Udhëzimi i PS-së për organizatat lokale: Evidentoni personat problematikë për zgjedhjet
Shaban Sulçe
Partia Socialiste ka hartuar një strategji paraprake për mbrojtjen e votave të saj nga manipulimet e mundshme që mund të ndodhin në procesin e ardhshëm zgjedhor. Në strategjinë elektorale të selisë rozë, përveç përgatitjeve të strukturave dhe organizatave bazë për përballimin me sukses të fushatës zgjedhore, zë vend gjithashtu edhe një kapitull i veçantë, i cili është strategjia dhe plani për mbrojtjen e votave nga manipulimet e mundshme. Për këtë arsye, selia rozë u ka dërguar një udhëzim të gjitha strukturave dhe organizatave të saj lokale për të evidentuar të gjithë personat problematikë në zona, të cilët kanë shkaktuar probleme dhe kanë tentuar të manipulojnë apo kanë manipuluar votat gjatë proceseve të mëparshme zgjedhore. Sipas burimeve në selinë rozë, evidentimi i personave të tillë nga organizatat dhe strukturat lokale të PS-së do të shërbejë për t’i patur në mbikëqyrje gjatë procesit zgjedhor dhe për të penguar dhe denoncuar çdo tentativë të tyre për grabitjen apo dëmtimin e kutive të votimit. Pavarësisht se Partia Socialiste do të ketë dy anëtarë në komisionet e votimit dhe të numërimit të votave, selia rozë gjithsesi u druhet manipulimeve të mundshme që mund të shkaktohen nga maxhoranca aktuale gjatë procesit të votimit. Evidentimi i personave që përbëjnë rrezik për procesin zgjedhor është njëra prej pikave kryesore të strategjisë së Partisë Socialiste, por në këtë strategji gjenden edhe pika të tjera, të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e procesit zgjedhor.
Strategjia e LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim ishte e para forcë politike e opozitës që shpalli strategjinë e saj për mbrojtjen e votave nga manipulimet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor. Kjo strategji e LSI-së u shpall menjëherë pasi asaj iu mohua e drejta për t’u përfaqësuar në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Në strategjinë e LSI-së është planifikuar kontraktimi i të paktën dy kompanive ndërkombëtare, të specializuara për paralizimin e skemave të manipulimit të votës dhe të demaskimit të tyre ndërkombëtar. Gjithashtu, plani i LSI-së për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vijon me ngritjen e tri qendrave të specializuara me ekipe të huaja, të cilat do të monitorojnë procesin zgjedhor dhe do të demaskojnë çdo tentativë manipulimi. Pika e tretë e kësaj strategjie është edhe sjellja në Shqipëri e sa më shumë vëzhguesve, personaliteteve, politikanëve dhe gazetarëve ndërkombëtarë me eksperiencë të pasur në monitorimin e zgjedhjeve, sidomos në vendet problematike.
6 Janar 2009