Gjykata: Kosova e pavarur, e ligjshme
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë mbështeti vendimin e Kosovës për Pavarësi nga Serbia, duke shënuar një fitore të madhe për Prishtinën dhe disfatë të rëndë për Beogradin.Presidenti i Gjykatës mbarëkombëtare, Hisashi Oëada, tha se gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare nuk përmban ndalesë për deklarata të Pavarësisë. “Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të Pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo del në përfundimin se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”. Sipas Gjykatës, deklarata nuk shkel as përmbajtjen e Rezolutës 1244, pasi ajo nuk e ndalon shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. “Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, nga shpallja e deklaratës së Pavarësisë nga Republika e Serbisë”, shtoi ai. Përfundimi i trupit gjykues me 10 gjykatës në favor të Kosovës dhe katër kundër ishte se “Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”, tha zoti Owada. Deri tani, Kosovën e kanë njohur 69 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 22 prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas rekomandimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila plotësoi një kërkesë të Serbisë për të vlerësuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Serbia në atë kohë e quajti fitore të madhe të drejtën për të gjykuar me një opinion jo detyrues vlefshmërinë e pavarësisë dhe nuk e priste disfatën. 31 vende dëshmuan në sallën e Hagës për opinionin e tyre mbi Pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe superfuqitë si SHBA dhe Rusia. Serbia është zotuar të vazhdojë luftën diplomatike në Asamblenë e Përgjithshme me ndihmën e Rusisë. Asambleja tani do të vendosë se si do të rrjedhin ngjarjet pas opinionit të Gjykatës. Edhe bashkimi Europian pritet të japë një deklaratë mbi qëndrimin e përbashkët më 26 korrik.
Në OKB
Që të jetë një vend anëtar i Kombeve të Bashkuara, Kosova duhet të marrë njohjen dhe aprovimin e të paktën dy të tretës së vendeve që janë anëtare në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës. Anëtarësimi në OKB është i hapur për të gjitha vendet paqedashëse që pranojnë detyrimet në Kartën e OKB-së dhe janë të gatshme t’i plotësojnë këto detyrime, sipas gjykimit të Organizatës. Pranimi i çdo vendi në OKB do të ndikohet nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme, sipas rekomandimeve të Këshillit të Sigurimit. Kjo përbën vështirësi për Kosovën, pasi Rusia, aleate e fortë e Serbisë, gëzon të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe është zotuar se do ta pengojë Kosovën për anëtarësimin.
Votat e gjyqtarëve
Për Kosovën
Hisashi Owada – Japoni, president i GJND-së
Thomas Buergenthal - SHBA
Christopher Greenwood - Britania e Madhe
Ronny Abraham - Franca
Bruno Simma - Gjermania
Kenneth Keith - Zelanda e Re
Awn Shawkat Al-Khasawneh - Jordania,
Antonio A. Cançado Trindade - Brazili,
Abdulqawi Ahmed Yusuf - Somalia,
Bernardo Sepulveda Amor - Meksika,
Kundër Kosovës
Peter Tomka – nënpresident, - Sllovakia
Leonid Skotnikov - Federata Ruse
Abdul G. Koroma - Sierra Leone
Mohamed Bennouna - Maroku
Argumentet
Vendimi i lexuar nga Presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada.
“Gjykata konsideron se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndalesë të zbatueshme për deklarata të Pavarësisë. Rrjedhimisht, ajo konkludon se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare”.
“Gjykata, rrjedhimisht, ka gjetur se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk i ndalon autorët e Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, nga shpallja e deklaratës së Pavarësisë nga Republika e Serbisë. Prandaj, Deklarata e Pavarësisë nuk paraqet shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit”
“Gjykata ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, nuk e shkel të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i Deklaratës nuk e shkel asnjë ligj të zbatueshëm të së Drejtës Ndërkombëtare”
OKB:Pa provokime
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Bak Ki Mun, ka tërhequr vërejtjen kundër çdo hapi “provokues”, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se Pavarësia e Kosovës ishte legjitime. “Sekretari i përgjithshëm kërkon nga të gjitha palët, t’u shmangen çfarëdo hapave, që mund të shihen si provokues dhe që e shkatërrojnë dialogun”, tha Martin Nesirky, zëdhënës i Ban Ki Mun. Sekretari i përgjithshëm do ta dërgojë vendimin e GJND-së për Kosovën, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila kishte kërkuar mendimin e gjykatës për Pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që ajo të përcaktojë se si do të veprojë më tej në këtë çështje.
