Gjykata Kushtetuese, 114 argumente kundër ligjit të PD-së për dosjet
Eljona Ballhysa
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur dje vendimin e plotë për rrëzimin e ligjit të qeverisë për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë duke bërë publike jo pak, por 114 argumente kundër këtij drafti të miratuar në Kuvend vetëm me votat e PD-së. Gjykata Kushtetuese ka pranuar nëpërmjet këtij vendimi kërkesat e PS-së, të Shoqatës së Prokurorëve dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, për ta cilësuar këtë ligj në kundërshtim të hapur me Kushtetutën. “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Ligjit Nr. 10034, datë 22.12.2008 ‘Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve’. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”, - shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi
Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar cenim të mandatit kushtetues parashikimin, në ligjin për pastërtinë e figurës, për ndërprerjen e mandatit të zyrtarëve të lartë në rast se pas verifikimin cilësohen si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Sipas të Gjykatës Kushtetuese, “një pjesë të rregullimeve kushtetuese zënë normat e lidhura me mandatin e organeve më të rëndësishme të shtetit. Këto norma, në mënyrë të veçantë, krijojnë garancitë e nevojshme për ushtrimin e mandatit sipas konceptit kushtetues. Këto procedura janë elemente përbërëse të statusit kushtetues të organeve dhe institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta, që do të thotë se zëvendësimi i këtyre procedurave specifike me të tjera, më pak mbrojtëse, dobëson statusin e tyre”, - shkruhet në vendim. Kështu, sipas Kushtetutës, Presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Ndërsa në bazë të ligjit për pastërtinë e figurës, funksioni i Presidentit është subjekt i verifikimit, ndaj dhe nenin 4 të këtij ligji, që përcakton se “...pastërtia e figurës morale të Presidentit” është e papajtueshme me Kushtetutën. “Gjykata çmon se procedura e parashikuar në ligjin për pastërtinë e figurës është qartësisht e ndryshme dhe më pak mbrojtëse se ajo që parashikon Kushtetuta për mandatin e Presidentit. Ligji për pastërtinë e figurës nuk mund të cenojë në thelb mbrojtjen kushtetuese që gëzon Presidenti i Republikës”, - shkruhet në vendimin e Kushtetueses. Po kështu, në kundërshtim me Kushtetutën cilësohet edhe përfundimi i mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. “Gjykata, këtë pretendim të subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, e çmon të pambështetur. Ajo risjell në vëmendje natyrën specifike të procedurës së shkarkimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kushtetuta parashikon shprehimisht nevojën e rishikimit nga Gjykata Kushtetuese të vendimit të shkarkimit të Kuvendit. Ligji për pastërtinë e figurës nuk mund ta shmangë këtë garanci. Gjithashtu, Kushtetuta parashikon se vetëm Presidenti mund të shkarkojë prokurorin e Përgjithshëm”, - shkruhet në vendim. Edhe përsa i përket deputetëve, që në bazë të ligjit të qeverisë janë subjekte të verifikimit, Gjykata rithekson rëndësinë që kanë garancitë kushtetuese për ushtrimin e mandatit përfaqësues të deputetit. Lidhur me pretendimin se rregullimet e ligjit për pastërtinë e figurës përsa i përket ngritjes, funksionimit dhe vendimmarrjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurës, cenojnë kërkesat që rrjedhin nga parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, Gjykata arrin në përfundimin se funksionimi i këtij autoriteti cenon kërkesat që rrjedhin nga parimi i shtetit të së drejtës dhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Sipas vendimit të Kushtetueses, ligjet e miratuara nga Kuvendi nuk mund të vendosin kufizime që tejkalojnë ato të parashikuara nga Karta Europiane për të Drejtat e Njeriut, siç janë p.sh. e drejta për t’u zgjedhur, e drejta për punë dhe e drejta për të hyrë në administratën publike. “Ndalimet që vendos ligji për pastërtinë e figurës përbëjnë kufizime të disa të drejtave themelore të garantuara nga Kushtetuta, si dhe nga KEDNJ dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë”, - shkruhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Po kështu, Gjykata çmon se ligji për pastërtinë e figurës nuk lë hapësirë për shqyrtimin e çështjeve individualisht, por i trajton ato së bashku, pa bërë asnjë dallim. “Standardet ndërkombëtare të referuara më sipër kërkojnë që prezumimi i ‘fajit’ mund të bëhet vetëm për ish-zyrtarët e lartë të institucioneve të diktaturës komuniste që kanë kryer shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, të cilët duhet ta provojnë pafajësinë e tyre duke deklaruar se nuk kanë marrë pjesë në planifikimin, drejtimin apo zbatimin e një politike, praktike apo akti të tillë. Asnjë person tjetër nën rangun e një zyrtari të lartë të këtyre institucioneve nuk mund të jetë subjekt i masave të lustracionit, përveçse kur “faji” i tij individual provohet në një gjykim të paanshëm. Procesi i të provuarit përfshin si motivin, ashtu dhe pjesëmarrjen e tij konkrete në shkeljen e të drejtave të njeriut”, - argumentohet nga Gjykata Kushtetuese. Po kështu, Gjykata çmon se duhet të ekzistojnë arsye të forta për të justifikuar nxjerrjen e një ligji të ri për lustracionin tetëmbëdhjetë vjet pas rënies së regjimit komunist dhe shtatë vjet pas mbarimit të afatit të legjislacionit të mëparshëm.
