kasolle! - Mollë e dardhë...e egër! Mirë, Atë i dashur, por as
opinioni publik panshqiptar, as e vërteta nuk janë me ju - "Të huajt na grabitën
pjesën më të madhe, tokat më gratçore, qytetet më të bukura!" - çirret së
thëni bota arbnore.
Unë besoj se terrorizmi sistematik stërngutshëm (serbisation galopante)
është me padrejtësitë tek-tuke, pik-çoke të çdo qeverie, si nata me ditën.
Le të vijmë te biseda juaj me bashkëvendësit e mi:
Pse është "fare e kënaqur" Kosova e mjeruar, ikur poshtë e përpjetë, zhveshur
e zbathur, duke lënë plang e shtëpi; kujtime të ëmbla e fusha të bleruara!
Gjakova u fik dhe u shkim me rob e robi, vetëm e vetëm sepse paguan tamam
aq sa serbët! "Pse kurrkush prej serbëve nuk i prek as në gjë, as në mall; e tërë
Reka e Madhe, bashkë me më të plleshmet fusha të Kosovës po pësojnë më
brutalisht shpronësimet më arbitrare!" Përgjigjet e dhëna në Beograd nga
bozaxhinjtë, sharrëxhinjtë etj., kosovarë, janë, si thonë vëllezërit tanë toskë
gjepura, por gjepura rrence, fyese, poshtëruese aq më tepër kur përsëriten
prej të ndritshmit bashkëpunëtor të At Gjeçovit, dëshmor i ri, plagë e rè!!
Ju pyetni: "A e gjeti Serbia popullin tonë të Kosovës të zgjuar në shpirtin e
nacionalizmës shqiptare?" dhe ju përgjigjeni pa një pa dy, negativisht. Ku
bazoheni vallë? Te prova shkencore, tek argumenti i pakundërshtueshëm,
sepse një kosovar thënka: "Jam turk". "Erare humanum est", por gabimi që
vjen prej injorance, nuk është si gabimi nga mungesa e patriotizmit.
Që, ofshe! shumë shqiptarë kanë gabuar, kanë mëkatuar, është një e
vërtetë e pamohueshme. Por pyje pa derra dhe trandafile pa thera nuk ka as
këtu, as atje. Ju grishni Atë Gjergj Fishtën të derdhë në një blè të posaçëm të
Lahutës, lot gjaku për kobet e mëkatet e disa shqiptarëve myslimanë, pa dyshim
sepse besoni që kështu "do të mbyllni e përthani dhe nuk do të qitni e të
ngucni varre!"
Më një anë na përbetoheni t‘i ruani traditat kalorësiake, më tjetrën na luteni
ta pranojmë parimin makiavelik: "Po s‘e rrafshove, puthe!" Është e ditur se
traditat janë për popullin dhe parimi për qeverinë, mirëpo na, inteligjencia
neo-shqiptare, besojmë se qeveria pasqyron popullin, prandaj në mos kafshofshim,
pickojmë, por të puthim si Juda, nuk puthim.
Ju thoni: "Kingj i butë thithë dy nàna". E vërtetë... kur nànat janë dele. Po
në qofshin...ulkonja?
Sa për këshillat njimend të arta për sjelljen tonë reciproke dhe për veprimin
tonë rilindës, ju falem dhe ju përulem.
NJË DJALË KOSOVAR
SHQIPËRIA E RE (Konstancë, Rumani)
1.10.1930, f. 1
Siç del nga vepra e Palok Dakës, "Fjalor pseudonimesh" 1913-1944, Tiranë,
1998, f. 173, pseudonimi "Një djalë kosovar" është i Selman Rizës, atëherë
nxënës në Liceun e Korçës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›