E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kauzë e kryetarit apo e qytetarit?

Musa ULQINI 

Më 10 tetor, 103 ditë pas përfundimit të zgje-dhjeve, Rama drejtoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” të parën protestë kundër vjedhjes së votave Duke gjykuar nga rëndësia që lidershipi i PS i dha kësaj proteste, interesi për të ishte i veçantë, jo vetëm nga media, por edhe nga të gjithë faktorët politikëbërës të vendit.  
Pjesëmarrje apo organizim i jashtëzakonshëm? Për dhjetë ditë me radhë Edi Rama u angazhua si asnjëherë tjetër që protesta e 10 tetorit të ishte prova e parë se ai kishte arritur ta kthente në një kauzë lirie e demokracie pretendimin e tij për vjedhjen e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Më 1 tetor ai u drejtoi thirrjen e parë shqiptarëve për ta mbështetur atë në manifestimin e 10 tetorit. Më 5 tetor, në një drekë pune, ai u kërkoi me ngulm deputetëve që të ishin në krye të ekipeve për sjelljen në Tiranë të protestuesve nga të 12 qarqet e vendit. Për pesë ditë me radhë (5-9 tetor) ai mori pjesë në mbledhjet e Asambleve Socialiste të 11 njësive të Tiranës, duke u kërkuar drejtuesve të strukturave të PS një angazhim të jashtëzakonshëm për protestën. Më 8 tetor ai ftoi në Tiranë të gjithë kryetarët e komunave e bashkive ku qeverisin socialistët dhe u kërkoi, veç të tjerave, kontribut maksimal për protestën. Po më 8 tetor ai shpalli “Forumi për Demokraci” në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të tetë subjekteve: parti të majta e të djathta, shoqata e sindikata, përfaqësuesit e të cilit deklaruan pjesëmarrjen e mbështetësve të tyre në protestën e 10 tetorit. Më 9 tetor deputetët e qarkut të Tiranës i drejtuan një ftesë zgjedhësve të qarkut që ata të mos mungonin në protestën e të shtunës. Paraditen e 10 tetorit gratë deputete përsëritën përpara mediave ftesën e tyre për pjesëmarrjen në protestën e pasdites veçanërisht të grave të kryeqytetit.
Ndërkohë vetë Rama ishte çdo ditë i pranishëm në media, duke u bërë thirrje qytetarëve për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në shumicë të tyre në protestën e 10 tetorit. Në 7 tetor ai ishte i ftuar te News 24; në 8 tetor tek Top Story, në 9 tetor tek Vizion Plus. Shtypi i përditshëm për 10 ditë rresht e kishte protestën e 10 tetorit në headline e tij.    
Por në orën 17:00 të datës 10 tetor, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pjesëmarrja në protestë ishte modeste. Gjithkush pati rastin të konstatonte këtë pjesëmarrje modeste gjatë transmetimit live që iu bë atij nga mediat elektronike. Megjithatë Rama një ditë pas mitingut theksoi në konferencën e tij për shtyp shprehimisht: “Pjesëmarrja e djeshme në miting ishte e jashtëzakonshme... në manifestimin e parë erdhën për të demonstruar mbështetjen e tyre shumë më tepër qytetarë dhe qytetare se sa c’prisja dhe unë vetë!” Në fakt e vërteta është se jo pjesëmarrja e qytetarëve, por organizimi, investimi dhe angazhimi për këtë protestë ishte i jashtëzakonshëm.
Protestë kundër vjedhjes apo shitjes së votës?
Përse ky hendek i madh mes energjive të harxhuara për organizimin e protestës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në të? Nëse pretendimi i Ramës për zbardhjen e vjedhjes së votës do të perceptohej nga socialistët dhe votuesit e PS si një kauzë lirie e demokracie, atëherë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të mbushej vetëm nga protestues të kryeqytetit dhe të rrethinave të tij, pa qenë nevoja që rrugët e Tiranës të bllokoheshin nga autobusët dhe autoveturat që sollën protestues nga e gjithë Shqipëria. Kujtoj se vetëm qytetarët që kanë votuar Partinë Socialiste në qytetin e Tiranës në 28 qershor janë më shumë se 113 mijë vetë.
Rama përsërit çdo ditë se kutitë duhen hapur, sepse atje fshihet e vërteta e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kjo do të thotë që shqiptarët kanë votuar për PS, por vota e tyre është lexuar në favor të PD. E thënë më qartë, vota e vjedhur nga PD penalizon drejtpërsëdrejti komisionerët e PS në qendrat e votimit e numërimit të votave. Të thuash ne humbëm se zgjedhjet i vodhi Berisha është njëlloj si të thuash ne humbëm se votat tona u shitën dhe nuk u mbrojtën nga komisionerët socialistë! Ndërkohë deri më sot asnjë komisioner socialist nuk ka denoncuar ndonjë rast kur ata janë ndodhur nën presionin e partisë shtet.
Si mund të ndjehen 17 mijë komisionerët socialistë të angazhuar në gjithë infrastrukturën zgjedhore për të garantuar leximin e drejtë të çdo vote të hedhur në kutitë e votimit për PS kur atyre u thuhet enblock çdo ditë: ne humbëm për fajin tuaj!!!
Pjesëmarrja modeste e qytetarëve dhe socialistëve në protestën e 10 tetorit është në të vërtetë protestë ndaj përpjekjeve të Ramës që përgjegjësinë e tij për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit kërkon t’ua faturojë komisionerëve socialistë, që historikisht përfaqësojnë pjesën më të përkushtuar të anëtarësisë socialiste. 
10 mijë firma, fantazi apo realitet?
Lajmi i vetëm që “prodhoi” mitingu ishte firmosja gjatë kohës së protestës e projektligjit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit nga 10 mijë qytetarë. 
Shtypi i një dite më pas i bëri jehonë kësaj nisme duke lënë në hije vetë mitingun. Sipas “Zërit të Popullit”: “Qytetarët kanë firmosur draftin gjatë protestës dhe në përfundim të saj”. Të nesërmen Edi Rama theksoi në konferencën e tij për shtyp se: “Vetëm dje në spontanitet të plotë numri i firmave në dijeninë time, të paktën deri në momentin kur unë zbrita nga tribuna për të vazhduar bashkë me të tjerët e kishte kaluar 10 mijshin”.
Vini re: Nga momenti i prezantimit për herë të parë të nismës së PS në miting deri në momentin kur Rama zbriti nga tribuna nuk kishin kaluar më shumë se 30 minuta, nga të cilat 20 minuta i përkisnin fjalës së tij.
Si është e mundur që pikërisht gjatë kësaj kohe, kur protestuesit ishin të përqendruar tek fjalimi i Ramës, 10 mijë protestues gjetën kohë të shkonin tek tavolinat, të paraqisnin dokumentet e tyre të identifikimit, të firmosnin dhe të ktheheshin përsëri në bulevard për të ndjekur vazhdimin e mitingut?! Pse zëdhënësit e Ramës nxituan të eklipsonin këtë protestë me një lajm të pavërtetë? Përse këtë të pavërtetë duhet ta përsërisë një ditë më pas edhe vetë Rama?
Për të thënë ndoshta që në miting ishin të pranishëm aq shumë qytetarë, sa që vetëm projektligjin në fjalë e firmosën 10 mijë prej tyre?! Por populli thotë: Dielli nuk mbulohet me shoshë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›