Vendimi
Ligji cenon ndarjen e pushteteve nëpërmjet ngritjes së Autoritetit të Kontrollit të Pastërtisë së Figurës.
Ligji cenon mandatet kushtetuese të parashikuara nga Kushtetuta për zyrtarët e lartë të shtetit, si Presidentin, Kryeministrin, Prokurorin e Përgjithshëm, gjyqtarët, deputetët etj.
Ligji cenon të drejtat themelore të njeriut, si të drejtën për punë, për t’u zgjedhur, për t’u punësuar në administratë etj.
Ligji cenon të drejtën e prezumimit të pafajësisë.
Kushtetuesja: Ja pse nuk kemi konflikt interesi
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e qeverisë për përjashtimin e anëtarëve të kësaj gjykate për shmangien e konfliktit të interesit. Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave kanë pretenduar se disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, për shkak se mund të jenë subjekte të mundshme të ligjit për pastërtinë e figurës, nuk duhet të marrin pjesë në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, për të shmangur konfliktin e interesit. Sipas tyre, paanësia e trupës gjyqësore, si parim themelor dhe universal në çdo gjykim, përfshirë dhe atë kushtetues, nënkupton paanësinë e çdo gjyqtari. Gjykata vëren se ligji për pastërtinë e figurës përmban një dispozitë të veçantë që iu referohet gjyqtarëve, e cila synon shmangien e konfliktit të interesave: “Asnjë person që ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë së funksioneve, sipas nenit 4 të këtij ligji ... nuk mund të jetë pjesë në trupa gjyqësore që marrin në shqyrtim këtë ligj ose çështje që lidhen me zbatimin e tij”. Kjo dispozitë përjashton gjyqtarin pa iu referuar dorëheqjes ose largimit të tij. Një gjyqtar, i cili është i përjashtuar me ligj nga shqyrtimi i një çështjeje, nuk ka asnjë mundësi për të vendosur mbi dorëheqjen e tij dhe Gjykata nuk ka mundësi të vendosë mbi përjashtimin e tij. Ligjvënësi, duke përfshirë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në kategorinë e subjekteve që do t’i nënshtrohen verifikimit sipas nenin 3, germa “d” të ligjit për pastërtinë e figurës duhet të konsideronte nevojën për të shmangur bllokimin institucional dhe për këtë arsye duhet të kishte bërë rregullime të veçanta kushtetuese dhe ligjore që do t’i krijonin mundësinë kësaj Gjykate të kontrollonte kushtetutshmërinë e ligjeve. Kuvendi nuk parashikoi një zgjidhje për të tejkaluar një bllokim të tillë të mundshëm, bllokim që krahas të tjerave sjell për pasojë që edhe ligji për pastërtinë e figurës të mos i nënshtrohet gjykimit mbi kushtetutshmërinë e tij. Kjo bie në kundërshtim me nenin 124 të Kushtetutës. Në këto kushte, gjykimi lidhur me kërkesën për përjashtimin e disa gjyqtarëve duhet të mbështetet në vlerësimin e rëndësisë që ka paanshmëria e gjyqtarëve, por edhe në nevojën për kontrollin e ligjeve të Kuvendit nga Gjykata Kushtetuese. Bazuar në argumentet e mësipërme, Gjykata çmon se kërkesa për përjashtimin e disa gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga shqyrtimi i kushtetutshmërisë së ligjit për pastërtinë e figurës, nuk është e mbështetur. Për këtë arsye, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk ndalohen për të shqyrtuar dhe vendosur mbi çështjen objekt gjykimi.
24 Mars 2010