Qëndrimi i Spanjës
Spanja e respekton mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ka deklaruar Ministria e Jashtme e Spanjës. Zëdhënësja e ministrisë spanjolle ka thënë se Madridi mbështet edhe deklaratën e shefes së diplomacisë së BE-së, Katerin Ashton, e cila ka thënë se mendimi i GJND-së hap “epokë të re” dhe se tash “duhet kthyer nga e ardhmja”. E pyetur nga gazetarët, nëse Spanja do të ndryshojë qëndrimin për Pavarësinë e Kosovës, zëdhënësja e Ministrisë spanjolle nuk ka dashur të japë përgjigje.
Mediat në botë
“The Economist”: Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, duket i hirnosur. Ai e dinte se çfarë do të ndodhte, Strategjia e Serbisë për të përdorur Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë shkoi dëm.
“Zëri i Rusisë”: Vendimi i GJND-së mund të hapë kutinë e Pandorës.
“Reuters”: Vendimi qartësues, por jo detyrues i GJND-së, është një dështim i madh për Serbinë dhe mund të çojë në më shumë njohje për Kosovën dhe ta afrojë atë në OKB. Por mund t’iu japë guxim edhe rajoneve separatiste në botë, për të kërkuar më shumë autonomi.
“New York Times”: Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara dha të enjten një vendim që Kosova e njeh si fitore, por që ekspertët ligjorë paralajmërojnë se mund të nxisë lëvizjet separatiste nëpër botë. Ekspertët ligjorë theksojnë se ndërsa gjykata kishte vendosur se shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte e ligjshme, ajo kishte shmangur në mënyrë të skrupullt të thotë se shteti i Kosovës ishte i ligjshëm nën ligjin ndërkombëtar, një kompromis i kalibruar me kujdes, që mund të nxisë të dy palët të deklarojnë fitore në mosmarrëveshjen që mbetet e ashpër edhe pas 11 vitesh të luftës.
Opinioni përdoret nga separatistët
Vendimi i Hagës, pro Pavarësisë së Kosovës, u mirëprit nga disa shtete aleate dhe të tjera, dhe u kundërshtua nga aleatët e Serbisë, nga të paktën një anëtar i BE-së, që nuk e ka njohur ende Kosovën. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Mike Hamer tha se “Ne jemi të kënaqur që gjykata ishte në një linjë me qëndrimin e hershëm të Shteteve të Bashkuara, se Pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjet ndërkombëtare. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e Sigurisë, baronesha Katerin Ashton tha se “opinioni këshillues hap një fazë të re. Fokusi duhet të vendoset në të ardhmen. E ardhmja e Serbisë dhe e Kosovës janë në BE”. Ndërsa Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Uestervelle konfirmoi se “Vendimi i GJND-së konfirmon pikëpamjet tona, se deklarata e Pavarësisë ishte e ligjshme. Ajo mbështet pikëpamjet tona se Pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës, janë fakte të parefuzueshme”. Ministria e Jashtme e Qipros, një prej anëtareve të BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën, njoftoi se “Qipro do të ritheksojë pozicionin e vet mbi çështjen e Kosovës, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, që përfshin Kosovën dhe Metohinë”. Sergei Bagapsh, President i territorit të shkëputur të Gjeorgjisë, Abkhazisë, të mbështetur vetëm nga Rusia, tha se “Vendimi i GJND-së konfirmon edhe një herë të drejtën e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore për vetë vendosje”. Deklarata është përshëndetur nga Aitor Estaban, deputet për partinë separatiste baske në Spanjë, PNV. “mendoj se pasoja kryesore është se Spanja nuk mund të vazhdojë të na thotë se ligjet ndërkombëtare nuk e lejojnë ndarjen e një vendi për një vend të pavarur bask në BE. Pra ky është një lajm i mirë për ne”, përfundoi.
