E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese regjistron si lëndë rastin “Kiçina”

Këshilli Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina”, ka njoftuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës tashmë e ka regjistruar si lëndë kërkesën e tyre për shqyrtimin, interpretimin dhe dhënien e një mendimi rreth rastit “Kiçina”, në aspektin e të drejtave të njeriut.

Në përgjigjen e dhënë për Këshillin Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina” thuhet se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka pranuar kërkesën dhe të njëjtën e ka regjistruar në regjistrin përkatës me numrin KI 46/10.

Kërkesa e Këshillit Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina” drejtuar Gjykatës Kushtetuese më 25 qershor bazohet në nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës, sipas të cilit individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo pasi të kenë shterur të gjitha mjetet juridike, të përcaktuar me ligj.

Këshilli Organizativ ka parashtruar shkeljet e të drejtave të njeriut, të cilat konsideron se janë bërë në rastin “Kiçina”, respektivisht ndaj të akuzuarve: Burim dhe Arsim Ramadani, Arben dhe Jeton Kiçina nga të tri shkallët e gjykimit.

Këshilli konsideron se janë shkelur neni 21, 29 dhe neni 31 i Kushtetutës së Kosovës, si dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konventë kjo e cila ka përparësi me Nenin 22 të Kushtetutës së Republikës, në rast konflikti ndaj dispozitave ligjore dhe akteve të institucioneve publike.

Ndërkohë gjatë ditës anëtarja e Këshillit Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina”, Sebahate Shala mori pjesë në mbledhjen e Komisionit parlamentar për të drejtat e njeriut, ku ishte i pranishëm edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili prezantoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut.

Gjatë këtij takimi anëtari i Komisionit, Ibrahim Selmanaj i ka kërkuar Kurteshit që rasti “Kiçina” të trajtohet me prioritet, që të ngrihen shkeljet e të drejtave të njeriut që janë bërë në këtë rast dhe që kërkesa dhe Peticioni i Këshillit Organizativ “Drejtësi në rastin Kiçina” të merret parasysh.

“Janë afër 50 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës që duhet të merren parasysh në këtë rast. Nuk mund të kalohet në heshtje kjo çështje”, tha Selmanaj, transmeton Kosovapress.

Kurteshi nga ana e tij, tha se është i njoftuar me rastin “Kiçina” dhe Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë momentalisht, meqë rasti ende është në procedurë gjyqësore.

“Ne kemi biseduar edhe me avokaten e rastit, Vahide Braha, por nuk mund të ndërhyjmë në këtë moment. Ne mund të ndihmojmë me atë çfarë mundemi”, tha Kurteshi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›