Rama: Berisha të tërheqë ligjin e SHISH, nuk duam luftë me SHBA
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i bëri thirrje dje kryeministrit Berisha të tërheqë sa më parë ligjin për “Shërbimin Informativ Shtetëror. Në një komunikim me mediat, pak pasi në Parlament kishte përfunduar debati për diskutimin e këtij ligji, kreu i opozitës, tha se drafti duhet hequr menjëherë. “Apeli im është që jo vetëm si kryetar i qeverisë, por edhe si ideatori e nxitësi i vetëm i ndryshimeve të papranueshme në projektligjin për SHISH-in, ta tërheqë atë projekt, jo thjesht nga seanca parlamentare, por njëherë e mirë. Madje, ta hedhë në kosh për të mos e kthyer më për një herë të tretë, pasi e tërhoqi herën e parë nën presionin e partnerëve dhe duhet ta tërheqë përsëri sot, në emër të interesit kombëtar, të përkatësisë ndaj NATO-s e sigurisht, edhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, interesi i Shqipërisë, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, cënohen nga prekja e këtij ligji. “Koha mbase do të na ndihmojë ta kuptojmë këtë shfaqje arrogance provinciale ndaj atyre, pa të cilët jo vetëm vendi ynë i vogël, po as Europa e madhe nuk do ishte sot kjo që është. Por Shqipëria nuk ka kohë për të vrarë, duke hyrë në “qorrsokakun” ku e kërcënon ta fusë Sali Berisha, duke kërkuar të fusë në “sqetull” edhe shërbimin sekret të këtij vendi të NATO-s, në kundërshtim me vullnetin e NATO-s e të atyre që u bënë avokati i madh i popullit shqiptar për hyrjen në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, - u shpreh më tej Rama. Sipas kreut të Partisë Socialiste, ligji për “Shërbimin Informativ Shtetëror”, nëse nuk tërhiqet mund të fushë në sherr vendin me NATO-n dhe SHBA-në. “Sali Berisha, tërhiqe njëherë e mirë këtë “mollë sherri” e fute nga e ke nxjerrë, sepse Shqipëria nuk ka sherr për të bërë as me NATO-n, as me Shtetet e Bashkuara dhe nëse një herë e fute Shqipërinë në qorrsokak duke i hapur luftë Amerikës, këtë herë nuk do dalësh dot më nga qorrsokaku ku do mbetesh vetëm”.