E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dhe Shoqata e Prokurorëve: Ligji cenon pavarësinë e institucioneve

Argumentet kundër ligjit të dosjeve, të paraqitura nga socialistët

Partia Socialiste, Shoqata Kombëtare e Prokurorëve dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, fill pas miratimit në Kuvend me votat e PD-së të ligjit të dosjeve, paraqitën menjëherë ankimim në Gjykatën Kushtetuese. Subjektet në fjalë paraqitën argumente për të vërtetuar se ligji i miratuar nga demokratët është antikushtetues, cenon pavarësinë e institucioneve, cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe një sërë të drejtash themelore të njeriut. Pikërisht për këto arsye, socialistët dhe Shoqata e Prokurorëve kërkuan nga Gjykata Kushtetuese rrëzimin e këtij ligji të njëanshëm duke e shpallur atë në kundërshtim me Kushtetutën.
Pavarësia
Në argumentet drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Partia Socialiste ka vërejtur se ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë parashikon dispozita të reja për shkarkimin e krerëve të lartë të shtetit, ndryshe nga ato që janë të parashikuara nga Kushtetuta. “Në këtë mënyrë, këto rregullime cenojnë pavarësinë e institucioneve si: Presidenti i Republikës, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, organet e pushtetit vendor, si dhe Gjyqësorin e Prokurorinë në tërësi. Rregullimet e ligjit tejkalojnë, gjithashtu, garancitë ligjore të parashikuara në disa ligje të përforcuara, të cilat kërkojnë për miratim një shumicë të cilësuar të deputetëve. Antikushtetutshmëria e dispozitave të ligjit në shqyrtim reflektohet edhe për funksionet që parashikohen në nenin 3 dhe 4 të ligjit për funksionarët që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Ligji për statusin e nëpunësit civil është ligj i cili kërkon shumicë të cilësuar”, - shkruhet në argumentet e paraqitura nga socialistët. Sipas partisë më të madhe në opozitë, ligji i lustracionit cenon rëndë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të parashikuar nga neni 7 i Kushtetutës. Kjo për faktin se krijimi i institucionit të ri të quajtur Autoriteti i Kontrollit të Figurës është shndërruar në një organ me kompetenca mbikushtetuese, duke njohur kompetenca që i takojnë Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe prokurorit të Përgjithshëm.
Po kështu, socialistët argumentojnë se ky ligj cenon të drejtën për punë të parashikuar nga neni 49 i Kushtetutës, sepse ky ligj vendos kufizime të së drejtës së punës duke mos respektuar kërkesat e parashikuara nga nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës. Partia Socialiste argumenton më tej se ligji cenon parimin e mosdënimit dy herë për të njëjtën vepër, garantuar nga neni 34 i Kushtetutës, si dhe të drejtën për t’u zgjedhur, parashikuar nga nenet 45 dhe 68 të Kushtetutës.
Gjyqësori
Shoqata Kombëtare e Prokurorëve, në argumentet e tyre kundër ligjit të PD-së, thekson se nenet 3 dhe 4 të ligjit cenojnë parimin e kushtetutshmërisë, parimin e ligjshmërisë dhe të shtetit të së drejtës në aspektin e sigurisë juridike. Sipas tyre, prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorët e të gjitha niveleve e kanë fituar statusin e tyre ligjor për të qenë prokurorë, në përputhje me Kushtetutën. “Ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese e ligjore të prokurorëve nuk mund të kufizohet ose të ndërpritet në kundërshtim me përcaktimet e qarta, të bëra në nenin 149 të Kushtetutës dhe me dispozitat e ligjit organik, miratuar me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, - argumentojnë prokurorët, duke e cilësuar këtë ligj të rrezikshëm për sistemin gjyqësor. Sipas tyre, ky ligj nuk mund të përcaktojë mënyrën dhe rastet e shkarkimit të prokurorëve nga detyra, pasi kjo bie ndesh me nenet 149, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës, të cilat sanksionojnë se prokurori i Përgjithshëm shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e Kuvendit, apo prokurorët e tjerë emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të prokurorit të Përgjithshëm. Sipas Shoqatës, largimi i prokurorëve nga detyra për papajtueshmëri cenon dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, sanksionuar në nenin 30 të Kushtetutës. Po kështu, edhe Shoqata e Prokurorëve e cilëson krijimin e Autoritetit të Kontrollit të Figurës në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, pasi i njeh këtij organi kompetenca ekstrakushtetuese e ligjore dhe në procedurën e zgjedhjes së tij nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë. “Këto rregullime bien ndesh dhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës”, - shkruhet në argumentet e Shoqatës së Prokurorëve. Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit argumenton se ky ligj shkel të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutë.

