E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHISH, kundër tre deputetë të PD



ADI SHKEMBI

Maxhoranca përçahet në komisionin e sigurisë, duke rrëzuar një amendament të deputetit të PD-së, Fatos Hoxha, për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Megjithëse PD-ja ka shumicën, 10 deputetë, në këtë komision përballë tetë të opozitës, tre deputetë të djathtë, kreu i komisionit Leonard Demi, ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe deputeti Paulin Sterkaj, kanë votuar kundër duke bashkuar votat me opozitën. Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Ardian Turku është larguar përpara se propozimi të hidhej për votim. Gazeta zbardh sot procesverbalin e mbajtur në mbledhjen e djeshme me dyer të mbyllura, e cila u zhvillua në një nga zyrat ku zhvilloi punimet Parlamenti.
Amendamenti
Në fillim të seancës së djeshme parlamentare, u njoftua se deputeti i PD-së, Fatos Hoxha kishte paraqitur një amendament lidhur me ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas këtij drafti, të gjitha propozimet e ligjit të sjellë nga Qeveria rrëzoheshin, ndërsa në nenin 9, ku është dispozita kalimtare, të ndryshohet një fjali sipas së cilës “në zbatim të nenit 5/1 emërimi sipas këtij ligji i Drejtorit dhe Zëvendësdrejtorit të SHISH, bëhet përkatësisht 6 muaj dhe tre muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”. “Mendimi im personal ka qenë se në Shqipëri, sikurse të gjithë drejtuesit e institucioneve të tjera, janë me një mandat të përcaktuar me ligj edhe drejtuesit e këtij institucioni duhet të kenë një mandat të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye, si dhe duke pasur parasysh sugjerimet e ndërkombëtarëve, unë mendoj që në ligjin organik të SHISH të mos bëhen ndryshime dhe vetëm të shtohen këto dy paragrafe që kanë të bëjnë me përcaktimin e mandateve të drejtuesve të tij”, tha deputeti Hoxha, në mbledhjen e djeshme të komisionit të sigurisë. Nga ana tjetër, deputetët e opozitës janë shprehur kundër amendamentit të deputetit Hoxha, duke kërkuar sqarime lidhur me futjen në seancë të ndryshimeve në ligjin e SHISH. “Në mbledhjen e kaluar të Komisionit të Sigurisë, zoti Bizhga kërkoi shpjegime mbi këtë projektligj që ju keni futur sot në rendin e ditës. Kryetari i këtij komisioni u shpreh që ky projektligj është tërhequr mbrapsht nga Qeveria dhe nuk na vutë në dijeni për ekzistencën e një amendamenti të ri”, tha deputeti, Ilir Gjoni. Ndërsa sipas Pirro Lutajt, “problemin e SHISH maxhoranca e ka trajtuar me naivitet. Unë e kam thënë edhe më parë, keni problem vetëm me drejtuesin e institucionit, Bahri Shaqiri, hiqeni. Nuk ka nevojë për gjithë këtë zhurmë”. Pas debatit teknik, ku deputetët e opozitës kërkuan që ligji që diskutohet në shtator dhe të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Shërbimit, kryetari i komisionit, Leonard Demi kërkoi që amendamenti të hidhej në votim, por duke shprehur fillimisht votën e tij kundër. “Unë nuk jam dakord me amendamentin e zotit Hoxha dhe kërkoj që çdo gjë të shqyrtohet në shtator”, u shpreh Demi. Pas tij edhe deputeti Gazmend Oketa deklaroi se do të votojë kundër propozimit të deputetit Hoxha. “Unë u njoha sot me amendamentin e kolegut Hoxha. Di që të gjithë ne si deputetë kemi të njëjtin status dhe ashtu si zoti Hoxha ne duhet të ishim njoftuar. Unë personalisht nuk do të merrja përsipër përgjegjësinë për të rrëzuar një projektligj të Qeverisë me një amendament duke pasur parasysh edhe sensibilitetin që sjell ky projektligj, unë midis amendamentit të zotit Hoxha dhe sensibilitetit që shkakton në sallë zgjedh sensibilitetin. Jam kundër amendamentit”, tha Oketa. Ndërsa vota e tretë kundër ishte ajo e Paulin Sterkajt. Në fund me 11 vota kundër amendamentit dhe shtatë pro, ai u rrëzua.

