"Zotërinjtë e dritës" nderohen me çmimin "Nobel" në Fizikë
Tre shkencëtarë që kanë ndryshuar përmes dritës sistemin tonë të komunikimit, kanë ndarë së bashku çmimin "Nobel" në Fizikë. Ata janë Charles Kao, i vlerësuar për punën e tij në Britaninë e Madhe në zhvillimin e kabllove të fibrave optikë, përmes të cilëve transmetohen të dhënat telefonike dhe ato në rrjet; si dhe dy amerikanët, Williard Boyle dhe George Smith, që kanë meritën e shpikjes së një mekanizmi të ri që quhet CCD. Bëhet fjalë për një detektor drite, që në fakt nisi edhe revolucionin e kamerës dixhitale. Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë, që shpërndan edhe çmimin e famshëm, ka deklaruar se gjysma e çmimit do t‘i jepet Kaos, i cili ka lindur në Shangai të Kinës në vitin 1933 dhe mban nënshtetësi britanike. Pikërisht puna dhe përpjekjet e tij në vitet ‘60 në Britani mundësuan edhe shpikjen e fibrave optikë dhe çuarjen e tyre në një nivel të ri. Tashmë këto kabllo mundësojnë dritën në distanca shumë më të mëdha se më parë. Zbulimi i Kaos ka kontribuar në rritjen e pastërtisë dhe të efikasitetit të materialeve të qelqta të përdorura për ndërtimin e fibrave. Sot fibrat optikë janë në thelbin e komunikimit të të gjitha llojeve. Kabllot tepër të hollë përçojnë të dhëna anembanë globit në formën e pulsimeve të shpejta të dritës. Sistemi i telefonisë moderne bazohet pikërisht në këtë teknologji dhe interneti i shpejtësive të mëdha do të ishte i pamundur pa këto fibra. Ndërsa gjysma e çmimit do t‘u shkojë dy amerikanëve. Zbulimi i tyre është bërë në laboratorin "Bell" në Shtetet e Bashkuara. Grupi në fjalë ka zbuluar sensorin e parë dixhital, një pajisje CCD në vitin 1969. Puna e tyre ka revolucionarizuar fotografinë, pasi tashmë, falë tyre drita mund "të kapet" në mënyrë të dixhitalizuar. Kjo shpikje ka revolucionarizuar edhe vëzhgimet shkencore. Tashmë detektorë të specializuar janë inkorporuar në sistemet e imazhit të të gjitha misioneve hapësinore. I tillë është shembulli i teleskopit "Hubble", i cili regjistron pamjet e tij mahnitëse në kozmos përmes CCD. Dhe peizazhi i gjallë i Marsit është fokusuar gjithashtu nga këto pajisje.