Këshilla e Berishës për Hysenin: Qesh sa më shumë
Delegacioni kosovar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dje u udhëhoq nga Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, zoti Skënder Hyseni. Mes tensionit për vendimin që do të jepte Haga, gazeta “Panorama” mësoi se z.Hyseni ka marrë një telefonatë pak para se të shpallej vendimi, nga Kryeministri shqiptar, Sali Berisha. Z. Berisha e ka pyetur zotin Hyseni se si po shkon dhe si janë parashikimet deri tani dhe Hyseni është përgjigjur se “mendoj barazim, me pak prioritet nga ne”. Kryeministri Berisha e ka këshilluar zotin Hyseni, se çfarëdo që të ndodhë dhe sido që të jetë vendimi, ai duhet të jetë sa më i qeshur, për të përcjellë pozitivistet tek shqiptarët anembanë botës, që po e ndiqnin me shumë interes procesin që nisi në orën 15:00. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në sallë, ministri Hyseni e respektoi taktikën e “suksesit” të ofruar nga Kryeministri ynë. Dhe në fund, kur gjithçka shkoi mirë, ktheu telefonatën e mbështetjes. “Nuk e di si ju jam dukur z. Berisha, po kam qeshur aq shumë sa kam mundur”, tha ai.
Sejdiu: Pavarësia u bekua, Jeremiç: Ne nuk e njohim
Kosova e ka pritur me entuziazëm opinionin e Gjykatës së Hagës, se deklarata e Pavarësisë së vendit nuk është shkelje e asnjë ligji ndërkombëtar apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara që është në fuqi për Kosovën.
Shumë qytetarë kanë vendosur flamurin e Kosovës në makina dhe kanë shëtitur të entuziazmuar, duke iu rënë borive të makinave nëpër rrugë, sidomos në Prishtinë. Reagimi ishte i pritshëm, pasi tani Kosova pretendon një valë të re njohjesh të Pavarësisë. Zyrtarët në Kosovë e kanë pritur me emocion dhe duartrokitje konfirmimin e ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni ka deklaruar se tani Kosovën e presin njohje të reja, pasi vendimi i GJND-së ka rrëzuar çdo dilemë tek ato vende që prisnin opinionin. Ministri Hyseni, i bëri thirrje Serbisë që të punojë për paqe në Ballkan dhe tani të bisedojnë si dy shtete të pavarura. Presidenti, Fatmir Sejdiu, pak çaste pas dhënies së mendimit të GJND-së, tha se ky vendim përfundimisht i heq të gjitha dilemat që mund t’i kenë pasur vendet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. “Ky mendim hap rrugë për progresin e mëtejmë të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha Sejdiu, duke i bërë thirrje Serbisë që t’i bashkëngjitet misionit të përgjithshëm të shteteve të rajonit, për integrim të përbashkët në institucionet euro-atlantike. “Dita e sotme është ditë e bekume për Kosovën”, theksoi ai. Edhe Kryeministri Thaçi ka reaguar nga Uashingtoni, ku ndodhej për vizitë zyrtare. “Kjo është një përgjigje e drejtë historike ndërkombëtare ndaj padrejtësive historike që janë bërë ndaj Kosovës”, theksoi. Kryeparlamentari, Jakup Krasniq, në emër të Kuvendit të Kosovës, ka shprehur mirënjohjen për opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të Pavarësisë së Kosovës. “Shprehim gatishmërinë tonë të sinqertë, për të vendosur marrëdhënie të mira me Republikën e Serbisë në të mirë të të dy popujve tanë dhe të stabilitetit dhe prosperitetit politik, social dhe ekonomik të rajonit tonë”, tha Krasniqi.
Protesta në veri
Rreth 600 serbë kanë protestuar në veri të Kosovës kundër vendimit të Gjykatës së Hagës. Policia ndërkombëtare dhe ajo e Kosovës, kanë shtuar forcat e sigurisë në veri. Protesta kaloi pa incidente.
