E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa për ndarje, djali qëllon të dashurën dhe veten



Zënkat e shpeshta në çift kanë rrezikuar një dramë të vërtetë dashurie dje në kryeqytet. Debati mes çiftit ka marrë përmasa të paimagjinueshme edhe nga vetë ata, duke shkaktuar dy të plagosur. 27-vjeçari Genci Ilnica qëlloi dje me pistoletë të dashurën, me të cilën bashkëjetonte prej disa kohësh dhe më pas ka qëlluar veten. Menjëherë kanë ndërhyrë të njohur të çiftit, të cilët i kanë transportuar për në spital për të marrë ndihmën e parë. Pas mjekimit të marrë, gjendja e çiftit të ri është e normalizuar dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në vendngjarje ka shkuar edhe policia e kryeqytetit, e cila ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nisjen e hetimeve për rastin që për pak sa nuk shkaktoi një tragjedi. Sipas burimeve, marrëdhënia e tyre kishte disa kohë që nuk ecte mirë. Sherre të vazhdueshme midis dy të rinjve po i çonin ata drejt ndarjes. Por një gjë e tillë nuk mund të pranohej nga 27-vjeçari Genci Ilnica, i cili pas një debati me të dashurën e tij, Elsa Telhai, e ka qëlluar atë me pistoletë dhe më pas ka plagosur veten.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në një lagje periferike të kryeqytetit. Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, në banesën ku jetonte çifti i ri u dëgjuan zëra dhe tone të ashpra. Sipas policisë, 27-vjeçari Genci Ilnica dhe 19-vjeçarja Elsa Telhai kishin disa kohë që banonin aty. Ata kishin vendosur që të bashkëjetonin dhe kishin marrë këtë shtëpi me qira. Por, duket se gjerat nuk kanë ecur mirë për ta dhe pas një farë kohe, midis çiftit të ri kanë nisur konfliktet. Vajza 19-vjeçare kërkonte që të ndahej nga miku i saj, i cili nuk e pranonte aspak një gjë të tillë. Ditën e djeshme, midis tyre ka nisur sërish konflikti. Pas debatit midis të dyve, 19-vjeçarja i ka kërkuar djalit që të ndahej, duke vendosur të largohej nga shtëpia. Madje, ka nisur të zbatojë vendimin e marrë, duke u bërë gati të largohej. Por, pikërisht në këtë moment, duke mos u suportuar dot nga i dashuri si vendim, 27-vjeçari ka marrë një pistoletë të cilën e mbante në banesë dhe ka qëlluar ndaj saj. Më pas, në një gjendje të rëndë depresive, ai ka drejtuar armën ndaj vetes, duke e shkrepur atë dhe për pasojë ka mbetur i plagosur. Të bërtiturat e dala nga banesa bënë që fqinjët të lajmëronin policinë, të cilët shkuan në vendngjarje. Ata u dhanë ndihmën e parë dy të rinjve, duke i dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet. Me gjithë plagët e marra në trup, me ndërhyrjen e mjekëve u arrit që ata të kalonin gjendjen e vështirë, duke dalë jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga policia, shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë sherri dhe dëshira e vajzës për t’u ndarë nga personi me të cilin ajo bashkëjetonte. Autori i ngjarjes, Genci Ilnica, ndodhet në spital, nën survejimin e agjentëve të policisë dhe pritet që pas mjekimit, të shoqërohet për në qelitë e komisariatit.

Somario

Vajza 19-vjeçare kërkonte që të ndahej nga miku i saj, i cili nuk e pranonte aspak një gjë të tillë, duke sjellë edhe ngjarjen e rëndë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›