E Diel, 1 Nëntor 2026

Orët e punës, policët: Tri shqetësimet tona

Problemet e punonjësve të policisë nuk kanë të sosur. Pavarësisht se rreth një muaj më parë u rregullua plani i punës, që çdo punonjës policie mos të punojë më shumë se pesë ditë në javë, ashtu si gjithë administrata, sërish mbeten një sërë problemesh për t‘u zgjidhur. Këto probleme i kanë ngritur vetë uniformat blu, sidomos nga shërbimet e rendit, duke dhënë edhe argumentet përkatëse. Megjithatë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ngritur një grup pune për verifikimin dhe mbarëvajtjen e planit të 40 orëve të punës në javë, që ka nisur aplikimin pikërisht më 31 gusht të këtij viti.

Problemet
Sipas të dhënave nga uniformat blu, në metodikën e punës së vënë në funksion nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, dhe të zbatuar nga të gjitha strukturat, problemi kryesor qëndron që në ndarjen e njësive. Uniformat blu tregojnë se në çdo strukturë efektivët janë ndarë me katër njësi, që shërbejnë për tre turne. Në momentin që tri njësi janë në punë, e katërta bën ditët e pushimit dhe kështu me radhë për të përllogaritur pushimet. Por, problemi qëndron se çdo njësie njëherë në muaj i bie të jetë në shërbim të turnit të tretë një javë rresht. Kjo bie në kundërshtim me ligjin e policisë dhe Kontratën Kolektive të firmosur nga policia. Problem tjetër i vënë në dukje nga efektivët e policisë janë edhe festat zyrtare. Sipas tyre, në grafikun e përdorur nga strukturat e policisë nuk janë përllogaritur pushimet për festat zyrtare. Sipas tyre, ata nuk përfitojnë ditë pushimi shtesë kur ka një festë të tillë, ashtu siç përfiton gjithë administrata shtetërore. Ndërsa problemi i tretë i ngritur prej tyre ka të bëjë edhe me raportet mjekësore, sidomos për sektorin e rendit. Sipas të dhënave, kur një efektiv sëmuret, vendi i shërbimit të tij mund të mbetet bosh. Kjo ndodh pasi katër njësitë brenda një strukture kanë numër të barabartë efektivësh. Nëse një njësi ka 20 uniforma blu, atëherë është përllogaritur se ata do të mbulojnë 20 vendshërbime, kurdo qoftë, turn i parë, i dytë ose i tretë, pavarësisht se me rregulloren e policisë, në turnet e treta shtohet numri i shërbimeve të policisë. Por me grafikun e përzgjedhur është e pamundur të kryhet një veprim i tillë. Gjithashtu, nëse ndonjë nga 20 uniformat blu të njësisë (që u morën si shembull), sëmuret dhe merr raport mjekësor, vendi i tij i shërbimit mbetet bosh, ose duhet që dikush tjetër të thirret ta zëvendësojë, duke i marrë pushimin në mënyrë të padrejtë.

Urdhri
Duke pasur këto probleme, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune për kontrollin e zbatimit të urdhrit për respektimin e orëve të punës. Sipas urdhrit, në grupin e punës do të ketë në përbërje përfaqësues të lartë të policisë, që nga zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, drejtori i rendit, specialistë të tjerë, përfaqësues nga misionet e huaja që asistojnë pranë policisë shqiptare dhe sindikata e policisë. Ata mendohet se do të ndërtojnë një plan pune për kontrollin dhe verifikimin e gjithë problemeve të shfaqura dhe në fund të këtij studimi do të dërgohen relacionet përkatëse. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se grupi i punës do të kryejë verifikimet e duhura në disa qarqe, duke përfshirë edhe Tiranën. Ky grup pune do të kontrollojë që nga puna për përgatitjen dhe zbatimin e planeve të punës, puna e drejtuesve të strukturave të policisë vendore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e shërbimeve, hartimi i akteve të nevojshme, zbatimi i kërkesave dhe zbatimi i kohës së punës sipas planit 40 orë në javë për çdo punonjës policie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›