Vendimi, gjykata dënon 12 vjet mashtruesen e 150 mijë eurove
Gjykata e Tiranës dënoi dje me 12 vjet burg Albana Lazen, të akuzuar si mashtruese dhe përfituese të 150 mijë eurove, në këmbim të lirisë së dy të dënuarve. Në seancën e djeshme, pasi ka paraqitur mbrojtjen lidhur me akuzat në adresë të saj, togat e zeza janë tërhequr për vendim dhe kanë shpallur fajtore të pandehurën Laze. Një seancë më parë, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe përballjes së shumëkërkuar mes të pandehurës dhe ish-drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, prokurori Osmani kërkoi deklarimin fajtore dhe dënimin me 12 vjet burg për Albana Lazen, e akuzuar për mashtrimin me 150 mijë euro ndaj familjarëve të Emiljano Shullazit dhe Ervin Ferhatit. E pandehura akuzohet për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpifjes”. Sipas akuzës, Albana Laze u vu në pranga më 15 tetor të vitit 2007.
Hetimet
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se e pandehura ka mashtruar të afërmit e dy të dënuarve, duke iu premtuar këtyre të fundit se do t’u nxirrte nga burgu djemtë e tyre, në këmbim të 150 mijë eurove. 34-vjeçarja me origjinë nga Shkodra dhe me banim në Tiranë kishte marrë paratë, duke premtuar se ato do t’ua dorëzonte prokurorëve dhe gjyqtarëve të çështjes, në mënyrë që dy personat e arrestuar më 8 korrik 2006 të rifitonin lirinë, pavarësisht akuzave për “trafik lëndësh narkotike”. Shumën e lekëve e pandehura mësohet se ia ka kërkuar të dashurës së Shullazit, e cila më pas ka folur me prindërit e të dënuarit. Nga hetimet ka rezultuar se shtetasja Albana Laze, menjëherë pasi ka marrë lekët, ka filluar të thurë plane për të ndihmuar familjarët e saj. Po sipas akuzës, pasi mori lekët në dorë, e pandehura filloi bamirësinë në familjen e saj. Kështu, me 150 mijë eurot që Laze përfitoi në mënyrë të lehtë, mundi të lirojë vëllanë e saj kundrejt shumës 30 mijë euro, i cili ishte i dënuar për trafik droge në Itali. Ndërkohë, nga ekspertët mësohet se me 25 mijë euro të tjera, 34-vjeçarja mori me qira një lokal në afërsi të institutit “Harry Fultz”, të cilin e ka rikonstruktuar në mënyrë moderne. Veç të tjerash, po sipas akuzës, Laze me këto para kishte blerë edhe një automjet luksoz, të cilin e përdorte bashkëshorti i saj.
Denoncimi
Ndërkohë që emri i Albana Lazes nuk ka qenë i panjohur për hetuesit e Prokurorisë së kryeqytetit. Sipas tyre, rreth një vit e gjysmë më parë, Laze ishte denoncuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi kishte dyshime se kjo kishte konsumuar veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”. Arrestimi i saj u bë në zyrën e ish-drejtuesit të Krimeve të Rënda, Adnan Kosova, të cilit i kërkonte të dinte mbi lirimin e Shullazit dhe Ferhatit në prani të familjarëve të këtyre të fundit, duke aluduar se paratë ua kishte dhënë atyre. I gjendur në një situatë të tillë, Kosova njofton policinë, e cila i vë prangat Lazes. Madje, një seancë më parë patën një përballje mes tyre, e shumëkërkuar nga e pandehura, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura.
Somario
Sipas akuzës, rreth një vit e gjysmë më parë, Laze ishte denoncuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror, pasi kishte dyshime se kjo kishte konsumuar veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”