Box
Argumentet e PS-së kundër ligjit:
Dispozita të caktuara të ligjit normojnë një shkak të ri për shkarkimin e organeve të parashikuara nga Kushtetuta, duke cenuar urdhërimet e epërme kushtetuese. Në këtë mënyrë, këto rregullime cenojnë pavarësinë e institucioneve si: Presidenti i Republikës, Kuvendi, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, organet e pushtetit vendor, si dhe Gjyqësorin e Prokurorinë në tërësi.
Rregullimet e ligjit tejkalojnë, gjithashtu, garancitë ligjore të parashikuara në disa ligje të përforcuara, të cilat kërkojnë për miratim një shumicë të cilësuar të deputetëve. Antikushtetutshmëria e dispozitave të ligjit në shqyrtim reflektohet edhe për funksionet që parashikohen në nenin 3 dhe 4 të ligjit për funksionarët që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Ligji për statusin e nëpunësit civil është ligj, i cili kërkon shumicë të cilësuar.
Cenohet rëndë parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve, parashikuar nga neni 7 i Kushtetutës për arsye se: Autoriteti i Kontrollit të Figurës është shndërruar në një organ me kompetenca mbikushtetuese, duke njohur kompetenca që i takojnë Presidentit të Republikës, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm.
Cenohet e drejta për punë e parashikuar nga neni 49 i Kushtetutës për këto arsye: Ligji për pastërtinë e figurave vendos kufizime të së drejtës së punës duke mos respektuar kërkesat e parashikuara nga nenet 17 dhe 18 të Kushtetutës. Ligji shkel rëndë parimin e njohur të së drejtës se nuk ka dënim kolektiv. Dënimi është individual, pasi të jenë analizuar dhe provuar të gjitha akuzat në respekt të një procesi të rregullt ligjor.
Cenohet dinjiteti njerëzor dhe jeta private për këto arsye: Neni 25 i ligjit bie ndesh me nenin 3 të Kushtetutës, sipas të cilit, ndër të tjera, dinjiteti i njeriut është baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë ta respektojë dhe mbrojë. Ky nen shkel edhe nenin 35 të Kushtetutës, nenin 8 të KEDNJ, që parashikojnë se askush nuk detyrohet, përveçse kur e kërkon ligji, të bëjë publike të dhëna që lidhen me personin e tij; kufizimi nuk justifikohet nga asnjë interes publik, nuk është i arsyeshëm dhe proporcional.
Ligji cenon parimin e mosdënimit dy herë për të njëjtën vepër, garantuar nga neni 34 i Kushtetutës.
Cenohet e drejta për t’u zgjedhur, parashikuar nga nenet 45 dhe 68 të Kushtetutës: Neni 14 i ligjit për pastërtinë e figurës parashikon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e regjistron kandidatin nëse ky person nuk paraqet dëshminë e verifikimit.

Box
Argumentet e Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve:
Nenet 3 dhe 4 të ligjit cenojnë parimin e kushtetutshmërisë, parimin e ligjshmërisë dhe të shtetit të së drejtës në aspektin e sigurisë juridike. Prokurorët pranë gjykatave dhe prokurorët e të gjitha niveleve e kanë fituar statusin e tyre ligjor për të qenë prokurorë, në përputhje me normat e shprehura kushtetuese dhe ato të ligjit organik përkatës, i cili është ligj i përforcuar.
Ushtrimi i veprimtarisë kushtetuese e ligjore të prokurorëve nuk mund të kufizohet ose të ndërpritet në kundërshtim me përcaktimet e qarta, të bëra në nenin 149 të Kushtetutës dhe me dispozitat e ligjit organik, miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Neni 4 i ligjit bie në kundërshtim me nenin 18 të Kushtetutës ku përcaktohet se “askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, gjendja ekonomike, arsimore etj.”.
Ligji nuk mund të përcaktojë mënyrën dhe rastet e shkarkimit të prokurorëve nga detyra, pasi kjo bie ndesh me nenet 149, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës, të cilat sanksionojnë se prokurori i Përgjithshëm shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozimin e Kuvendit, apo prokurorët e tjerë emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të prokurorit të Përgjithshëm.
Kufizimet që vendosen nga ligji nuk respektojnë kushtet e kërkuara nga neni 17 i Kushtetutës. Kufizime të tilla cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, të përcaktuara në nenet 18 dhe 49/1 të Kushtetutës.
Largimi i prokurorëve nga detyra për papajtueshmëri cenon dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, sanksionuar në nenin 30 të Kushtetutës.
Neni 6 i ligjit, i cili parashikon Autoritetin e Kontrollit të Figurës, është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën, pasi i njeh këtij organi kompetenca ekstra kushtetuese e ligjore dhe në procedurën e zgjedhjes së tij nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë. Këto rregullime bien ndesh dhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.
Për shkak të papajtueshmërive sipas nenit 4, prokurorët preken dhe nga e drejta e kandidimit në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore apo të Kuvendit, e drejtë kjo e garantuar dhe e mbrojtur nga neni 45 i Kushtetutës.

24 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›