Vdes njëri nga të plagosurit te “Ali Demi”, identifikohet autori
TIRANE - Njëri nga 3 të rinjtë që mbetën të plagosur mbrëmjen e së dielës në lagjen “Ali Demi” të Tiranës, ka ndërruar jetë dje në orën 04:00 të mëngjesit, në Spitalin Ushtarak. Fatjon Çela nuk ka arritur të mbijetojë, si rezultat i një plage të rëndë thike që kishte marrë në afërsi të zemrës. Policia e kryeqytetit ka identifikuar njëri nga autorët, i cili është Erjon Duda, 27 vjeç, që tashmë është shpallur në kërkim, ndërkohë bashkëpunëtori i tij ende nuk është identifikuar. Mësohet se dy vëllezërit Klodian dhe Taulant Allmuça, 28 dhe 24 vjeç ndodhen jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak. Sipas policisë, gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është përmirësuar aq sa ata të japin dëshmitë e tyre rreth ngjarjes, ku ata mbetën të plagosur dhe shoku i tyre humbi jetën. Burime nga policia bënë të ditur se ngjarja e së dielës ka qenë vazhdim i një konflikti të mëparshëm mes dy grupe të rinjsh, të gjitha nga lagjja “Ali Demi”. Vetëm disa metra larg vendit ku ndodhi ngjarja e dy ditëve më parë, ka ndodhur edhe një konflikt mes të rinjve, ditën e shtunë në një lokal të lagjes. Mësohet se janë shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, për të dhënë deklarimet e tyre rreth ngjarjes, por ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve, edhe pse njëri prej tyre është identifikuar. Hetimet paraprake të policisë flasin për një sherr të momentit mes të rinjve, ku shkak kanë qenë parakalimet me motorë. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, në momentin që mes të rinjve ka nisur sherri, aty janë mbledhur më shumë se 20 djem, të cilët debatonin me tone të forta me njëri-tjetrin. Më pas sherri u pasua nga goditje me grushte dhe thika, ku mbetën të plagosur 3 persona, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në spital. Sipas burimeve nga Komisariati Nr.1 i policisë së Tiranës mësohet se identifikimi i autorëve ka qenë paska i vështirë, për shkak se në momentin e ngjarjes kanë qenë shumë persona të pranishëm dhe asnjë nga dëshmitarët nuk ka qenë në gjendje të identifikojë autorët. Ndërkohë policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha rrugët dhe ka realizuar gjatë gjithë natës kontrolle të imtësishme në rrugë.