E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Berisha: I penduari po gënjen

 

Lulzim Berisha hedh poshtë deklarimet e të penduarit të bandës së Durrësit, Adriatik Coli, për ish-kreun e PDK-së në Malësi të Madhe, Aleksandër Keka. “Nuk kam përdorur askënd si korrier droge dhe për më tepër Aleksandër Kekën”. I pyetur nga “Panorama” një ditë pas dëshmisë së Colit në Gjykatë, i paraburgosuri Lulzim Berisha, i akuzuar si një nga krerët e bandës së Durrësit, mohon thëniet e të penduarit. Reagimi i tij vjen menjëherë pasi mediat publikuan pjesë nga dëshmia e Adriatik Colit, të penduarit të drejtësisë, i cili përmendi në Gjykatën e Krimeve të Rënda se Keka ishte përdorur korrier për narkotikë nga Berisha. “Unë nuk di asgjë për këtë, Keka ndoshta është përdorur nga vetë Coli gjatë kryerjes së krimeve që ka bërë vetë dhe që ua vesh të tjerëve”, tha Lul Berisha, duke akuzuar të penduarin si ideator të krimeve. Për më tepër Berisha pohoi se i penduari gjatë dëshmisë së tij nuk e kishte përmendur emrin e tij si urdhërues të trafikut të narkotikëve. Duke mohuar akuzat në ngarkim të tij, Lul Berisha pohoi se prej tre vitesh e gjysmë mbahej në qeli pa kryer asnjë krim dhe se publikimi i deklaratave të Colit nëpër media, krijonte opinion të pavërtetë në publik, duke i veshur atij krime të pavërteta. Reagimi i Berishës erdhi mëngjesin e djeshëm, sapo mediat publikuan pjesë nga dëshmia e Colit, ndërsa mbrojtësit e të pandehurve e kundërshtuan atë menjëherë sapo i penduari përfundoi rrëfimin, para togave të zeza, ku përmendi emrin e ish-kryetarit të PDK-së së rrethit të Malësisë së Madhe, i vrarë një javë para zgjedhjeve me shpërthim eksplozivi në makinën e tij. Adriatik Coli duke dhënë shpjegime rreth “aktivitetit kriminal” të Kekës, pohoi dy ditë më parë te Krimet e Rënda: “E njihnim Aleksandër Kekën. Ai ka transportuar disa ngarkesa lënde narkotike drejt Italisë”. Sipas të bashkëpunëtorit të drejtësisë, Keka ka kryer rolin e korrierit të drogës për llogari të bandës. Po sipas tij, Keka realizonte trafikimin e heroinës drejt Italisë në rrugë tokësore, duke kaluar nga Mali i Zi e më pas në vijim në Kroaci, Slloveni e deri në Itali. “Unë, Endrit Dokle, Lulëzim Berisha, Plarent Dervishaj dhe Klod Saliu, disa herë kemi qenë edhe në shtëpinë e Aleksandër Kekës në Koplik”, pohoi më tej Adriatik Coli. Pas këtyre deklaratave të të penduarit, avokatët mbrojtës të të pandehurve reaguan ashpër, duke pretenduar se nëse Prokuroria ka pasur dijeni për aktivitetin kriminal të Kekës dhe përfshirjen e tij në trafikun për të cilën akuzohen anëtarët e “bandës së Durrësit”, atëherë pse nuk kishte nisur hetimi për të.       fa.ma

PDK: I penduari po përdoret nga policia
TIRANE – Partia Dem-okristiane ka kërkuar edhe ajo dje zbardhjen e vrasjes së Aleksandër Kekës, duke pohuar se policia po përpiqet të përdorë të penduarin Adriatik Coli. Nëpërmjet një deklarate shtypi, Partia Demokristiane ka denoncuar ato që i konsideron “përpjekje për implikimin në veprimtari kriminale të të ndjerit Aleksandër Keka, ish-kryetar i PDK-së në Malësi të Madhe. Ai vdiq pas një shpërthimi të ndodhur në makinën e tij më 18 qershor 2009. “Deklaratat e dy ditëve më parë në seancën gjyqësore të të ‘penduarit’ kriminel dhe të përdorurit nga Policia e Shtetit, Adratik Coli, ku i ndjeri akuzohet si korrier droge i ‘bandës së Durrësit’, janë një përpjekje e turpshme e Policisë së Shtetit për të penguar zbardhjen e vrasjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të krimit të shëmtuar që i mori jetën kryetarit të PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka”, thuhet në reagimin e PDK-së. Sipas kësaj partie, i “penduari” i policisë Adriatik Coli, asnjëherë gjatë dëshmive të tij të mëparshme gjatë dy viteve, në cilësinë e të penduarit, nuk e kishte përmendur emrin e Aleksandër Kekës”. “Deklaratat e fundit na bindin se ‘i penduari’ është përdorur nga Policia e Shtetit për të njollosur figurën e të ndjerit Aleksandër Keka pas vdekjes, ashtu sikurse është vepruar nga policia edhe në ditën e vrasjes”, vijon më tej PDK-ja. Ajo thekson se, “ka informacione të vazhdueshme që Policia e Shtetit është përpjekur me të gjitha format dhe mënyrat për ta përfshirë emrin e Aleksandër Kekës në ngjarje kriminale të ndodhura gjatë viteve të fundit”. Sipas PDK-së, “i ndjeri Aleksandër Keka, baba i tre fëmijëve, prind dhe qytetar i respektuar, kryetar i Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, gëzonte respekt në të gjithë Malësinë e Madhe dhe nuk kishte asnjë precedent penal. Këshilli i komunës së Kastratit e shpalli atë ‘Qytetar Nderi’ të komunës Kastrat, pas vdekjes, duke e nderuar për cilësitë drejtuese dhe organizuese, për vlerat e tij qytetare dhe njerëzore”, tha Partia Demokristiane.

Familja e Kekës: Policia të zbulojë vrasësit e djalit
TIRANE - Familja e ish-kryetarit të Partisë Demokristiane në Malësi të Madhe reagoi dje menjëherë pas publikimit në media të dëshmisë së dhënë nga i penduari i “bandës së Durrësit”, Adriatik Coli. “Emrat që përmenden nga i penduari i ‘bandës së Durrësit’, sikur kanë qenë miq të djalit tonë dhe kanë qenë në shtëpinë tonë, janë të pavërteta”, thuhet në deklaratën e familjes së Aleksandër Kekës. Sipas saj, persona të tillë nuk kanë pasur asnjë lidhje dhe madje as njohje personale me të. Familja shprehet më tej në reagimin e saj, se kërkon nga Policia e Shtetit që të zbardhet vrasja dhe autorët të dalin para drejtësisë. Të afërmit e Aleksandër Kekës bëjnë thirrje që të zbardhet ngjarja dhe të ndalojë “tendenca për t’i rivrarë me shpifje dhe akuza të pabaza. Ish-kryetari i Partisë Demokristiane në Malësi të Madhe, Aleksandër Keka, humbi jetën në qershor të këtij viti në rrugën automobilistike Shkodër-Koplik. Vdekja erdhi si pasojë e një shpërthimi të fortë në makinën me të cilën po udhëtonte zyrtari lokal i PDK-së. Si pasojë e shpërthimit, automjeti doli nga rruga dhe përfundoi disa metra poshtë saj. Në vendngjarje gjeti vdekjen e menjëhershme Aleksandër Keka, ndërsa ngjarja shkaktoi debat, pasi ndodhi në mesin e fushatës elektorale në të cilën Keka ishte aktivizuar në mbështetje të partisë së tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›