PS dhe LSI bllokojnë ligjin e SHISH-it
adi shkembi
PS dhe LSI bllokojnë ligjin e SHISH-it në Parlament.
Në një seancë maratonë, e cila kishte 20 pika në rendin e ditës, forca më e madhe e opozitës, e mbështetur edhe nga LSI, ka arritur të shtyjë sërish miratimin e ligjit, i cili prek së pari mandatin e kreut të shërbimit. Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka premtuar se ligji do të miratohet, por pa dhënë një afat.
Debati në Kuvend
Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, kërkoi në fillim të seancës tërheqjen e ligjit për “Shërbimin Informativ Shtetëror” si dhe amendamentin e deputetit Fatos Hoxha, për shkak se ai nuk i ka kaluar 48 orë i depozituar. Duke kërkuar fjalën për procedurë, sapo nisi seanca, Ruçi tha se: “Minimumi jeni të detyruar ta tërhiqni këtë, qoftë dhe për të respektuar nenin formal të rregullores, që kërkon dy ditë kohë. është e drejta juaj që në seancën pasardhëse, duke na siguruar ne si opozitë minimumin e njohjes me këtë projektligj, me relacionin përkatës që ditën e hënë të ulemi dhe ta diskutojmë. Pra, kërkoj heqjen nga rendi i ditës së sotme dhe të kalonim për diskutim në komisionin e sigurisë e futjen në një seancë tjetër plenare”. Por qëndrimin e kreut të grupit të PS-së, e ka kundërshtuar Astrit Patozi, sipas të cilit vetëm seanca parlamentare mund ta diskutojë apo ta rrëzojë ligjin. “Të mos bëjmë debat nëse duhet futur ose jo në seancë, por nëse ka ose jo ndonjë problem, opinionet e tyre duhen shprehur në seancë, pasi ata kanë humbur shansin, që këtë problematikë ta ngrinin në komisionin përkatës. Vetëm seanca është ajo që mund ta rrëzojë ligjin, apo nene të tij ose ta miratojë ashtu siç është. Unë ftoj opozitën që ta trajtojmë me qetësi këtë çështje. Ne s’mund të na imponohet kalendari i seancës së Kuvendit”, - tha kreu i grupit demokrat. Në debatin PS-PD, ndërhyri edhe kreu i LSI-së, njëherësh zv.kryeminsitër, Ilir Meta, i cili doli në krah të qëndrimit të opozitës, teksa i bëri thirrje maxhorancës që ta shtyjë miratimin e ligjit. Ai kërkoi që shumica të mos nxitohet, duke kujtuar se pak orë më vonë do të merrej edhe vendimi për Kosovën. “çdo rishikim i tij, qoftë dhe një presje, duhet bërë në konsultim të ngushtë me NATO-n. Në dijeninë time, ky konsultim i ngushtë nuk ka përfunduar dhe do të ishte e panevojshme që kjo çështje të diskutohej sot dhe së dyti, të mos harrojmë se sot është një ditë e shënuar, kur e gjithë bota dhe të gjithë partnerët i kanë sytë në gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku pritet vendimi për Kosovën. Prandaj, mendoj se diskutimi i këtij projektligji sot është i nxituar”, - tha Meta. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, pasi njoftoi për amendamentin e deputetit Hoxha, tha se ai do të diskutohet në komisionin e sigurisë. Deputetët e këtij komisioni u mblodhën në një nga zyrat e Parlamentit dhe pas rifillimit të seancës, opozita kërkoi që të respektohet rregullorja, për t`i dhënë Kuvendit të paktën dy ditë kohë për amendamentin. Në një prononcim për mediat, Topalli reagoi pas deklaratës së Ramës, sipas të cilit Berisha po fut vendin në sherr me NATO-n e SHBA-në. “Diversioni i tij i pistë është i papranueshëm nga Kuvendi. është maxhoranca, që në sajë të reformave ka bërë të mundur, që Shqipëria të jetë në NATO. Kur ai protestonte për hyrjen në NATO, është ky parlament, që në sajë te reformave ka bërë të mundur, që ne të jemi afër liberalizimit të vizave. është Edi Rama, që në BE ka çuar çdo ditë njerëzit e tij për të punuar kundër vizave. Ne hedhim poshtë me neveri të gjitha diversionet e tij të pista dhe garantoj se ligji do të votohet”, - u shpreh Topalli.