Në Serbi
Ndërsa Serbia po kalon një situatë të vështirë, edhe pse shpresonte shumë se Haga do të mbështeste Beogradin, pasi ishin vetë autoritetet serbe që kërkuan të gjykohej një rast i tillë. Presidenti serb, Boris Tadiç ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. “Ky është një moment i vështirë për Serbinë, por ne do të vazhdojmë betejën për ta çuar çështjen në OKB. Serbia do të luftojë në mënyrë diplomatike për Kosovën. Shumë shtete do të kenë presion që të njohin Kosovën, por ne shpresojmë që rezoluta jonë të miratohet”, ka deklaruar Tadiç. Ministri i Jashtëm serb, Jeremiç tha se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim dhe nuk do ta njohë kurrë Pavarësinë e njëanshme të Kosovës. “Për Beogradin loja s’ka mbaruar ende, pasi çështja është politike dhe tani fjala i kalon Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka deklaruar Jeremiç. Radikali në opozitë, Tomisllav Nikoliç ka përfituar të kritikojë Qeverinë, duke akuzuar se shteti serb ka gënjyer popullin duke thënë se GJND mbështet Serbinë. Reagimi i qytetarëve ka qenë pothuajse in-ekzistues.
Plani i ri serb
Autoritetet serbe kanë përgatitur një plan veprimi për të penguar njohjen e Kosovës pas opinionit të GJND-së. Sipas mediave serbe, Serbia synon gjithashtu që të marrë pëlqimin nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për negociata të reja me palën kosovare. Beogradi pritet të dërgojë 50 emisarë në vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet.
Skenarë të mundshëm
Vendimi se deklarata e Pavarësisë së Kosovës është e ligjshme mund të nxisë njohje të reja nga vende të tjera, plus 69 vendeve që e kanë hedhur këtë hap deri tani. Sipas analistëve të Reuters, edhe pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën mund të gjejnë baza për ta bërë këtë tani. Serbia mund të marrë masa kundër Kosovës, përfshirë mbylljen e kufirit apo embargon e tregtisë, thonë analistët. Beogradi mund të ndërpresë edhe furnizimin me elektricitet në Kosovë, si dhe shërbimet telefonike dhe të internetit, të cilat ende kanë lidhje në Serbi. Beogradi mund ta çojë sërish çështjen në OKB, me ndihmën e aleates së tij të fortë, Rusisë. Koalicioni i Qeverisë serbe mund të përballet me vështirësi mbi drejtimin që duhet të marrë vendi. Koalicioni mes pro-demokratëve perëndimorë të Presidentit, Boris Tadiç dhe Partisë Socialiste të Serbisë, të drejtuar nga Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, mund të acarohet deri në pikën sa të provokojë zgjedhje të parakohshme. Partia konservatore Progresive e Tomisllav Nikoliç pritet të konsolidojë më tepër pozicionin e saj, si partia më madhe e vetme opozitare.
Berisha
Kryeministri, Sali Berisha tha mbi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për Pavarësinë e Kosovës, se “Trupi gjykues më i lartë i botës, u faktoi qytetarëve të planetit se Pavarësia e Kosovës është në frymë të plotë me të drejtën ndërkombëtare. Ky është një vendim historik, një kontribut madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan e më gjerë”, është shprehur Berisha.
Meta
Zv.kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Ilir Meta e përshëndet mendimin këshillimor të GJND-së, si një rikonfirmim të së drejtës së patjetërsueshme të qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. “Shpreh bindjen se mendimi i Gjykatës njëkohësisht i hap rrugë përshpejtimit të procesit të njohjes së shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, tha Meta.
Rama
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama e ka përshëndetur vendimin e GJND-së, duke e vlerësuar si paralajmërim për njohje të reja. “Uroj që ky vendim të ndihmojë edhe Serbinë për të dalë nga ëndrrat territoriale, që ky vendim i zhbën tërësisht. E ardhmja jonë është në rrugën europiane. Të gjithë së bashku drejt bashkëpunimit dhe bashkëjetesës pa kufij”, theksoi Rama.
Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka uruar Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, për vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në favor të Pavarësisë së Kosovës. Presidenti Topi në një bisedë telefonike me Sejdiun konsideroi opinionin e Hagës si “një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”. “Ndihem shumë i gëzuar për këtë vendim, i cili realisht shkoi në të drejtën legjitime të popullit të Kosovës”, tha Topi.