KLD kërkon masë disiplinore për Manjola Bejlerin
Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjen me shkelje kryetaren e Shoqatës së Gjyqtarëve, Manjola Bejleri, duke iu drejtuar me një shkresë zyrtare ministrit të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj saj. Si shkak është gjetur një inspektim, bërë kësaj gjyqtareje nga Inspektorati i KLD-së, i cili ka pretenduar se e ka gjetur me shkelje, pasi kishte lënë një padi civile pa gjykuar për shtatë muaj me radhë. Pas rezultateve të këtij inspektimi, duke qenë se vetëm ministri i Drejtësisë mund të propozojë masë disiplinore, dje zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu i ka dërguar një relacion kreut të institucionit të drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, si dhe të gjitha provat përkatëse për të gjykuar për procedim disiplinor gjyqtaren Manjola Bejleri. Po ashtu mësohet se do të jetë Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë që do të kryejë të gjitha verifikimet përkatëse në lidhje me këtë çështje. Ndërsa në fund, ministri Alibeaj do të vendosë nëse do t’i drejtohet KLD-së për masë disiplinore ndaj gjyqtares Manjola Bejleri apo jo. Sipas burimeve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndaj gjyqtares njëkohësisht dhe kryetarja e Shoqatës së Gjyqtarëve, është kryer një inspektim nga Inspektorati i KLD-së disa ditë më parë. Nga inspektimi ka rezultuar se për disa muaj me radhë paditë civile “flinin” në sirtarin e gjyqtares, pa u shqyrtuar. Po dje, edhe burime nga Ministria e Drejtësisë konfirmuan faktin se ka mbërritur në këtë institucion kërkesa e KLD-së, firmosur nga Spahiu ku kërkohet procedim disiplinor për gjyqtaren Bejleri. Një nga shkeljet e vëna në dukje nga nënkryetari i KLD-së, Spahiu, për këtë gjyqtare ka qenë një padi e televizionit “Top-Channel” ndaj Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Padia mësohet se ka si objekt të saj “detyrimin e palës së paditur të zbatojë kontratat respektove të qirasë... etj”. Nga verifikimi i kryer nga Inspektorati i KLD-së ka rezultuar se padia civile ishte hedhur në shortin elektronik në datën 7 qershor të vitit 2007 dhe deri në datën 2 nëntor të vitit 2007, nuk ishte vënë në lëvizje për t’u gjykuar nga ana e kësaj gjyqtareje. Ndaj dhe për këtë arsye Këshilli i Lartë i Drejtësisë, bazuar në ligjin numër 8811, të datës 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, neni 16, pika 1, germa c, i ka përcjellë dje zyrtarisht ministrit relacionin përkatës dhe të gjitha provat. Në fund, z. Spahiu i kërkon ministrit Alibeaj që të vlerësojë mbi procedimin disiplinor ndaj gjyqtares Manjola Bejleri, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Detaj
7 muaj i është dashur gjyqtares Bejleri, sipas KLD-së, të nisë gjykimin për këtë padi civile