procesverbali i mbledhjes se komisionit te sigurise

HAPET MBLEDHJA
Leonard Demi: Sot do të marrim në shqyrtim amendamentin e sjellë në seancë plenare nga z. Fatos Hoxha për projektligjin “për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 ‘Për Shërbimin Informativ të Shtetit’”, i ndryshuar, z.Hoxha kërkon që të miratohet vetëm një nen nga 12 nene të propozuara nga Qeveria. Nenet e tjera të kalojnë për miratim në sesionin e ardhshëm të Kuvendit në shtator. Se sa do të vazhdojnë diskutimet në komisione në shtator nuk e dimë, por në fund të tyre ato do të kalojnë më pas në seancë plenare. Propozimet e z. Hoxha: (lexon tre pikat e paraqitura nga deputeti Fatos Hoxha. shën.red)
Fatos Hoxha: Projektligji i sjellë nga Qeveria për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin organik të SHISH-it ka kohë që është diskutuar në Komisionin e Sigurisë dhe komisionet e tjera. Mendimi im personal ka qenë se në Shqipëri, sikurse të gjithë drejtuesit e institucioneve të tjera, janë me një mandat të përcaktuar me ligj edhe drejtuesit e këtij institucioni duhet të kenë një mandat të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye, si dhe duke pasur parasysh sugjerimet e ndërkombëtarëve, unë mendoj që në ligjin organik të SHISH të mos bëhen ndryshime dhe vetëm të shtohen këto dy paragrafe që kanë të bëjnë me përcaktimin e mandateve të drejtuesve të tij. Dëgjova me vëmendje z. Ruçi në seancë dhe mendoj se nuk ka arsye të nxehemi. Ky është mendimi im personal dhe unë respektoj çdo mendim kundër apo pro të kolegëve të mi lidhur me të si dhe nëse ka propozime të tjera për ligjin le të bëhen dhe do të jetë vota e seancës plenare ajo që do të vendosë.
Ilir Gjoni: Më vjen keq që ky komision arrin në këtë moment. Askush nga ne nuk është aq naiv sa të mos kuptojë maskeradën e sotme. Z. Hoxha u shpreh qartë se shqetësimi i tij i vetëm është mandati i kryetarit të SHISH-it. Kjo nuk ka të bëjë aspak me çështje thelbësore që kanë të bëjnë me ndryshimin e ligjit organik të SHISH, përmirësimin e këtij ligji, që do të sillte edhe përmirësimin e punës së këtij institucioni dhe nuk përbën arsye për ta sjellë me kaq urgjencë në seancën e sotme një amendament teknik. Në mbledhjen e kaluar të Komisionit të Sigurisë, zoti Bizhga kërkoi shpjegime mbi këtë projektligj që ju keni futur sot në rendin e ditës. Kryetari i këtij komisioni (lexon procesverbalin e komisionit të sigurisë) u shpreh që ky projektligj është tërhequr mbrapsht nga Qeveria dhe nuk na vutë në dijeni për ekzistencën e një amendamenti të ri, për të tepër të një kolegu tonë që ishte i pranishëm në këtë mbledhje. Nga ky moment ju pezulluat punën e ligjshme të komisionit të sigurisë, pasi shmangët opozitën nga diskutimi i këtij projektligji.
Astrit Patozi: Për të qenë racionalë në punën tonë dhe për të mos i hyrë në thellësi çështjes, pasi ne duhet të merremi vetëm me trajtimin e procedurës. Kemi një amendament nga një deputet i paraqitur në seancë plenare para shqyrtimit në parim të projektligjit. Projektligji i sjellë nga Qeveria ka kaluar në të gjitha procedurat që parashikon rregullorja dhe ky komision e ka shqyrtuar dhe ka sjellë një raport të tij në seancë. Ju nuk jeni dakord për amendamentin e paraqitur, ne nuk jemi shprehur akoma për të. Në këtë moment duhet të shprehemi për amendamentin, duhet apo jo të ketë mandat kryetari dhe nënkryetari i SHISH.
