E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shfuqizon 3 vendime gjykate për Elton Bazellin



Gjykata Kushtetuese ka pranuar dje ankimimin e bërë nga shtetasi Elton Bazelli, i dënuar nga tre shkallë të gjyqësorit për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, duke shfuqizuar tre vendimet e këtyre gjykatave. Shtetasi nga Fieri pretendon t’i jetë shkelur e drejta për një proces të rregullt ligjor, duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të gjetur të drejtën e tij dhe duke kërkuar shfuqizimin e tre vendimeve të dhëna më parë për të nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit për Krime të Rënda, si dhe mospranimi i rekursit nga Gjykata e Lartë. I përfaqësuar nga avokati i tij, Rustem Gjata, Bazelli ka fituar të drejtën që të gjykohet nga Gjykata e Tiranës, me pretendimin e ngritur prej tij se nuk ishin dy gjykatat e mëparshme kompetente për çështjen në ngarkim të tij. Gjykata Kushtetuese vendosi dje shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr. 23, datë 11.04.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; nr. 30, datë 15.06.2005 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe të vendimit nr. 247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Me anë të këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese vendosi dërgimin e çështjes për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë është marrë në mbështetje të nenit 131/f të Kushtetutës dhe nenit 72 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Ky shtetas akuzohet se më 30 prill të vitit 2004 ka tentuar të vrasë me armë zjarri biznesmenin Elton Çarçiu, me të cilin kishte pasur edhe një konflikt disa kohë më parë. Çarçiu, sipas burimeve, i cili ishte pronari i një argjendarie pranë shkollës “Sabaudin Gabrani” në kryeqytet, ka mbetur i plagosur dhe pasi ka dalë nga salla e operacionit u ka treguar uniformave blu se kush ishte autori. Menjëherë pas identifikimit të tij, policia e ka shpallur atë person në kërkim në momentin që gjykata e ka shpallur fajtor për atë ngjarje. Sipas akuzës, pasi e ka qëlluar biznesmenin, duke menduar se e kishte vrarë, 30-vjeçari nga Fieri është larguar nga vendngjarja dhe në këtë mënyrë u ka shpëtuar edhe forcave të policisë. Për dy ditë, uniformat blu nuk kanë arritur të zbardhin ngjarjen dhe as të identifikojnë autorin. Kjo gjë është bërë e mundur vetëm pasi i plagosuri ka dalë nga reanimacioni dhe ka shpjeguar të gjithë konfliktin që ka pasur me të riun, si dhe e ka identifikuar atë. Bazelli është kapur me dokumente false dhe është deportuar për në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’u vënë në dispozicion të drejtësisë.

Objekti

Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimeve nr. 23, datë 11.04.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda; nr. 30, datë 15.06.2005 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe nr. 247, datë 28.04.2006 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

Baza ligjore

Nenet 42, 131/f e 134 të Kushtetutës, si dhe neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›