Kapen 25 celularë me frigorifer në burg
TIRANE - Gruaja 33-vjeçare e një të arrestuari për vrasjen e një polici në vitin 1997, është arrestuar dje në Burgun 313 në Tiranë, ku kishte shkuar të takohej me bashkëshortin. Arrestimi është bërë pasi Flora Dajçi kishte fshehur në një frigorifer që po ia çonte të shoqit 25 telefona celularë, të tipeve të ndryshëm. Zbulimi është bërë nga shërbimi i kontrollit fizik në hyrje të burgut të sigurisë së lartë. Duke marrë shkas nga rasti i ngjashëm i së premtes, kur policët e burgut u përballën me të njëjtën situatë, ushtruan një kontroll të imtësishëm në frigorifer ku zbuluan edhe objektet e ndaluara rreptësishtë për të hyrë në ambientet e burgut. Verifikimi zbuloi 25 telefona celularë, 25 karikues përkatës për secilin telefon, 5 spina karikuesish, një kufje me fisha USB dhe një çelës anglez të fshehur në frigorifer. Policia tha se ka arrestuar menjëherë 33-vjeçaren Flora Dajçi, e cila shkonte në burg për të takuar bashkëshortin Mond Mulia, i akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë, Arben Lasku, në vitin 1997 në Vaun e Dejës. Ky veprim i ka kushtuar lirinë gruas së të akuzuarit për vrasje, e cila do të qëndrojë pas hekurave të qelisë me akuzën e “dhënies ndihmë të burgosurve”. Punonjësit e sigurisë së burgut, menjëherë pas zbulimit të celularëve, njoftuan shërbimet e Komisariatit nr.3, të cilët kanë kryer arrestimin e gruas nga Shkodra dhe banuese në kryeqytet. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar destinacionin e telefonave celularë, duke mos përjashtuar një plan arratisje apo edhe shitjen e tyre brenda qelive të burgut. Gjithashtu policia ka nisur hetimet për të verifikuar edhe rastet e mëparshme, kur pajisjet elektro-shtëpiake janë futur brenda ambienteve të burgut dhe nuk janë kontrolluar imtësisht nga stafi i shërbimit të kontrollit fizik. Burime nga policia thanë se të tilla pajisje kanë hapësirë të mjaftueshme për fshehjen e sendeve të ndaluara dhe, nuk përjashtohet mundësia që edhe më parë të dënuarit nëpërmjet të afërmeve të tyre mund të jenë pajisur në këtë mënyrë me celularë apo edhe me lëndë narkotike. Vetëm katër ditë më parë në Burgun 313 u arrestua e fejuara e një të dënuari për të njëjtën vepër penale.