Ilir Gjoni: Në hierarkinë e interesave, kjo nuk është emergjente për t’u diskutuar, përderisa propozohet që nenet e tjera të projektligjit të sjellë nga Qeveria do të kalohen në shtator. Përse të mos lihet edhe kjo çështje për në shtator?
Astrit Patozi: është iniciativë e një kolegu. Qoftë edhe për një moment etik, jemi të detyruar të shprehemi për mirë apo për keq.
Sajmir Tahiri: Rregullorja parashikon qartë se kur një amendament i paraqitur ndryshon thelbin e ligjit, atëherë bëhet shqyrtimi i ligjit nen për nen. Neni 68, pika 2 thotë (lexon nenin e Rregullores shën.red). Në këtë rast kemi të bëjmë me paraqitjen e një projektligji të ri. Neni 38 i Rregullores, pika 2 parashikon se në komisionin përgjegjës për shqyrtimin e çështjes caktohet relatori i çështjes në përputhje me nenin 29 pika 2 e rregullores. Neni 36 i rregullores përcakton se Komisioni është i detyruar të realizojë seancën dëgjimore, sipas përcaktimit të bërë në këtë nen. Në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim...ne jemi një e treta e anëtarëve të komisionit dhe kërkojmë që komisioni të thërrasë për t’u dëgjuar përfaqësuesin e këshillit të Ministrave dhe përfaqësuesin e SHISH. Z. Demi atë çka keni referuar në komision e keni referuar në cilësinë e kryetarit të këtij komisioni dhe ju deklaroni në seancë po atë që keni deklaruar në komision.
Fatos Hoxha: Kolegu Tahiri e interpretoi rregulloren sipas këndvështrimit të tij. Unë në arsyetimin tim të rregullores mendoj se projektligji i ka kaluar të gjitha procedurat konform rregullores. Unë amendamentin e kam bërë në momentin që mora vesh se projektligji ishte në rendin e ditës të seancës plenare të ditës së sotme. Të mos bëjmë sikur çfarë jemi duke bërë sikur po shkelmojmë NATO-n.
Pirro Lutaj: Edhe si kolegë edhe zyrtarisht, ne e kemi diskutuar këtë çështje. Problemin e SHISH maxhoranca e ka trajtuar me naivitet. Unë e kam thënë edhe më parë, keni problem vetëm me drejtuesin e institucionit, Bahri Shaqiri, hiqeni. Nuk ka nevojë për gjithë këtë zhurmë. Sot kemi një amendament që sjell ndryshime në thelbin e ligjit ekzistues si edhe të projektligjit të sjellë nga Qeveria. Unë propozoj ta kthejmë në komision dhe ta shqyrtojmë me seriozitet. Nëse këtë e vendos seanca sikurse ju shpreheni, atëherë ç’na doni ne këtu. Unë e respektoj amendamentin e kolegut dhe qëllimi i këtij amendamenti është shumë i dukshëm. Le ta kthejmë për ta shqyrtuar atë në shtator në komision.
Asllan Dogjani: Qëllimi i paraqitjes së amendamentit nuk është përmirësimi i ligjit, por thjesht heqja e kryetarit dhe zv.kryetarit të SHISH. Qeveria ka në kontroll Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Jashtme dhe tani do të ketë nën kontroll edhe SHISH-in. Kryeministri i ka nën kontroll, pasi e ka nën varësinë e tij këtë institucion, por kërkon të marrë edhe drejtimin e tij për ta përdorur atë për qëllime politike.
Fatos Hoxha: Ky amendament nuk është hakmarrja ime. Projektligjin me ndryshimet e Qeverisë e keni në tavolinë. Unë nuk jam dakord me ato dhe kam paraqitur një amendament për t’i hedhur poshtë, asgjë më shumë.
