Gjykata Kushtetuese rrëzon marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë
Në Shqipëri gjykata kushtetuese vendosi mbrëmë të rrëzojë marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për përcaktimin e kufijëve detar mes dy vendeve. Vendimi i cili nuk është bërë ende publik u konfirmua për Zërin e Amerikës nga burime zyrtare të Gjykatës, të cilat megjithatë nuk dhanë shpjegime të mëtejshme rreth çështjeve të cilat Gjykata i ka gjetur të papajtueshme me kushtetutën e qe e kan shtyre atë në marrjen e këtij vendimi. Gjykata u vu në lëvizje tre muaj parë nga një ankim i Partisë Socialiste dhe në nëntor vendosi pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga ana e parlamentit. Një seancë maratonë, siç nuk kishte ndodhur më parë, u zhvillua në dhjetor ku u dëgjuan pretendimet e palëve. Marrëveshja me Greqinë u nënshkrua në prill të vitit të kaluar. Por ajo menjëherë u vu në qendër të debateve, kur ekspertë të ndryshëm deklaruan në media se pala shqiptare në bisedime i kishte lëshuar territor palës greke. Këto pretendime u hodhën poshtë në menyrë të vazhdueshme nga autoritetet të cilat këmbëngulën se marrëveshja është kryer në respekt të të gjithë rregullave dhe normave ndërkombëtare, e se Shqipëria nuk kishte humbur asgjë nga sipërfaqja e saj detare. Zbardhja e plotë e vendimit të gjykatës kushtetuese do të bëjë të qartë edhe rrugën që do të duhet të ndiqet për rinegocimin e kësaj marrëveshjeje