E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, si duhet të aplikoni për 2257 vendet bosh

 

Zirina Llambro

Plot 2257 vende të reja bosh. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës publikon udhëzimin për plotësimin e këtyre kuotave. Fituesit e rinj do të zgjidhen sërish, sipas parimit të meritë preferencës, por më parë duhet të plotësojnë formularin A3. Atë kanë të drejtë ta plotësojnë të gjithë kandidatët, të cilët nuk kanë mundur të përfshihen në listat e fituesve. Gjithashtu mund ta plotësojnë kandidatët që janë përfshirë në listat e fituesve dhe nuk janë regjistruar universitete. Sakaq kanë të drejtë të aplikojnë edhe maturantët që janë fitues të regjistruar në një program studimi në vitin akademik 2009-2010 dhe nuk preferojnë të ndjekin atë program studimi. “Kandidatët e përcaktuar si më sipër, duhet të paraqiten në Drejtoritë Rajonale ose Zyrat Arsimore (DAR/ZA) përkatëse deri në datë 16 tetor 2009, ora 18:00, për të bërë kërkesë për plotësimin e formularit A3”, thuhet në udhëzimin e MASH. Pas kësaj, formulari A3 do të shpërndahet në DAR/ZA në datë 21 tetor 2009. Kandidatët pasi ta plotësojnë, duhet ta dorëzojnë formularin A3 po në  DAR/ZA deri më 26.10.2009. Agjencia e Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL) në datën 30.10.2009 do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues.
Fituesit
Lista do të jetë e ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur, sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara. “Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, nga data 31.10.2009 do të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit/çregjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme për regjistrim” saktëson udhëzimi. Regjistrimi i kandidatëve fitues të kësaj faze do të bëhet pranë sekretarive mësimore të Institucioneve publike të Arsimit të Lartë në datat 1, 2, 3 dhe 4 nëntor 2009, nga ora 8:00 deri në orën 18:00. Për regjistrim, kandidati të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale. Ajo do të përmbajë Dëftesë Pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje do të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre, kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi. Gjithashtu me vetë kandidati duhet të ketë 2 fotografi, mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë. Për kandidatët që janë çregjistruar nga programi i mëparshëm i studimit duhet vërtetimi i çregji-strimit prej tij.
“Sqarojmë kandidatët që do të shpallen fitues gjatë kësaj faze se tarifa e regjistrimit prej 1 500 lekë, do të kalojë me xhirim nga llogaria e Degës së Thesarit, ku Institucioni Publik i Arsimit të Lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të  Institucionit tjetër Publik të Arsimit të Lartë, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i fazës së tretë të regjistrimeve”, nënvizon udhëzimi. Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit rezulton se universitetet e rretheve kanë numrin më të lartë të kuotave bosh. Por krahasuar me vitet e mëparshme diferenca nuk është shumë e madhe. Me fazën e tretë të regjistrimeve përmbyllet tërësisht procesi i pranimeve në shkollat e larta për ciklin e studimeve me kohë të plotë.

 Kuotat Bosh

Universiteti i Tiranës                 267
Universiteti Politeknik i Tiranës         210
Universiteti Bujqësor i Tiranës        155
Universiteti i Durrësit                225
Universiteti i Korçës                 260
Universiteti i Shkodrës                300
Universiteti i Elbasanit                 380
Universiteti i Gjirokastrës            293
Universiteti i Vlorës                25
Akademia e Arteve                 42
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve     100
GJITHSEJ                      2.257

GJIROKASTER/ Këtë vit, pedagogët nga Janina nuk japin arsyet
Studentët e greqishtes braktisin mësimin, nuk vijnë lektorët

GJIROKASTER - Studentët e greqishtes bojkotojnë studimet në Universitetin e Gjirokastrës. Shkak është bërë mosparaqitja e pedagogëve grekë të Universitetit të Janinës, të cilët janë atashuar në Universitetin “Eqrem Çabej” për të dhënë leksione dhe seminare të ndryshëm rreth historisë, gjuhës dhe kulturës së lashtë helene. Pjesë e bojkotit janë të gjithë studentët e katër viteve të degës së gjuhës, letërsisë dhe qytetërimit grek në Universitetin e Gjirokastrës. Me fillimin e vitit të ri akademik ditën e djeshme, të 55 studentët e greqishtes nuk janë paraqitur në auditorët e universitetit për të marrë leksionet, por kanë bojkotuar procesin akademik. Në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar përpara dy viteve, mes Universitetit të Gjirokastrës dhe atij të Janinës, rreth 25 pedagogë grekë do të përcillnin leksione dhe seminare në degën e greqishtes. Kjo marrëveshje parashikonte edhe një sërë lehtësirash të tjera për studentët e greqishtes në Universitetin e Gjirokastrës si p.sh. njohja e diplomës së kësaj dege në Greqi dhe vendet e BE, transferimi i krediteve në universitetet e Greqisë, zhvillimi i studimeve pasuniversitare në vendin fqinj etj. “Ende ata nuk kanë dhënë asnjë arsye zyrtare për këtë situatë”, pohon Panajot Barka shef i Katedrës së Greqishtes në Universitetin e Gjirokastrës. Sipas tij, mosprezenca e pedagogëve grekë ka krijuar probleme në ecurinë e degës së greqishtes duke çuar madje deri në bojkotin pa afat, që studentët i kanë bërë procesit akademik.                     p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›