Gjykata Kushtetuese: Ligji do të kalojë në seancë plenare
Në Gjykatën Kushtetuese një ankesë ka shkuar edhe nga Sindikata e Punonjësve të Policisë, e cila përfaqëson jo vetëm punonjësit në detyrë, por sipas statutit edhe ata që trajtohen me pagë kalimtare, apo me pension të parakohshëm. Veç sindikatës, Avokati i Popullit ka treguar mbështetjen e tij kundër këtij ligji. Gjithashtu, ligji nuk është pranuar në kohën kur ende nuk ishte miratuar as nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërsa Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të ligjit për ligjin e pensioneve, i cili është miratuar në muajin maj të këtij viti. Nëpërmjet një kërkese, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, sindikata kërkon pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të policisë së mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin e punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë" deri në shpalljen e vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu kërkohet shfuqizimi i neneve 3/3; 4/2; 12/1, 2, 3; 14/1; 22; 27 dhe 29/2 të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009, si të papajtueshëm me Kushtetutën, me ligjin nr. 8661, dt. 18.09.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit" dhe ligjin nr. 9749, datë 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit" që cenojnë të drejtat ekonomiko-financiare të punonjësve të Policisë së Shtetit të përfituara me aktet normative të mëparshme. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kalojë këtë çështje në seancë plenare.