Gjykata Kushtetuese rrëzon ankimimin e PS
Ndarja e mandateve, si në zgjedhjet e vitit 2009 - kompetencë e Kuvendit
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën ankimore të Partisë Socialiste për ndarjen e mandateve të deputetëve për zgjedhjet e 23 qershorit.
Opozita ankimoi vendimin e Kuvendit, i cili kishte vendosur që mandatet për deputetë në të 12 qarqet të ndaheshin njësoj si për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ky vendim i Kuvendit, erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në nëntorin e vitit të kaluar nuk arriti të miratonte ndarjen e re, te refuzuar nga opozita.
Socialistët në kërkesën e tyre ankimore theksuan, se pas lëvizjeve demografike gjatë viteve të fundit, nuk kishte se si mandatet për deputetë të ndaheshin si në vitin 2009. Njëkohësisht, në animimin e tyre socialistët kërkuan që vendimi për një çështje të tillë të merrej në KQZ.
Pavarësisht pretendimeve të opozitës, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar si të ligjshëm vendimin e Kuvendit.
Partia Socialiste kërkoi që të shfuqizohet vendimi i Kuvendit për ndarjen e 140 mandateve të deputetëve sipas skemës së përdorur në 2009-n, duke kërkuar njëkohësisht kthimin e çështjes në KQZ, si i vetmi institucion që ka të drejtën e përllogaritjes së një procedure të tillë ligjore, e cila më pas “vuloset” nga Kuvendi.
Nisma e PS-së u firmos nga 1/5 e deputetëve të saj, ku u kërkuan dy çështje: “Shfuqizimi si antikushtetues i vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 2/2013, datë 31.01.2013 ‘Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013’” dhe pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr. 2/2013, datë 31.01.2013 “Për caktimin e numrit të mandateve në çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2013”.