Voskopojë, do të prishen 19 ndërtime
KORÇE - Në fshatin turistik të Voskopojës janë evidentuar 19 ndërtime pa leje, të cilat rrezikojnë të prishen. Pas ballafaqimit me projektin e miratuar nga KRTSH-ja, një pjesë e mirë e këtyre ndërtimeve duhet të prishen. Këtë lajm e bëri të ditur kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Korçë, Abdyl Drabo. “Jemi duke shqyrtuar së bashku me drejtuesit e Komunës Voskopojë për të zbatuar procedurat që përcakton ligji për ata individë që kanë ndërtuar pa leje. Gati të gjithë këto objekte janë bare, hotele dhe dyqane”, u shpreh Drabo. Mësohet se plani rregullues për Voskopojën është punë e një grupi arkitektësh të Korçës e Tiranës, të cilët kanë ndërthurur vlerat historike e kulturore të trashëguara në këtë fshat. Arkitektë, urbanistë dhe historianë, u përpoqën që të mundësojnë rindërtimin e vlerave të këtij fshati dhe t’i pasurojnë ato me vlera të tjera të zhvillimit të tij. Ndërkohë që studiohej e projektohej, ata vinin re se po ndërtoheshin objekte pa lejë në kënde të ndryshme të fshatit. Por fakti se një ditë ato mund të shembeshin, iu është komunikuar të gjithë ndërtuesve që në fillim. j.gj