Gjykata: Dritan Dajti në spital
Armand Bajrami
Dritan Dajti, ekzekutori i katër punonjësve të policisë, gjatë operacionit për arrestimin e tij në 7 gusht 2009 në Durrës, do të qëndrojë në Spitalin e Burgut. Gjykata për Krimet e Rënda vendosi paraditen e shtunës, referuar gjendjes shëndetësore të Dajtit, që ai të vazhdojë të qëndrojë në Spitalin e Burgut. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se me kërkesë të palëve zhvilluan seancën e zhvilluar në Gjykatën për Krimet e Rënda për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë “arrest më burg” për Dritan Dajtin. Në masa të rrepta sigurie Dajti është transportuar nga Spitali i Burgut, ku ai qëndron aktualisht, për në ambientet e Gjykatës për Krimet e Rënda. Për arsye sigurie, seanca është caktuar në një ditë pushimi, ku gjykata ka qenë “e gjitha për Dajtin”, ndërsa transporti i tij është realizuar në fshehtësi të plotë prej forcave speciale të policisë. Mësohet se qëndrimi i Dajtit në gjykatë, përfshi vajtjen, zhvillimin e seancës dhe largimin ka kushtuar rreth një orë kohë. Nga momenti i vajtjes së Dajtit në gjykatë, zhvillimi i seancës dhe largimi i tij janë dashur rreth një orë kohë. Burime pranë gjykatës bënë të ditur se në seancën e së shtunës, gjykata ka verifikuar nëse Dritan Dajti duhet të vazhdojë të qëndrojë në Spitalin e Burgut, apo do të dërgohet në qelitë e një institucioni paraburgimi. Pasi janë njohur me gjendjen shëndetësore të Dajtit, pas operacionit për nxjerrjen e njërit prej dy plumbave që kishte në trup, gjykata ka vendosur qëndrimin e tij në Spitalin e Burgut. Mësohet se Gjykata nuk ka përcaktuar një afat fiks për mbajtjen e Dajtit në ambientet e spitalit. Në 15 shtator Dritan Dajti iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Në këtë ndërhyrje bluzat e bardha realizuan nxjerrjen e njërit prej plumbave që Dajti mbante në trup. Plumbi që u nxor kishte prekur shtyllën kurrizore dhe për rrjedhojë i kishte shkaktuar humbje të ndjeshmërisë së këmbës së djathtë. Ndërsa plumbi tjetër që ndodhet në kofshën e majtë, i cili nuk konsiderohet i rrezikshëm për jetën, do të hiqet në një ndërhyrje të mëvonshme. Dritan Dajti u prangos në gusht të 2009-ës, pasi ka qëlluar për vdekje mbi 4 oficerë policie. Para prokurorëve Dajti ka pohuar se nuk e dinte që kishte qëlluar mbi punonjës policie.