Sajmir Tahiri: Ka një kërkesë procedurale të deputetëve të opozitës. A mund të marrë përgjigje?
Astrit Patozi: Të mos i shpenzojmë kot energjitë dhe kohë njëri- tjetrit sepse do t’i harxhojmë në seancë. Zoti Tahiri ka një pretendim procedural, i cili nuk qëndron pasi, ai nuk është anëtar i këtij komisioni. Për ne ky nuk është një projektligj, por një amendament i paraqitur për një projektligj para miratimit të tij në parim në seancën plenare. Dëgjimi i përfaqësuesit të KM nuk është detyrim.
Ilir Gjoni: Ne kemi kërkuar një përfaqësues të KM, ju nuk doni.
Leonard Demi: Nëse jeni 10 vetë në rregull.
Fatos Hoxha: Do të votoni amendamentin tim, unë përfaqësoj amendamentin. Përfaqësuesi i Qeverisë është në seancë.
Leonard Demi: Kalojmë në votim.
Sajmir Tahiri: Respektoni propozimin e deputetëve të opozitës, nëse vazhdoni kështu po i bëni atentat rregullores së Kuvendit, duke mos votuar kërkesën e 1/3 së deputetëve të opozitës.
Astrit Patozi: është një diskrecion i kryetarit të komisionit të pranojë apo jo kërkesën tuaj.
Ilir Gjoni: Ne nuk jemi juristë. Le ta shqyrtojë komisioni i ligjeve, a është apo jo e bazuar në rregullore kjo kërkesë.
Leonard Demi: Sipas rregullores, kur kërkohet nga një grup prej 10 deputetësh amendamenti për një projektligj i kalohet për shqyrtim komisionit përgjegjës, duke pezulluar seancën plenare kur është e nevojshme. Në këtë rast, përfaqësuesi i amendamentit apo të KM kanë të drejtë të dëgjohen në mbledhjen e komisionit. Për çfarë ka thënë kryetari i komisionit në mbledhjen e mëparshme lexojeni atë saktë (citon procesverbalin e mbledhjes së mëparshme të komisionit). Unë nuk jam dakord me amendamentin e zotit Hoxha dhe kërkoj që çdo gjë të shqyrtohet në shtator.
Gazmend Oketa: Unë u njoha sot me amendamentin e kolegut Hoxha. Di që të gjithë ne si deputetë kemi të njëjtin status dhe ashtu si zoti Hoxha ne duhet të ishim njoftuar. Unë personalisht nuk do të merrja përsipër përgjegjësinë për të rrëzuar një projektligj të Qeverisë me një amendament duke pasur parasysh edhe sensibilitetin që sjell ky projektligj, unë midis amendamentit të zotit Hoxha dhe sensibilitetit që shkakton në sallë zgjedh sensibilitetin. Jam kundër amendamentit.
Paulin Sterkaj: Ky amendament për mua është i pakuptimtë dhe kërkon zëvendësimin e një rendi pune. Unë nuk votoj për një amendament të tillë dhe jam kundër.
Leonard Demi: Shpreheni votën zotërinj!
Osmal Metalla- PRO; Vasillaq Ngresi- PRO; Luan Skuqi- PRO; Luçiano Boçi- PRO; Astrit Patozi- PRO; Fatos Hoxha- PRO; Raimond Hoxha- PRO; Ilir Gjoni- KUNDëR; Pirro Lutaj- KUNDëR; Xhemal Qefalia- KUNDëR; Skënder Hasa- KUNDëR; Asllan Dogjani- KUNDëR; Arben Cuko- KUNDëR; Armando Prenga- KUNDëR; Gazmir Bizhga- KUNDëR.
Leonard Demi- Komisioni i Sigurisë hedh poshtë amendamentin e zotit Hoxha me 11 vota kundër kalimit në seancë të këtij amendamenti dhe 7 pro.
Zoti Ardian Turku ishte larguar nga mbledhja në momentin e votimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›